13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Zhvillimet më të rëndësishme të vitit 2022 në Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe Shqipëri

Më të lexuarat

Përpjekjet për proceset integruese në organizatat evropiane, çështjet dhe mosmarrëveshjet politike, vizitat e thirrjet e shumta nga ndërkombëtarët ishin ndër çështjet kryesore të vitit të kaluar dhe që vazhduan edhe gjatë vitit 2022

Përpjekjet për proceset integruese në organizatat evropiane, çështjet dhe mosmarrëveshjet politike, vizitat e thirrjet e shumta nga ndërkombëtarët ishin ndër çështjet kryesore të vitit të kaluar dhe që vazhduan edhe gjatë vitit 2022 në Maqedoni të Veriut, Kosovë dhe Shqipëri.

Çiklistë nga Ballkani nisen nga Shkupi për në Çanakkala

Këto janë disa nga zhvillimet më të rëndësishme në tre vendet e rajonit që shënuan vitin 2022 dhe që Anadolu Agency (AA) i sjell në mënyrë kronologjike.

Maqedoni e Veriut

– Më 17 janar, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili erdhi në krye të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM) pasi dha dorëheqje ish-kryeministri Zoran Zaev, pas suksesit të dobët të partisë së tij në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit të kaluar.

– Më 3 mars, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi deklaratën që dënon “sulmet ushtarake që kërcënojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës”, e cila u bëri thirrje institucioneve përkatëse që të jenë në koordinim të ngushtë me vendet anëtare të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE).

– Më 25 mars, kombëtarja e Maqedonisë së Veriut në futboll në stadiumin ‘Renzo Barbera’ të Palermos mposhti me rezultat 0:1 kampionin e Evropës, Italinë, në gjysmëfinalen e turneut ‘play-off’ të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës Katar 2022.

– Më 30 mars, Enti Shtetëror i Statistikave i Maqedonisë së Veriut shpalli rezultatet e regjistrimit të popullsisë në vend, duke njoftuar se gjithsej janë regjistruar 2.097.319 shtetas të vendit, prej të cilëve 1.836.713 rezident dhe 260.606 jo rezident. Regjistrimi paraprak i popullsisë në vend për herë të fundit u mbajt në vitin 2002.

– Më 21 maj, në prag të Kampionatit Botëror FIFA 2022, trofeu i artë, që i ndahet fituesit të kampionatit, për herë të parë në historinë e futbollit maqedonas mbërriti në Shkup, së bashku me legjendën e futbollit brazilian, Gilberto Silva.

– Më 7 dhe 8 qershor, në Ohër u mbajt samiti i iniciativës “Ballkani i hapur”, ku liderëve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për herë të parë iu bashkëngjitën edhe liderët nga Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilët mbështetën iniciativën, duke shprehur dëshirën për t’iu bashkuar asaj në të ardhmen.

– Më 16 dhe 17 qershor, në Ohër u mbajt Forumi për Dialog i Prespës, platformë e formuar nga qeveria e vendit që synon të frymëzojë dhe promovojë marrëdhënie dhe bashkëpunim të fqinjësisë së mirë. Përpos pjesëmarrjes të liderëve të vendeve të rajonit dhe më gjerë, në këtë forum përmes video-lidhjes u adresua edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.

– Më 2 korrik, në kryeqytet filluan protestat opozitare kundër “propozimet francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Shkupit dhe Sofjes, që vazhduan më tej edhe në ditët të ardhshme duke shënuar edhe incidente, pasi paraprakisht qeveria e vendit pranoi një propozim të modifikuar nga presidenca franceze pas së cilës u njoftua fillimi i një procesi konsultativ në vend, që kishte për qëllim të çojë në heqjen e vetos 2-vjeçare të Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

– Më 16 korrik, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi konkluzionet që e obligojnë qeverinë të vazhdojë procesin me BE-në, si dhe të miratojë kornizën e negociatave për anëtarësimin në bllokun evropian, respektivisht “propozimin francez” të propozuar nga Presidenca e Francës në Këshillin e BE-së.

– Më 19 korrik, në Bruksel u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, që shënoi hapjen e negociatave për anëtarësimin e dy vendeve në BE.

– Më 19 tetor, filluan kërcënimet përmes adresave elektronike për bomba të vendosura në shkolla, institucione shtetërore, ndërmarrje publike e qendra tregtare, me dhjetëra kërcënime që kanë vazhduar më tej edhe në muajin dhjetor, ndërkohë që policia e vendit pas kontrollove të gjitha kërcënimet i konstatoi se ishin si “të rreme”.

Kosova

– Më 25 shkurt, Qeveria e Kosovës vendosi sanksione ekonomike dhe financiare ndaj Federatës së Rusisë, një ditë pasi Moska filloi agresionin e saj ushtarak kundër Ukrainës.

– Më 12 maj, Kosova zyrtarisht aplikoi për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës me seli në Strasburg të Francës.

– Më 17 maj, Kosova dhe Türkiye nënshkruan marrëveshje për furnizim me artikuj dhe produkte për shërbime të mbrojtjes, marrëveshje e nënshkruar nga presidenti i Industrisë së Mbrojtjes së Türkiye-s, Ismail Demir dhe ministri kosovar i Mbrojtjes, Armend Mehaj, gjatë vizitës të tij në Ankara.

– Më 18 maj, Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë me seli në Hagë shpalli fajtorë dy krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj dhe dënoi ata me nga 4 vjet e gjysmë burg dhe me nga një shumë parash prej 100 eurosh.

– Më 10 qershor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti me nderimet më të larta shtetërore, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Prishtinë. Scholz ndër të tjera pas këtij takimi tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke.

– Më 20 qershor, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në mbledhjen e tetë të përbashkët në Prishtinë nënshkruan gjithsej 19 marrëveshje të reja, që përfshinin një gamë të gjerë të fushave, si në infrastrukturë, arsim, rend, energji, treg të përbashkët ekonomik, turizëm, mbrojtje e të tjera.

– Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësimin e BE-së, në Bruksel miratuan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në komunat me shumicë serbe në veri të vendit, në kuadër të takimit të kryenegociatorëve, atij kosovar Besnik Bislimi dhe atij serb Petar Petkoviq.

– Më 29 qershor, xhudistja kosovare Distria Krasniqi i siguroi medaljen e artë Kosovës në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022” në Algjeri. Krasniqi, e cila garoi në kategorinë deri 52 kilogramë, mundi me ‘Ipon’ në finale kroaten Ana Viktorija Puljiz.

– Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa ilegale të cilat qarkullojnë kryesisht në veri të vendit në ato legale “RKS”. Gjithashtu vendosi reciprocitet me Serbinë sipas të cilit çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me letërnjoftim të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

– Më 27 gusht, në Bruksel u arrit marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë që shtetasit e Kosovës të hynë në Serbi vetëm me letërnjoftim dhe pa dokumenta shtesë dhe anasjelltas.

– Më 5 dhe 6 nëntor, partia parlamentare Lista Serbe mori vendim për dorëheqje nga institucionet kosovare. Dorëheqja e tyre erdhi si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për fillimin e fazës së re për targat dhe për suspendimin e policit Nenad Gjuriq që refuzoi ta zbatonte vendimin e qeverisë.

– Më 6 dhjetor në dy komunat me shumicë të komunitetit serb në veri të Kosovës, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, Policia e Kosovës regjistroi disa incidente të cilat dyshohet se ishin shkrepje armësh e shpërthime gjatë procesit të përgatitjes për zgjedhjet e 18 dhjetorit në këto komuna.

– Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë në veri të Kosovës ngritën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak. Kjo ka qenë përgjigja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë, i cili dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

– Më 15 dhjetor, Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në BE, ceremonia e dorëzimit të të cilës u mbajt në ndërtesën e qeverisë çeke në Pragë.

– Më 16 dhjetor, Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë shpalli të akuzuarin Salih Mustafa, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), fajtor për krime lufte duke e dënuar atë me 26 vjet burg si dënim të njësuar.

– Më 29 dhjetor, u tërhoqën barrikadat e vendosura nga serbët e Kosovës në veri të vendit.

Shqipëria

– Më 8 janar, në protestën e organizuar para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) u shënuan tensione dhe incidente, pasi protestuesit kanë thyer dyert dhe xhamat e dritareve duke hyrë brenda selisë, ndërkohë ndërhynë edhe forcat e policisë për të shpërndarë protestuesit. Incidentet e dhunës u shënuan nga përplasja e dy grupimeve brenda PD.

– Më 17 janar, presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, realizoi një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku u takua me zyrtarë të lartë të vendit. Ai mori pjesë edhe në ceremoninë e dorëzimit të banesave të ndërtuara me financimin e Türkiye-s për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe në ceremoninë e inaugurimit të punimeve restauruese në xhaminë Et’hem Beu në Tiranë.

– Më 4 shkurt, ish-ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Saimir Tahiri, u dënua me 3 vite dhe 4 muaj burg për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë. Saimir Tahiri ka mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë në periudhën 2013-2017.

– Më 7 shkurt, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë mbylli seancën për shqyrtimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë mbi “shkarkimin e presidentit Ilir Meta për shkelje të rënda të Kushtetutës”, ku më 17 shkurt gjykata konfirmoi se ka shfuqizuar vendimin e Kuvendit, duke mos miratuar shkarkimin e ish-presidentit Meta.

– Më 21 mars, Lulzim Basha dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD). Basha u zgjodh në krye të Partisë Demokratike në vitin 2013, duke u rizgjedhur dy herë në krye të saj, ndërkohë ai para se të zgjidhej kreu i PD-së ka mbajtur edhe disa poste ministrore.

– Më 25 maj, në Stadiumin “Air Albania” në Tiranë u mbajt ndeshja finale e UEFA Ligës së Konferencës, Roma – Feyenoord, e cila përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të ekipit italian.

– Më 7 korrik, Kuvendi i Shqipërisë miratoi rezolutën “Për kujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë”, që u propozua nga partia në pushtet, Partia Socialiste e Shqipërisë.

– Më 17 korrik, autoritetet shqiptare konfirmuan se ndaj Shqipërisë është kryer një sulm masiv kibernetik. Sipas autoriteteve, “agresioni kibernetik ishte orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit”.

– Më 24 korrik, Bajram Begaj mori zyrtarisht detyrën e presidentit të Shqipërisë. Begaj, i cili mbante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, u zgjodh më 4 qershor të këtij viti president i ri i Shqipërisë për një mandat pesëvjeçar, duke zëvendësuar në këtë post ish-presidentin Ilir Meta.

– Më 20 gusht, ndodhi një incident në një uzinë ushtarake në Gramsh të Shqipërisë, ku sipas autoriteteve shqiptare dy shtetas rusë dhe një shtetas ukrainas tentuan të hyjnë në uzinë, ndërkohë kanë përdoruar edhe sprej neoparalizues, ku si pasojë u lënduan dy ushtarakë shqiptarë. Shtetasit e huaj u arrestuan pas incidentit.

– Më 30 gusht, arrestohet themeluesi i platformës Thodex, Faruk Fatih Özer, i cili kërkohej me buletin të kuq nga Türkiye, pasi akuzohet për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”. Aktualisht Özer ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg në Shqipëri, ndërsa në shkallën e parë ka përfunduar procesi gjyqësor në lidhje me ekstradimin e tij dhe procesi vazhdon në apel.

– Më 7 shtator, autoritetet shqiptare konfirmuan se Shqipëria ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, si “kundërpërgjigje ndaj sulmit kibernetik ndaj infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Shqipërisë”, sulm i ndodhur gjatë muajit korrik 2022.

– Më 10 shtator, autoritetet në Shqipëri konfirmuan se një tjetër sulm kibernetik nga Irani është kryer ndaj Shqipërisë, konkretisht ndaj Sistemit të Menaxhimit Total të Informacionit (TIMS), sistem që verifikon dhe administron hyrje-daljet në pikat kufitare të Shqipërisë.

– Më 20-21 nëntor, Shqipëria u përfshi nga moti i keq, ku si pasojë dy persona humbën jetën në Qarkun e Shkodrës. Nga vërshimi i ujërave u përmbyt edhe Xhamia e Plumbit në Shkodër.

– Më 27 nëntor, në Tiranë u mbajt mbledhja e parë e përbashkët e Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga të dy vendet, në kuadër të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

– Më 6 dhjetor, në Tiranë u organizua Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i pari i mbajtur në rajon. Samiti mblodhi së bashku liderët e BE-së dhe të rajonit, të cilët diskutuan për disa çështje në kryeqytetin e Shqipërisë.

– Më 6 dhjetor, në Tiranë u mbajt një protestë me mbështetjen e deputetëve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD) dhe Partisë së Lirisë (PL), e cila u shoqërua edhe me incidente. Gjatë protestës, një person qëlloi me grusht ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili edhe u gjakos, duke shkaktuar edhe momente tensioni.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit