19.2 C
Pristina
Saturday, May 28, 2022

Zekiri: Shqiptarët ditën ta dënojnë BDI-në, mendoj se Besa duhet të jetë pjesë e Qeverisë! (Intervista e Plotë)

Më të lexuarat

Gazeta Lajm ka zhvilluar një megaintervistë me deputetin nga radhët e LSDM-së, Muhamed Zekiri lidhur me aktualitetet e fundit politike, formimin e qeverisë dhe zgjedhjen e kryetarit të kuvendit. Të gjitha këto zhvillime kanë marrë një dinamikë të shtuar pas vizitës së Eurokomisarit Hahn.

Gazeta Lajm: Z. Zekiri, opinioni edhe është lodhur duke e parashtruar pyetjen se kur do të bëhet qeveria. Ju si deputet a keni informacion se kur do të kemi qeveri të re dhe kur do të zgjidhet kryetari i parlamentit ?

Muhamed Zeqiri: Opinioni duhet ta dijë se, edhe pse ende nuk funksionon parlamenti, nuk kemi ndejtur duarlidhur, duke mos bërë aktivitete. Aktivitetet që i kemi marrë dhe jemi duke i marrë, janë të drejtuara që sa më shpejt të konstituohet fillimisht parlamenti dhe mandej edhe qeveria e re, reformuese, kuptohet pa VMRO-DPMNE-në. Ajo që tani më dihet është se për të hënën nga ora 12 është caktuar vazhdimi i mbledhjes konstituive të parlamentit, kanë ngelur edhe dy pika nga rendi i ditës që duhet të mbyllet kjo seancë e ato janë zgjedhja e komisionit për emërime dhe mandatime, e pastaj edhe zgjedhja e kryetarit të parlamentit. Duhet që të votohen anëtarët e këtij komisioni, mandej komisioni në fjalë duhet që të jep propozimin për kryetar parlamenti dhe duhet që i njëjti të udhëheqë seancë dhe të votohet. Ky është hapi i parë që të futet në funksion parlamenti, pasi që dihet se Maqedonia është shtet parlamentar dhe për momentin janë të paralizuara të gjitha institucionet në këtë shtet. Formalisht kemi vetëm Presidentin, të cilin më mirë mos e kishim kështu siç e kemi. Parlamenti ende është i pakonstituuar, prandaj siç dihet nuk u caktuan as zgjedhjet lokale dhe pse mandati i këshilltarëve dhe kryetarëve të Komunave kalon. Është e domosdoshme që brenda kësaj jave të konstituohet parlamenti, që të paktën një institucion ta fusim në funksion. Mandej na ngelet që të formohet qeveria, dhe besojmë se edhe ajo do të ndodhë Brenda kësaj jave.

Gazeta Lajm: A keni shqyrtuar mundësinë se si do të veproni nëse bllokohet puna e komisionit për emërime dhe a mund të na thoni mendimin tuaj, se kujt po i konvenon ky bllokim institucioneve?

Muhamed Zekiri: Nuk do mend dhe është një punë e cila po shihet ashiqare, këtë e dinë çdo qytetar, se ky bllokim i funksionimit të sistemit i konvenon vetëm kriminelëve. Vetëm kriminelëve të VMRO-DPMNE-së, të cilët e dinë se duhet të japin llogari, sepse ka kaluar koha e tyre e pushtet mbajtjes siç e kanë pasur dhe formën në të cilën e kanë ushtruar presionin. Ata e kanë të qartë edhe pas vizitës së komisarit Hahn, po edhe para asaj vizite e kanë pasur të qartë se se koha e tyre ka skaduar dhe duhet organet brenda partiake të kësaj partie të merren me kreun kriminel të VMRO-DPMNE-së. Ata duhet ta pastrojnë oborrin në radhët e veta. VMRO-DPMNE-ja në radhët e saj sigurisht mund të ketë edhe njerëz që dinë të udhëheqin edhe partinë, po ajo është punë e tyre dhe ata tash i pret një periudhë ku duhet të merren me vetveten.

Gazeta Lajm: Thatë se duhet që VMRO-ja ta pastroj oborrin e vet, a mendoni se do të arrijnë ata apo do ju nevojitet ndihmë edhe nga organet gjyqësore dhe nga prokuroria?

Muhamed Zekiri: Absolutisht. Njerëzit që kanë dosje kriminele brenda kësaj partie do të selektohen me vetë faktin se do e dinë se kujt dhe ndaj kujt janë hapur procedura gjyqësore. Prokuroria speciale vazhdimisht del me raste të reja. Dihet se një ndër të akuzuarit e parë e kemi edhe ish-kryeministrin apo edhe kryetarin e kësaj partie, Nikolla Gruevskin, i cili është i akuzuar, e kemi edhe Sasho Mijallkovin, dhe kemi shumë funksionar të tjerë si Jankullovska, Mile Janakievski. Nëse dëshmohet fajësia e tyre, argumentet janë në dorën e PSP-së, e cila i ka dorëzuar aty ku duhet. Nëse dëshmohet ashtu, secili që ka kryer krim patjetër të jep llogari dhe do të përfundoj aty ku e ka vendin. Unë vetë e kam thënë, se për momentin ka shumë njerëz të pafajshëm që janë në burgje të Maqedonisë, ata duhet të dalin jashtë dhe vendin e tyre ta zënë kriminelët e vërtetë.

Gazeta Lajm: Dihet se është çështje që u takon organeve gjyqësore, mirëpo edhe si deputet mund të jepni, kontributin tuaj që njerëzit të cilët thatë se janë të pafajshëm nëpër burgje të lirohen. Çfarë iniciative konkrete do të ndërmerrni ju personalisht si deputet në këtë drejtim?

Muhamed Zekiri: Sigurisht neve si pjesë e propozimit të programit të qeverisë që e prezantuam, e kemi paraparë ndriçimin e disa rasteve shumë senzitive që kanë ndodhur brenda qeverisjes kur pushtetar ishte Gruevski, si rasti i Kumanovës. Ky rast kërkon një hetim të detajuar, për të cilin do kërkojmë edhe kyçjen e ekspertëve ndërkombëtar që të ndihmojnë në zbardhjen e plotë. Mandej kemi rastin Monstra, Sopoti…, për të cilët gjithashtu kuvendi duhet të kontribuojë në zbardhjen e plotë. Do të formohen komisione të posaçme që të punojnë në zbardhjen e plotë të këtyre rasteve. Poashtu dihet që edhe PSP-ja i ka kryer hetimet, mbi këto raste dhe rastet procesuohen deri në gjykatë. Ato raste nuk u procesuan deri tani shkaku se kishte dëshmitar të mbrojtur, të cilët donin që ti japin dëshmitë e tyre. Ne sigurisht që duhet ta kemi prioritet të propozojmë dhe të votojmë në parlament, si shumicë, edhe ligjin për dëshmitarët e mbrojtur që e kërkon PSP-ja. krejt kjo ndihmon që sa ma shpejtë të pafajshmit të dalin nga burgu. Nuk mundet ata të vazhdojnë të qëndrojnë në burg, duke mos pasur argumente. Ne e dimë shumë mirë sesa shqiptarë gjinden në burgje vetëm e vetëm se dikujt nga gjykatësit ju ka kujtuar, apo ka marr urdhër nga dikush më lartë që të dënohen njerëz të këtillë.

Gazeta Lajm: A keni pasur qasje tek ndonjë argument që dëshmon se njerëz të pafajshëm, për rastet që i përmendët, po vuajnë dënimin me burg?

Muhamed Zekiri: Konkretisht nuk mund të flas tani në detaje, por nëse flasim për rastin “Sopoti”. veçmë dihet se dëshmitari i mbrojtur, në kohën kur unë isha kryeredaktor në TV Alsat, dha deklaratë se ka qenë i detyruar ti fajësojë bashkëfshatarët e vet për një gjë të cilën ata nuk e kanë bërë. Falë kësaj deklaratë dhe komisionit që u ngrit në atë kohë në parlament, ata u liruan dhe janë në burgim shtëpiak një pjesë e tyre. Procesi ndaj tyre vazhdon ende, nuk ka përfunduar, por është e mira se ata më nuk janë në burg dhe aj rast duhet që me patjetër të marrë fund. E dimë se edhe brenda ‘bombave’ që u publikuan për rastin e “Sopotit”, dëgjohej se si Jankullovska thotë se çfarë është problem, sa shqiptar kemi të pafajshëm nëpër burgje le të vazhdojnë edhe këta rrinë. Domethënë me argumente më të forta se këto që janë për “Sopotin”, nuk ka dhe nuk nevojiten argument tjera për të dëshmuar pafajësinë e njerëzve të akuzuar në rastin “Sopoti”. Sa i përket rastit “Monstra”, gjithë ato përgjime që ekzistojnë i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale. PSP-ja, në bazë të këtyre përgjimeve e ka përgatitur lëndën. Prokurorja Speciale Janeva deklaroi në një press-konferencë të saj se e kanë kompletuar rastin “Monstra”. E kërkuan ligjin për dëshmitarë të mbrojtur, por ja që ai nuk kaloi kur ishte shumica VMRO-BDI, ndërkaq ne insistojmë dhe tani ai ligj do të votohet patjetër, që ti mundësohet dhe lehtësohet puna Prokurorisë Speciale që njerëzit si të rastit “Monstra”, po edhe shumë raste tjera të cilat ndoshta nuk përmenden, për të cilët do të ketë argumente, do të kërkohet të ngrisim iniciativa që të lejohet në mënyrë të drejtë gjykatësit të marrin vendimet e tyre mbi rastet, mbi faktet se a është dikush fajtor apo nuk është. Nuk mundet që për shkak të vendimit politik të dikujt, dikush të vazhdoj të qëndroj në burg.

Gazeta Lajm: Megjithatë bëhet fjalë për raste të cilat kanë ndodhur, raste konkrete dhe nëse dëshmohet se ata që janë dënuar janë të pafajshëm, a ka gjasa të zbulohen autorët e vërtetë?

Muhamed Zekiri: Mandej sigurisht se pista e kërkimit të fajtorëve të vërtetë do ndryshoj, kur dihet se këta nuk janë fajtor. Duhet të gjinden. Sigurisht me këtë do të ndihmojnë shumë dëshmitarët e mbrojtur, të cilët janë te gatshëm për të dëshmuar kush kanë qenë urdhër-dhënësit e këtyre akteve të dhimbshme që kanë ndodhur dhe për cilët edhe njerëz të pafajshëm kanë qëndruar dhe vazhdojnë qëndrojnë në gjyq.

Gazeta Lajm: Paralelisht me përpjekjet për formimin e qeverisë së re, jemi dëshmitarë të protestave gjoja kundër platformës shqiptare, por edhe të paralajmërimeve që vijnë nga përfaqësues politik se situata mund të eskalojë nëse anashkalohet VMRO-DPMNE-ja nga formimi i qeverisë. Sa janë gjasat reale të ndodhë diçka e tillë?

