Nga Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Do të vijë një kohë për njerëzit kur ai që e mban fort fenë e tij do të jetë si ai që mban në dorë një prush të ndezur.”
(E transmeton Tirmidhiu)
Shejh Abdurrahman es-Sa’di e ka shpjeguar këtë hadith, i cili është hadithi i fundit në librin e tij të dobishëm “Behxhetu Kulubil Ebrar” dhe mban numrin 99:
Ky hadith përmban si lajm (njoftim), ashtu edhe udhëzim.
Sa i përket lajmit:
Profeti ﷺ ka treguar se në fund të kohës do të pakësohet e mira dhe shkaqet e saj, ndërsa do të shtohet e keqja dhe shkaqet e saj. Në atë kohë, ata që i përmbahen fesë do të jenë shumë të paktë. Kjo pakicë do të jetë në një gjendje vështirësie dhe mundimi të madh, si gjendja e atij që mban në dorë prushin, për shkak të kundërshtimeve të forta dhe shumësisë së sprovave devijuese: sprova të dyshimeve, pasigurive dhe mohimit, si dhe sprova të epsheve dhe përqendrimit të njerëzve në këtë botë (dynja) dhe zhytjes së tyre në të, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Gjithashtu, dobësimi i besimit (imanit) dhe vetmia e madhe, për shkak të mungesës së ndihmësve dhe përkrahësve.
Megjithatë, ai që i përmbahet fesë së tij dhe qëndron i palëkundur përballë këtyre kundërshtimeve dhe pengesave — të cilave nuk u rezistojnë veçse njerëzit me mendje të kthjellët dhe bindje të fortë, me besim të qëndrueshëm — është ndër njerëzit më të mirë, me gradën më të lartë tek Allahu dhe me vlerën më të madhe tek Ai.
Sa i përket udhëzimit:
Ky hadith është një udhëzim për umetin që të përgatisin veten për këtë gjendje dhe të kuptojnë se ajo është e pashmangshme. Kush i përballon këto vështirësi dhe duron në fenë dhe besimin e tij, pavarësisht këtyre pengesave, do të ketë gradat më të larta tek Allahu. Ai do të ndihmohet nga Zoti i tij për atë që Ai do dhe me të cilën është i kënaqur, sepse ndihma është në përpjesëtim me vështirësinë.
