Në njëvjetorin e përurimit të Xhamisë së Madhe të kryeqytetit
Bujar M. Hoxha
Në të aguar të një dite të re e në të ngrysur të saj, kur dielli shkëlqen e kur errësira e mbulon kryeqytetin e Shqipërisë, një timbër i kulluar e përshkon horizontin. Zëri derdhet mbi njerëz dhe thërret besimtarët muslimanë në ritualin e radhës, në një prej pesë faljeve ditore.
Symbylluri i panjohur me qytetin apo i aftë ta përkundë veten në imagjinatë ëmbëlsuese, e ka të vështirë ta perceptojë veten në Tiranë. Ezani në dëgjim që prej tetorit të 2024-s është aq i stambollizuar, sa bashkësjell dhe imazhe të Fatihut, Shehzadesë, Sulejmanijes apo Sulltanahmetit.
Në një mjedis gjithnjë e më eklektik, gjithnjë e më modern, katër minaret sfidojnë kohën dhe mentalitetin e thyer me tradicionalen. Jeta vrapon së bashku me njerëzit, por ata pa dallim minimalisht i dedikojnë pak çaste dhe kthimit të kokës nga kryevepra arkitekturore që mbart shumë më tepër se rëndësinë e një objekti kulti të thjeshtë.
Sfondi i mbizotëruar nga minaret të kujton Tiranën e para një shekulli, një panoramë të asaj kohe me këtë element të lartë të objektit të kultit islam të ndeshur si asgjë tjetër nga qendra drejt periferive të qytetit modest. Historia përsërit vetveten, sido që jo gjithmonë një më një; megjithatë, ky kulm e ka përtërirë krenarinë e më të shumtëve të lidhur shpirtërisht dhe fizikisht me të.
As në ëndrrat më të hedhura nuk do ishte menduar një ndikim kësodore i xhamisë së sapohapur, të shumëkërkuar e të shumëpritur prej dekadash, të shumëminuar e të shumëkritikuar, nga muslimanë e jomuslimanë, nga pushtetarë e jopushtetarë, nga politikanë e jopolitikanë, nga një përzierje mediatikësh e ambientalistësh, nga njerëz me interesa në të e nga kompromisaxhinj gjithfarësh.
Madhështia e saj u buzëqesh tash gëzueshëm atyre që nuk deshën ta shihnin të ngrihej, as ta pranonin si pjesë të natyrshme të qytetit. Siç i mbështjell njëkohësisht në atmosferën e vet të patëdytë të përmalluarit për të prej kur nuk mbahet mend nga të gjallët e sotëm, ngase duhet të ketë qenë dëshirë shumë më e kahmotshme.
Turmat e kureshtarëve, ca për të provuar përjetimin e thellë shpirtëror të sjellë prej strukturës gjigande dhe hapësirës ku vetjakja shndërrohet në një pikëz, e ca duke e parë si tërheqje turistike, shkëmbehen shkallëve dhe përgjatë trotuarit, si një rrjedhë e rrëmbyer uji.
Në portat janë parë në një vit ekzistencë të hyjnë druajtshëm njerëz ndryshe me hije të rëndë në profesionet e tyre, të hedhin një mbulesë kokës e të kapërcejnë pragun me imazhin e përftuar të një të përkoreje shumë të vetëdijshme për feminilitetin e tyre dhe shfrytëzuese të skajshme të asaj arme. Bukuria e re e kryeqytetit e zotëron magjinë e joshjes dhe të atyre që vështirë se i trazon ngashënjimi.
Kush nuk e provon këndelljen pasi e ka vizituar atë, pasi i ka ndjerë ajrin e veçantë, pasi ia ka parë lartësitë, trajtat simetrike dhe kaligrafinë e përkryer, pasi ia ka dëgjuar zërin kënduesit të vargjeve kur’anore, duhet të kthehet nga shpirti i tij e ta vërë në pikëpyetje: ka patjetër diçka që nuk shkon me të! Njësoj si të jesh në zemrën e Stambollit e të mos të të shkojnë lot faqeve tek lutesh nën një prej kubeve të ngjashme …
Hiret e së bukurës xhami ftojnë në hijeshinë që kënaq syrin dhe në ëmbëlsinë e zërave ngarkuar me fjalë hyjnore. Silueta e saj netëve vendos lidhjen e këputur të së shkuarës me të tashmen, shtrin fillin e bashkimit të një historie lavdie e nënshtrimi dhe persekutimi pas saj, fillin e vijimësisë së trashëgimisë së pamohueshme. A nuk ngjan ndopak ky finalitet përpjekjesh të mundimshme për ta ngritur në këmbë këtë shpalosje spektakolare pranie, fuqie dhe rigjallërimi me rihapjen e Shën Sofisë si xhami?
Siç thonë turqit, pa muslimanët e mirë mes të cilëve nuk do të ishte e mundur të ngrihej kjo shtëpi e besimit islam, birini bulmak için önce kaybetmek lazım, për ta gjetur dikë, fillimisht duhet ta humbësh. Shqiptarët nuk humbën dikë, por një gjë të shtrenjtë, para thuajse gjashtëdhjetë viteve; atyre ua rrëmbyen, përmes pjellave të së keqes brenda tyre, të drejtën e të jetuarit të besimit në shoqëri, në mjedisin shoqëror, për ta gjetur lirinë e munguar të përjetimit dhe praktikimit hapur të fesë kur regjimi i ideologjisë së mbrapshtë u qërua: kjo xhami dhe minaret e saj janë lajmëtaret e epokës së re posttranzicionale të besimtarëve muslimanë të këtij vendi.
Sipërisht, fjalët qiellore se pas vështirësisë vjen lehtësimi mund t’i përfytyrosh të shkruara në çdo mur të kësaj shpalljeje arkitekturore të lulëzimit të bashkësisë sonë islame, tek ky xhevahir.
Mirënjohje Turqisë për këtë blatim dashurie, për pakëz Stamboll të sjellë në Tiranë!