Muhamed Zekiri: Unë besoj se kjo nuk mund të ndodhë. Këto janë zëra dhe përhapje paniku më shumë në opinion, pasi vetëm kjo i ka mbetur si mjet manipulimi VMRO-DPMNE-së të frikësojë qytetarët dhe popullatën. Dihet se vetëm në këtë formë kanë arritur të ushtrojnë pushtetin vitet e fundit, duke frikësuar njerëzit dhe duke shantazhuar. Ajo kohë më ka kaluar. Dhunë nuk do të këtë. Nuk kanë partner për dhunë dhe nuk do të kenë. VMRO-DPMNE-ja duhet t’a këtë të qartë dhe veçmë, unë thashë njëherë, e ka të qartë, po vazhdon të aktroj se nuk e ka të qartë. VMRO-DPMNE-ja nuk është faktor që e cakton shumicën, shumica parlamentare ekziston prej 67 deputetëve dhe kjo do të reflektoj dhe do të realizohet që të kemi një qeveri të re reformuese, pavarsisht se çfarë ajo mundohet të bëjë. Thashë dhunë nuk do të ketë dhe ne nuk do të lejojmë një gjë e tillë të ndodhë. Këto protesta dhe paralajmërimet për dhunë dhe frikësimet, dhe stabilizim, të gjitha I bëjnë shkaku se dëshirojnë të shpëtojnë. Ne do t’a kemi parasysh se ata e dinë se janë fajtorë, se nëse nuk janë fajtorë nuk do t’I bënin të gjithë këto telashe që të mo kemi qeveri. Të gjitha argumentet më I kanë humbur dhe edhe faktori ndërkombëtar ua tha troç se si qëndrojnë punët. Në një demokraci shumicën e bëjnë numrat, ata që I kanë numrat e bëjnë shumicën. Ata kishin 20 ditë për t’a bërë qeverinë, nuk ia dolën dhe atëherë nuk ishte problem as platforma, as kërkesat e partive shqiptare, askush nuk doli të protestojë. Në momentin kur e panë se askush nuk dëshiron të jetë me ata, platform siç e quajnë ata apo kërkesat e partive shqiptare u problematizuan domethënë gjithçka që është pjesë e programit tonë që e kemi dokumentuar është në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë dhe askush nuk e cenon karakterin unitar të shtetit dhe të vetmit ata që e cenojnë karakterin unitar dhe që e duan shkatërrimin e Maqedonisë janë VMRO-DPMNE-ja, Ivanovi dhe klika kriminele e tyre.

Gazeta Lajm: Pasi kryetari I LSDM-së Zoran Zaev publikoj programin e qeverisë ardhshme, pati reagim nga BDI-ja, lidhur me mos përfshirjen e gjuhës shqip, në uniformat e policisë dhe bankënotat. A është biseduar për këto probleme, a janë tejkaluar ato?

Muhamed Zekiri: Vet fakti se z.Ahmeti e deklaroi dhe tani z.Sela, ata janë pjesë e shumicës qeveritare. E thamë ajo pjesë u takon ekspertëve kushtetues që duhet të tregojnë se a është ajo konform Kushtetutës apo nuk është konform Kushtetutës. Ne nuk kemi dashur të lejmë hapësirë që dikush të kontestojë diçka në pika kushtetuese dhe mos mund të aplikohet, ajo është pjesë e ekspertëve kushtetues dhe unë nuk jam ekspert, juridik dhe kushtetues që mund të detaje, në detaje të cilët tani nuk janë shumë të rëndësishme, e rëndësishme është që të kthehet funksionimi I shtetit. Të kthehet drejtësia, në vend dhe e njëjta të funksionojë. Të kthehet siguria e qytetarëve dhe të realizohet prioritetet e Maqedonisë që është integrimi në NATO dhe Bashkimin Evropian. Këto janë shtyllat që i nevojiten Maqedonisë dhe që janë në interes të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. LSDM-ja e ka pasur si pjesë në programin e vet edhe parazgjedhor, dhe nuk heq dorë nga ajo se Maqedonia duhet të jetë një shoqëri ku të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë etnike, do ti gëzojnë të drejtat e barabarta. Të gjithë dhe nga kjo ne nuk heqim dorë.

Gazeta Lajm: Thatë se qeveria e re e gëzon përkrahjen e 67 deputetëve, a do të jenë pjesë e ekzekutivit të gjitha partitë që e përbëjnë shumicën.

Muhamed Zekiri: Po ne vazhdimisht jemi duke punuar në këtë drejtim që të gjithë të jenë pjesë e ekzekutivit dhe që secili të marrë pjesën e përgjegjësisë në ekzekutiv. Mendoj se ky do të ishte varianti më i mirë. Sigurisht u takon organeve partiake që ata vet të marrin vendime, se a do jenë pjesë e Qeverisë apo jo. Deri më tani kemi tre vendime publike të deklaruara. BDI-ja është pjesë e shumicës, Aleanca gjithashtu është pjesë e shumicës, ka ngelur vetëm edhe BESA të marrë vendimin përfundimtar, se do jetë apo jo pjesë e qeverisë. Deri më tani të paktën publikisht e kanë thënë se e përkrahin, Qeverinë e re por nuk e kanë marrë vendimin, do jenë pjesë e ekzekutivit apo do të qëndrojnë në opozitë. Mendimi im personal është se vendi i tyre është brenda ekzekutivit, pasi që në atë formë do të kenë edhe përgjegjësi për atë që na pret të punojmë. Pasi që kjo Qeveri do të jetë Qeveri reformuese dhe do të merr hapa shumë të rëndësishëm dhe benefitet që do i merr kjo Qeveri duhet të jenë të përbashkëta, për progresin që do të shënojmë drejtë integrimit në NATO dhe BE. Andaj nuk dua të besoj se ata do të qëndrojnë jashtë. Mendimi im është se ata e kanë vendin brenda dhe nga aty, do të mund më mirë të kontrollojnë edhe punën e ministrave që nuk i takojnë partisë tyre.

Gazeta Lajm: A ka gjasa që kjo shumicë të bëhet me 69 deputet duke marr parasysh edhe dy deputetët e PDSH-së, ose me 71 me ata katër deputetët të cilët përmenden se duan të kalojnë në LSDM nga partitë e vogla që tani janë në koalicion me VMRO-DPMNE-në?

Muhamed Zekiri: Ne si Qeveri do të jemi të hapur për të gjithë ata që duan ti japin përkrahje. Me PDSH-në kemi tentuar të vendosim në kontakt. Mirëpo me ata askush nuk mund të kontaktojë, janë mbyllur në vetvete për momentin. Kanë politikat e veta, e dimë se janë në hall dhe telashe, pasi që kanë ngelur vetëm me dy deputet. Nëse ata dëshirojnë të përkrahin dhe të jenë pjesë e kësaj qeveri reformatore, ne nuk kemi asgjë kundër, jemi të hapur edhe në atë drejtim. Sa i përmende deputetët tjerë, gjithashtu edhe për gjithë ata që mendojnë se për një moment kanë zgjedhur ekipin e gabuar dera është e hapur për përkrahjen e Qeverisë re reformatore.

Gazeta Lajm: Tani po afrohen zgjedhjet lokale, në opinion po rrjedhin disa informacione apo gjysmë informacione se LSDM-ja nuk do të të ketë kandidat shqiptar në komunat shqiptare, se ka marr kusht nga partitë shqiptare të mos kandidoj në komunat shqiptare, sa kjo është e vërtetë?

Muhamed Zekiri: E vërteta është se nuk ka kushtëzime nga askush. Dhe askush nuk lejojmë që të na kushtëzoj neve, në atë drejtim. Zgjedhjet lokale do të vinë më herët, ose më vonë. Afati për ta ka kaluar. Një nga punët që parlamenti duhet ti bëj pas konstituimit është edhe zgjidhja e këtij vakumi, gjegjësisht të caktohen zgjedhjet lokale. Pas caktimit të zgjedhjeve lokale kur ta mësojmë datën, sigurisht ne në kryesinë e partisë, në organet e partisë do i marrim vendimet. Por neve nuk mund të na kushtëzoj askush se ku do të kandidojmë dhe ku jo. Ne jemi të shtrirë në gjithë Republikën e Maqedonisë dhe gjithandej ku kemi simpatizantë dhe votues, o të dalim me kandidat tonë. Aty ku do dalim, sigurisht nuk do dalim vetëm pro forma që të kemi kandidat, por do të garojmë për të fituar.

Gazeta Lajm: Kanë kaluar tre muaj e tepër që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare. Disa ende ju thonë se keni vepruar drejtë që keni shkuar në LSDM, e disa thonë se keni gabuar. Si ju përgjigjeni ju këtyre vlerësimeve?

Muhamed Zekiri: Më drejtë, nuk kam mundur të veproj dhe këtë e dinë shumë mirë qytetarët dhe opinioni ynë në Maqedoni. Me këtë votim që e ka bërë elektorati shqiptar në Maqedoni, ka treguar pjekuri dhe vetëdije shumë të madhe. Po të mos ishin votuesit shqiptar, mos të votonin kundër partive në pushtet, ne nuk do ti kishim këto numra që i kemi në përgjithësi. Votuesit shqiptar ditën të dënojnë partinë në pushtet duke ia përgjysmuar votat dhe deputetët, në këtë rast BDI-në nga 20 në 10. Subjekti i ri BESA fitoi 5 deputet edhe Aleanca gjithashtu fitoi 3 mandate. U ndëshkua edhe Partia Demokratike Shqiptare. Ndërkaq u përkrah për herë të parë në formë shumë befasuese, për shumicën por jo edhe për mua, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, që nuk është subjekt shqiptar. Kjo u bë bazuar në programin që e kishte LSDM-ja dhe mënyrën se si ajo u hap për elektoratin, me konceptin Maqedonia një shoqëri ku të gjithë do të jenë të barabartë dhe nuk do të ketë dallime. Ne nuk do ndalemi këtu . Unë kam thënë edhe në shumë raste dhe vazhdoj ta them se askush prej subjekteve politike më nuk mund në çfarëdo zgjedhje të ardhshme të flejë rehat dhe të thotë unë këta votues i kam të garantuar. Jo, jo. Nëse nuk punojnë, nëse nuk e dëshmojnë me vepra, askush prej neve nuk mund të konsideroj në ata vota që i ka marrë në zgjedhje s mund ti marr sërish.

Gazeta Lajm: Gjatë gjitha qeverisjeve të deritanishme, ndonjëherë më shumë, e ndonjëherë më pak, janë përsëritur rastet që u kanë ndodhur shqiptarëve siç ishte “Monstra”, “Brodeci”, Lagja e Trimave. A keni frikë se mund të ndodhë ndonjë rast i këtillë edhe gjatë qeverisjes së re, dhe si do të vepronit ju nëse eventualisht ndodh?

Muhamed Zekiri: Unë nuk dua të flas për supozime, por dua të flas për përgjegjësin që e kam marrë të jem pjesë e LSDM-së. Kam vendosur të jem pjesë e një LSDM-je të e re, që dallon nga e kaluara, sepse e dimë se edhe LSDM-ja i ka mëkatet e veta në të kaluarën. Unë jam pjesë e këtij subjekti të reformuar duke besuar dhe ditur se ne nuk do të lejojmë më të bëhen gabime ashtu siç janë bërë në të kaluarën. Puna dhe përgjegjësia ime brenda po edhe të gjithë kolegëve të mi që jemi aty është që të mos lejojmë që më të përsëriten gabime. Nëse ndodhin gjëra të tilla, përgjegjësia do të jetë edhe e imja. Unë nuk jam aty për të lejuar dhe për të vazhduar për ti bërë gabimet e njëjta dhe për të treguar se vetëm njerëzit kanë ndryshuar, kurse gabimet janë të njëjta.

Gazeta Lajm: Ku do të jetë Muhamed Zekiri. Gjatë kësaj periudhe pritet të formohet qeveria e re, të mbahen zgjedhjet lokale. Mbeteni në parlament apo mund të kaloni në ekzekutiv, apo edhe të kandidoheni për kryetar komune?

Muhamed Zekiri: Sigurisht unë jam i zgjedhur nga elektorati për ti përfaqësuar brenda në parlament. Nëse organet e partisë vlerësojnë dhe mendojnë se unë mund të kontribuoj diku tjetër vendimi do të jetë i organeve të partisë. Por për momentin unë veten e shoh brenda institucionit parlament.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit