Vështrimi i një Studiuesi islam ndaj “Rrugëtimit të Islamit në Shqipëri”
Me emrin e Allahut Mëshiruesit Mëshirëplotit
Falenderoj Allahun e Madhëruar dhe përshëndes e lutem për vulën e profetëve, Muhamedin (a.s).
Një vepër e caktuar shkencore merr vlerë mbi tre baza: Tema që trajton, metoda e përdorur edhe nga autori që e ka shkruar.
Duke pohuar se jam shumë i nderuar që më është dhënë mundësia të kontribuoj në promovimin e një vepre të tillë “Rrugëtimi i fesë islame në Shqipëri”, njëkohësisht e shoh të nevojshme të theksoj se qasja ime është nga pozitat e një Studiuesi të shkencave Islame apo siç jemi mësuar të përmendim shpesh, të një teologu Islam.
Vepra në fjalë merr vlerë së pari, nga tema që trajton, pra nga historia.
Kurani rëndësinë e gjërave e mat me vëmendjen që u kushtohet atyre.
Edhe lexuesi i thjeshtë i Kuranit, vërteton lehtësisht pohimin se historia në të zë më shumë se një të tretën e Kuranit. Madje këtë e shikon që tek kaptina e parë, e më e rëndësishmja e Kuranit, surja “Fatiha”. Që në fillim Kurani na prezanton me popujt e mëparshëm. Normalisht jo thjesht duke na i përmendur si emra apo si ekzistencë, por na prezanton me përvojën e tyre historike, me shkaqet e ngritjes apo edhe me ato të humbjes dhe devijimit të tyre.
Në më shumë se 14 versete Kuranore Allahu i Madhëruar na urdhëron të ecim në tokë dhe të studiojmë përvojat e popujve të kaluar.
Po ashtu të tërheq vëmendjen edhe një fakt tjetër i rëndësishëm. Përsëritja e shpeshtë e historive dhe ngjarjeve historike. P.sh historia e profetit Musa (a.s) është përmendur në Kuran më shumë se 36 herë por gjithmonë në kontekste të ndryshme.
Pse vallë gjithë kjo vëmendje?!
Mendimtari Islam Xhasim Sultan thotë “Historia është shtëpia e përvojës njerëzore”.
Ndërsa Imadudin Halil shprehet: “Kurani fisnik na sjell premisat e tij historike për ta nxitur njeriun drejt objektivave të projektuara nga Islami dhe në të njëjtën kohë për të larguar individët dhe popujt nga pellgjet dhe xhunglat në të cilat u mbytën dhe humbën me qindra dhe mijëra popuj e fise.”
Allahu i Madhëruar ka vënë ligje humane shoqërore ashtu siç ka vënë ligje materiale natyrore. Marrëdhënia e njeriut me këto ligje është përcaktuesi vendimtar në ngritjen dhe rrënimin e popujve dhe të civilizimeve.
Allahu i Madhëruar thotë: “Ecni nëpër tokë dhe vështroni se si qe fundi i përgënjeshtruesve”. Nahl/36
Sheh Rashid Rida autori i komentimit të Kuranit “Menar” në lidhje më këtë ajet komenton: “Myslimanëve në përgjithësi u del për detyrë që të kenë në mesin e tyre studiues dhe sqarues të ligjeve hyjnore shoqërore siç kanë bërë me të gjithë shkencat e tjera kuranore, si teuhidin, legjislacionin dhe bazat e tij etj. Njohja e këtyre ligjeve është nga dijet më të rëndësishme dhe të dobishme”
Ndërsa Muhamed Abdu thotë: “Ai që i zbaton këto ligje është i fituar edhe nëse është ateist apo idhujtar, ndërsa kush i injoron e i harron është i humbur edhe nëse është evlija apo profet. Vetëm kështu mund të kuptohet dhe interpretohet humbja e myslimanëve në Uhud dhe në fillim të betejës së Hunejnit si dhe prapambetja e shumë popujve në shumë fusha të jetës”.
Njohja e këtyre ligjeve, e cila nuk mund të realizohet vetëm se tek shtëpia e përvojës njerëzore – historia – na mundëson diagnostikimin e shëndetit të popujve, e kam fjalën për pozitën e tyre të shëndoshë apo të dobët.
Hasan El-Bena pohon: “Vëllau im. Dije se popujt, në aspektin e forcës dhe dobësisë, rinisë dhe plakjes, shëndetit dhe sëmundjes, janë njëlloj si njeriu. Ndërkohë që e sheh njeriun të fortë e të shëndetshëm, papritur e hutojnë sëmundjet dhe epidemitë që i shkaktojnë konstruktit të tij dhimbje dhe shqetësime.
Ai vazhdon të vuajë e të rënkojë, derisa Allahu t`i mundësojë një mjek të aftë e një dijetar, që di të diagnostikojë mirë sëmundjet dhe burimet e tyre dhe me përkushtim ti kurojë ato. E pas njëfarë kohe, si pasojë e kësaj ndërhyrje mjeshtërore e shikon këtë të sëmurë me forca dhe shëndet të ripërtërirë. Madje mund të ndodhë, që gjendja e tij të jetë më e mirë pas sëmundjes se para saj.
E njëjta gjë vlen të pohohet edhe për popujt. Popujt janë objekt i vazhdueshëm i sfidave të kohës. Sakaq sfidat i kanosen entitetit të popujve, shkaktojnë të krisura në strukturën e tyre dhe prekin të gjitha pikat e forta, ashtu siç bën sëmundja me trupin e njeriut.
Këto sfida u vardisen popujve dhe nuk u shqiten, derisa i dobësojnë ata dhe i bëjnë të paaftë për të përballuar lakminë e lakmuesve dhe sulmin e grabitqarëve.
Ndërsa kurimi i tyre realizohet me tre elementë:
1. Diagnostikimi i vendit dhe llojit të sëmundjes.
2. Durimi ndaj dhimbjeve të shkaktuara nga ilaçi.
3. Mjeku mjeshtëror që do të ndërmarrë këtë proces, derisa Allahu t`i mundësojë realizimin e objektivit, shërimin dhe fitoren”.
Cikli historik
Njohja e historisë u mundëson popujve përcaktimin e momentit të tyre historik.
Malik Ibnu Nebij thotë: “Një nga ligjet shoqërore që tërheq fuqishëm vëmendjen konsiston në atë që historia ecën sipas një cikli dhe hierarkie. Kjo histori herë i regjistron popujve arritje dhe bëma madhore, e herë i mbulon me kuvertën e saj për ti vënë në gjumë të thellë. Duke u nisur nga ky ligj social na del domosdoshmërish për detyrë që gjatë zgjidhjes së problemeve tona, të shikojmë mirë pozitën dhe vendin tonë në ciklin e historisë. Të perceptojmë mirë konditat tona si dhe faktorët e rrënimit që na rrethojnë si edhe shkaqet e përparimit që kemi në dorë”.
Mbase nga devijimet më të rrezikshme të popujve gjatë historisë është se nuk dinin pikën nga duhet të nisin historinë e tyre. Ndoshta nga gabimet më të rrezikshme të atyre që përpiqen të bëjnë reformë është se heqin nga llogaria këtë vërejtje apo ligj shoqëror. Nga këtu fillon katastrofa. E treni i popujve del nga shinat e tij për të ecur në mënyrë anarkike.
Mendoj se një nga të veçantat e kësaj libri, e cila në vetvete është edhe tregues i objektivitetit, është përqendrimi tek historia e institucionit përfaqësues të myslimanëve për 55 vjet rresht. Studiues të filozofisë së historisë pohojnë se edhe në institucione funksionojnë të njëjtat ligje ashtu si me popujt dhe civilizimet. Edhe institucionet lindin, rriten, piqen, bien dhe rrënohen. Por jetëgjatësia e tyre varet nga marrëdhënia e saktë e aktorëve të tyre me ligjet shoqërore. Profesor Ali Basha në pikën e fundit të kreut XVIII “Komunitetet fetare kërkojnë mbylljen e tyre” e hap me një thënie shumë domethënëse: “Njeriun e poshtërojnë veprat e veta”. Nga kjo kuptoj se faji nuk mund të jetë vetëm i faktorëve të jashtëm sado negativ e të egër të jenë ata. Kurani na bën me dije se roli apo pika kryesore e faktorit të jashtëm është sprovimi i faktorit të brendshëm, pra vetes. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli derisa ata të ndryshojnë veten e tyre”.
Malik ibn Nebiu shprehet: “Kur historia gjendet në udhëkryq, zgjidhja e njeriut ngrihet në nivelin e rëndësisë së caktimit Hyjnor. E kur njeriu e bën këtë përzgjedhje, atëherë çështja përcaktohet përfundimisht dhe njeriu duket sikur vetë ai me gishtin e tij ka shtypur butonin e fundit të tij. Në atë moment çdo gjë është përcaktuar dhe anija është drejtuar për tek e mira apo e keqja e saj.
Një nga dëmet e rënda të sistemit ateist ishte krijimi i hendekut të madh mes brezave në aspektin fetar po e po, por edhe atë kulturor e moral. Sigurisht që vepra e pr. Ali Bashës jep një kontribut të çmueshëm për brezin e studiuesve dhe drejtuesve aktual Islam.
Këtu prezantohemi me një përvojë mjaft të pasur organizative sociale, shkencore, shoqërore e politike të institucionit përfaqësues mysliman, veçanërisht në 20 vjeçarin e parë të këtij Institucioni që do t’u shërbejë shumë aktivistëve Islam në fusha të ndryshme. Sakaq hendeku mes përvojës aktuale të institucioneve Islame dhe asaj historike ngushtohet shumë.
Mendoj se periudha e historisë së Islamit në Shqipëri pas 1967–ës mbetet akoma një segment i pambushur i hendekut mes brezave. Pra, natyrshëm na lindin pyetjet: Cila qe rrjedha e Islamit pas 1967? Bindshëm mund të themi se edhe gjatë këtyre dekadave Islami ka pasur histori. Njerëzit kanë besuar dhe kanë adhuruar e janë përballur me sfidën e besimit dhe të fetarizmit etj. Megjithatë kreu i fundit të librit të profesor Bashës që flet rreth mënyrës sesi mbijetoi besimi përbën një lëndën të parë dhe shumë të vyer orientuese për këdo që merr mundin dhe guximin të hedhë dritë akoma më tepër mbi këtë përvojë sa të vështirë aq edhe të rëndësishme, atë të besimit dhe fetarizmit të përballur me sfidat më të egra të kohërave.
Dija është argument thotë Kurani: “Thuaj më jepni argumentin tuaj nëse jeni të drejtë”
Argumenti dhe fakti besoj se është veçoria kryesore e veprës “Rrugëtimi i Islamit në Shqipëri”. Këtë e vëren nga fillimi deri në fund të kësaj vepre, nga arkivat dhe referencat e ndryshme të shfrytëzuara nga autori.
Përqendrimi i autorit tek faktet, dokumentet, argumentet dhe renditja e ngjarjeve sipas kronologjisë së saktë u dhuron studiuesve jo vetëm një referencë të shëndoshë por dhe një mundësi shumë të mirë që ç’do studiues të marrë dhe përfitojë nga ngjarjet aq sa ka mundësi dhe aq sa i nevojitet.
Në momentin që historia kalon nga stadi i fakteve dhe i argumenteve në stadin e orientimit të qëllimshëm dhe ideologjizimin nuk mbetet më histori. Nuk është më depoja e urtësisë për brezat siç nuk mbetet më fanari ndriçues drejt së ardhmes.
Kjo është veçori Kuranore. Kurani i sjell ngjarjet, i ngjesh me fakte, sfidon edhe për fakte të tjera dhe në fund bën thirrje për meditim e për studim.
Allahu i Madhëruar thotë: “Në to ka mësim për atë që ka zemër, hedh dëgjimin dhe është i pranishëm (me mendjen dhe shpirtin e tij)”.
Vepra në fjalë me çka ngërthen prej ngjarjeve, fakteve, argumenteve dhe dokumenteve, nxjerr në pah një nga cilësitë më të vyera të autorit, durimin e madh për ti shkuar gjërave në fund.
Mendoj se kjo përcjell një mesazh shumë të rëndësishëm për çdo studiues por veçanërisht për studiuesit islam.
Allahu i Madhëruar thotë: “Me durim dhe siguri arrihen gradat e larta në fe”. Ndërsa konkluzionet e ngutshme e të papjekura dëmtojnë të vërtetën dhe humbin njerëzit.
Në fund nuk mund të lë pa përmendur disa detaje me mësime shumë të çmuara.
Për studiuesin Islam e veçanërisht për juristin Islam, tërheq vëmendjen fuqishëm fetvaja e mençur e Dijetarit Vehbi Dibra ndaj shqiponjës dykrenëshe në flamur si dhe ndaj gjuhës shqipe në institucionet Islame. S’ka dyshim se ky qëndrim buron nga fuqia e tij e saktë perceptuese e argumenteve Islame dhe ligjeve Islame. Siç vjen nga një njohje e thellë e prioriteteve të aktualitetit dhe nga balancimi i saktë i interesave kombëtare aktuale.
Kjo aftësi dhe mençuri shprehet qartë edhe në qëndrimin e Vehbi Dibrës, Ibrahim Dalliut, Hafiz Ali Korçës e të tjerëve ndaj princ Vidit duke e legjitimuar përmes fetave si dhe përmes duave në predikimet e të premtes.
Duket i çuditshëm ky qëndrim kur vihet në diskutim elementi fetar jo Islam i Vidit dhe balancimi i tij me propozimin e Esat Pashës për të sjellë një mbret nga Porta e Lartë. Alternativa e parë garantonte paprekshmërinë dhe integritetin e trojeve shqiptare të 1912.
Në bazë të ngjarjeve të sjella në vepër del qartë në pah interesimi i dijetarëve, intelektualëve dhe popullit shqiptar për edukimin e brezit të ri mysliman shqiptar me dijen Islame dhe vlerat e saj. Për këtë i kushtohet një vëmendje e veçantë institucionit arsimor Islam, medresesë së Tiranës si një nga faktorët bazë të përparimit.
Mehdi Frashëri citon se: “Përparimi i vrullshëm për ne shqiptarët është një nevojë e jetës, se për të mjeruarit në këtë botë nuk ka mëshirë. Mëshira mund të jetë personale por jo midis popujve, d.m.th nuk është internacionale. Ai popull që rrëzohet me këmbët e veta nuk ka të drejtë të ankohet. Medresetë që do të jenë foleja e prijësve Islam në Shqipëri, duhet të konformohen me frymën e shekullit brenda të cilit jetojmë”
Koherenca e institucionit përfaqësues të myslimanëve me botën Islame është një nga tiparet e rëndësishme që nxjerrin në pah ngjarjet që ngërthen libri.
Komunikimi zyrtar i institucionit me myftininë e Palestinës, interesimi i dijetarëve, hoxhallarëve dhe popullit për xhaminë Aksa, komunikimi zyrtar me Ez’herin, mbështetja e studentëve shqiptar në Ez’her dhe Hindi, ftesa e institucionit përfaqësues mysliman shqiptar nga Ez’heri për të marrë pjesë në kongrese të rëndësishme të gjitha këto mbështesin pohimin e më sipërm.
Në fund e mbyll duke iu drejtuar Allahut të Madhëruar me një dua të sinqertë për Profesor Ali Bashën që këtë vepër ta bëjë burim përfitimi për brezin aktual dhe ata të ardhshëm, ta pranojë prej tij dhe ta bëjë burim shpërblimi dhe sevapi për të dhe familjen e tij deri në ditën e kiametit. Siç thotë Profeti Muhamed (a.s): “Tre punëve iu vazhdon sevapi edhe pas vdekjes për atë që i ka bërë … e njëra prej tyre është dija e dobishme”
Mr. Sabaudin Jashari
…
