Varrimi i Erbakanit, apokaliptik!

Më të lexuarat

Nga: Ermir Hoxha

Varrimi i Erbakanit, apokaliptik!

Pas një mjekimi të pasuksesshëm, ish-kryeministri turk Nexhmedin Erbakan vdiq paraditen e datës 27 shkurt, sipas deklaratës zyrtare mjekësore, nga një inflamacion i arterieve koronare dhe insuficiencë kardiovaskulare. Vdekja e Erbakanit shkaktoi një refleks të papritur në mbarë opinionin publik turk dhe të huaj. Pa përjashtim, të gjithë figurat e shquara të politikës turke, përkrahës dhe kundërshtarë të tij, bënë deklarata ku e ngritën lart shërbimin dhe figurën e Erbakanit. Veçanërisht deklarata e shefit të shtabit të përgjithshëm tërhoqi vëmendjen për sinqeritetin e thellë, në të cilin mund të thuhet se ndjehej një farë kërkim ndjese. Kurse deklarata e ish shokut të tij të klasës dhe kundërshtarit politik më të paskrupullt, Sulejman Demirelit, pikërisht për shprehjet e tepruara të miqësisë dhe të superlativave, të linte një shije të thartë.
Ceremonia funerale u zhvillua dje, më 1 mars, në xhaminë Fatih të Stambollit. Sipas shprehjes së komentatorëve direktë, dyndja e të pranishmëve ishte, sipas termit arabisht të turqishtes elitare, “mahsherí”, apokaliptike! Namazin funeral e drejtoi kryetari i Departamentit të Fesë, i cili një pjesë të fjalës e bëri arabisht si dhe citoi nga Kur’ani. Citimi më interesant ishte ai i postulatit “Inna li’l-lahi ve inna ilejhi raxhiune” (Pa dyshim, ne, të Allahut jemi dhe, pa dyshim, te Ai do të kthehemi!) Pastaj e mori fjalën i biri i Erbakanit, Fatihu, i cili, në bisedën e tij të shkurtër, theksoi atë që mund ta quajmë vijën ideologjike dhe politike të Botëkuptimit Kombëtar. Ai e mbylli kështu: “…ai na mësoi se muslimanllëku nuk është vetëm namaz, agjërim apo vajtje në haxh, por, krahas këtyre dhe, esencialisht, luftë në rrugën e drejtë për triumfin e të vërtetës në të gjithë botën. Esselamu alejkum, Paqja qoftë mbi ju!” Cili ishte Nexhmedin Erbakan
Lindi më 29 tetor 1926 në Sinop dhe vdiq më 27 shkurt 2011 në Ankara. Inxhinier mekanik motorësh dhe makinash, akademik dhe politikan. Në vitin 1948 u diplomua në Fakultetin e Makinave të Universitetit Teknik të Stambollit. Po atë vit u emërua asistent në Katedrën e Motorëve të të njëjtit fakultet. Në vitin 1951 u dërgua në Aachen Technische Hochschule të Gjermanisë ku mbrojti doktoraturën. Së bashku me Prof. Dr. Schmidt i cili punonte për ushtrinë gjermane, kreu kërkime dhe studime të fushës së vet. Pastaj u kthye në atdhe ku, në vitin 1954, në moshën 27 vjeç, mbrojti titullin docent në Universitetin Teknik të Stambollit. U kthye përsëri në Gjermani për të bërë kërkime e studime në fabrikat Deutz të Gjermanisë Federale, ku mori detyrën e kryeinxhinierit të kërkimeve dhe studimeve për modernizimin e tankut Leopard. Në vitet 1956-1963 realizoi prodhimin e motorit të parë origjinal turk si dhe të autoveturës së parë të prodhimit vendas. Më 1965 mori titullin profesor dhe më 1967 u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë. Më 1969 u zgjodh deputet i pavarur nga Konia. Më 1970 themeloi Partinë e Legalitetit Kombëtar (Milli Nizam Partisi), e cila, brenda një kohe të shkurtër, u mbyll nga Gjykata Kushtetuese. Me kuadrin e kësaj partie themeloi më 11 tetor 1973 Partinë e Shpëtimit Kombëtar (Milli Selamet Partisi). Në periudhën 1974-1978 kreu detyrën e zv.kryeministrit në tri qeveri të ndryshme koalicioni. Në këtë periudhë mbrojti idenë e Operacionit Qipriot. Ai kishte si qëllim pushtimin e plotë të Qipros për ta detyruar palën greko-qipriote të ulej në tavolinën e bisedimeve pa kushte në mënyrë që edhe botës t’ia impononte njohjen e Republikës Turke të Qipros, edhe palës greko-qipriote t’ia impononte kufijtë dhe zgjidhjet e tjera. Por partneri qeveritar i koalicionit, Bulent Exhevit, duke mos e lejuar këtë, dha urdhër që operacioni të ndalohej në Linjën Jeshile. Pas Grushtit të Shtetit të 12 shtatorit 1980, u mbajt për një kohë nën vëzhgim në ishullin Uzunada, kurse më 15 tetor të atij viti, së bashku me 21 drejtues të Partisë së Shpëtimit Kombëtar, u arrestua me akuzën e “shndërrimit të P.Sh.K. në shoqatë ilegale dhe sjelljes në kundërshtim me laicizmin”. Mori pafajësinë dhe u la i lirë më 24 korrik 1981. Mbështetur në Kushtetutën e vitit 1982 (kushtetutë e imponuar me zgjedhje me fitore a la komuniste 99.99% nga ekipi i grushtit të shtetit që, pavarësisht nga retushimet, ende s’është shfuqizuar?!), iu hoq e drejta për t’u marrë me politikë për dhjetë vjet. Më 1987, në bazë të referendumit kombëtar, u rikthye në politikë. U bë kryetar i Partisë së Mirëqenies (Refah Partisi) të themeluar më 19 korrik 1983. Në zgjedhjet e vitit 1991 u zgjodh deputet i Konias. Në zgjedhjet elektorale të vitit 1995, Partia e Mirëqenies fitoi 158 vende në parlament duke u bërë partia e parë. Pasi koalicioni DYP-ANAP (Rruga e Drejtë e Tansu Çilerit dhe Mëmëdheu i Mesut Jëllmazit) s’pati sukses, Erbakani ngriti qeverinë e koalicionit REFAHYOL me Rrugën e Drejtë të Tansu Çilerit dhe më 28 qershor 1996 mori detyrën e kryeministrit. Kështu, për herë të parë në historinë e Republikës Turke, në krye të politikës dhe të shtetit turk dilte një parti dhe një kryeministër me vijë të deklaruar islamiko-nacionaliste. Nuk ishte vetëm ky shkaku i shqetësimit dhe panikut që përfshiu qarqet ushtarako-civile laike-antiislame që kishin përvetësuar qysh në kohën e monizmit të Ismet Inony-it pozitën e elitës sunduese pavarësisht nga vullneti i popullit, por edhe sukseset e shquara politiko-ekonomike të kësaj qeverie dhe personalisht të Erbakanit brenda dhe jashtë vendit. Për herë të parë në historinë e Turqisë, u realizua buxheti i ekuilibruar. Në këtë periudhë, duke e hedhur vështrimin në Lindje, në basenin e afërt tokësor dhe detar të Turqisë, Nexhmedin Erbakan themeloi organizatën ekonomike D-8 dhe u bë lider i saj. Gjithashtu, me anë të reformave të ndryshme ekonomiko-financiare, Erbakani e shpëtoi Thesarin e Shtetit nga nevoja për borxh të brendshëm. Ekonomia u fut në rrugën e zhvillimit dhe rritjes. U realizuan ngritje rrogash të njëpasnjëshme krahas rritjes ekonomike, kurse esnafët u mbështetën me kredi të leverdisshme. Përgjithësisht, edhe në zhvillimin e industrisë, Erbakani u mbështet në kapitalin e Anadollit me prirje për zhvillimin e një ekonomie nacionale të pavarur ekonomikisht dhe politikisht nga vendet e huaja, sidomos ato perëndimore. Si pasojë e të gjitha këtyre zhvillimeve, më 28 shkurt 1997, pas një përgatitjeje relativisht të gjatë skenaresh që kishin për qëllim diskreditimin ideologjik dhe politik të Erbakanit dhe partisë së tij, u krye grushti i shtetit i mbiquajtur “postmodern”. Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, Erbakani u vu në pozitë të vështirë që e detyronte të jepte dorëheqjen. Në fakt, sipas protokollit të koalicionit, Erbakani duhet t’ia linte postin Tansu Çilerit. Erbakani dha dorëheqjen dhe presidenti Sulejman Demirel duhet ta ngarkonte Tansu Çilerin për të formuar qeverinë e re. Por, në përputhje me konceptualitetin e vet ideologjik dhe politik, Demireli bëri edhe një herë të kundërtën: detyrën e formimit të qeverisë ia dha Mesut Jëllmazit. Dy-tre muaj më vonë, më 21 maj 1997, kryehetuesi i shtetit kërkoi nga Gjykata Kushtetuese të hapte çështjen për mbylljen e partisë Refah (Mirëqenia). Partia Refah u mbyll, kurse Erbakani ndaj të cilit filluan disa procese gjyqësore, u dënua me burgim shtëpie për shkak të moshës së kaluar. Në vitin 2001, rryma politike e Botëkuptimit Kombëtar (Milli Görüş) u nda në dy nënrryma: konservatorët që themeluan partinë Saadet (Lumturia) dhe novatorët që themeluan Partinë e Rimëkëmbjes (AKP) që është aktualisht në pushtet.
Duhet theksuar se kuadrot që themeluan AKP-në ishin të gjithë ish nxënës të Erbakanit. Si të tillë, ata vazhdojnë ta ruajnë trashëgimin e tyre ideologjik vetëm si pozicionim politik. Si pozicionim politik, ata janë djathtistë demokratë, por jo islamikë. Ata janë për shtetin laik, ndërkaq që aktualisht feja në Turqi jo vetëm është e ndarë nga shteti, por ndodhet në një pozitë aq të dobët, sa nuk ka as pushtet spiritual siç ka krishterizmi në botën perëndimore laike. AKP ka për synim bazë që Turqia të bëhet një shtet me peshë të madhe politiko-ekonomike zonale dhe botërore dhe, në këtë synim, ajo ka ecur shumë përpara. Turqia është i vetmi vend në botë që nuk u prek pothuajse fare nga kriza botërore e fundit, gjë që e rriti akoma më shumë prestigjin dhe fuqinë politike të saj jo vetëm në zonë, por edhe në botë. Sipas thënies së kryeministrit Rexhep Tajjip Erdoan, sot Turqia nuk i nënshtrohet rendit të ditës të politikës të bërë nga të tjerët, por e përcakton këtë rend dite. Mund të thuhet se vizioni ekonomiko-politik i AKP-së, vizion i cili është vetëm në shërbim dhe në të mirë të vendit dhe kombit, parashtrohet me besnikëri dhe shumë qartë në kryeveprën e ministrit të jashtëm, Prof. Dr. Ahmet Davutogllu, “Thellësi Strategjike – Pozita ndërkombëtare e Turqisë” (Stratejik Derinlik-Türkiye’nin Uluslararası Konumu) përkthyer në shqip nga M. Hoxha dhe botuar nga Logos-A i Shkupit. /gazeta shekulli/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit