Uria e tyre, turpi ynë – Nga Gideon Levy

Më të lexuarat

Uria po përhapet me shpejtësi në Gaza. Kush nuk ka vdekur duke pritur në radhë për ushqim, me gjasë do të vdesë nga uria. Kemi hyrë në fazën më monstruoze të luftës, për të cilën as propaganda më e fuqishme e Izraelit nuk do të mund të gjejë ndonjë justifikim.

Plani izraelit për pastrim etnik të Rripit të Gazës po ecën mirë, ndoshta edhe përtej pritjeve. Krahas arritjeve të deritanishme në vrasje dhe shkatërrime sistematike, këtyre ditëve është shtuar edhe një tjetër: uria. Ajo po përhapet me shpejtësi dhe numri i të vdekurve nga uria po afrohet me numrin e atyre që u vranë me armë teksa prisnin për ushqim. Kush nuk ka vdekur duke pritur në radhë për ushqim, me gjasë do të vdesë nga uria.

Përdorimi i urisë si mjet lufte tashmë po jep rezultate. Agjencia amerikane GHF, që pretendon të ofrojë “ndihmë” për Gazën, gjithashtu ka arritur sukses. Jo vetëm që qindra banorë të Gazës janë vrarë në radhët për paketa ushqimore, por ka edhe të tillë që po vdesin nga uria përpara se të arrijnë të hyjnë në radhë – shumica janë fëmijë e foshnje. Vetëm dje vdiqën nga uria dhjetë persona (15 një ditë më parë), mes tyre tre fëmijë dhe një foshnje gjashtë-javëshe. Që nga fillimi i luftës kanë vdekur 111 vetë nga uria, mes tyre 80 fëmijë, dhe numri po rritet përditë.

Mediet izraelite bashkëfajtore i fshehin këto pamje. Mungesa e informimit për Gazën nuk do të falet as do të harrohet ndonjëherë. Por këto pamje po mbërrijnë tek pjesa tjetër e botës. Janë pamje të të uriturve (të burgosurve hebrenj në kampet naziste), pamje nga Shoah. T’i fshehësh këto do të thotë të mohosh që po ndodhin. Skelete foshnjash e fëmijësh të vegjël, të gjallë apo të vdekur, me eshtra që duken përmes indit dhjamor të tretur dhe muskujve të zhdukur, me sy dhe gojë të hapura, shikim të shuar. Të shtrirë në dysheme spitalore, mbi shtretër të zhveshur, ose të transportuar me karroca me gomar. Këto janë pamje nga ferri. Në Izrael shumica i mohojnë dhe dyshojnë në vërtetësinë e tyre. Të tjerë ndjejnë gëzim e krenari për pamjet e foshnjave të uritura. Po, kemi arritur deri aty.

Shndërrimi i urisë në armë legjitime dhe të pranueshme nga izraelitët qoftë përmes përkrahjes së hapur apo përmes indiferencës është faza më monstruoze e luftës që Izraeli po e zhvillon ndaj Gazës. Kjo nuk mund të arsyetohet, as të justifikohet. Madje as propaganda më e fuqishme e Izraelit nuk do të mund ta bëjë këtë.

Uria është bërë armë legjitime sepse është mjet për të arritur qëllimin e pastrimit etnik. Kjo duhet të kuptohet, dhe vazhdimi i luftës duhet parë në dritën e këtij shpjegimi. Ashtu siç është “në interes” të Izraelit që mijëra palestinezë të vriten nga forcat e tij të armatosura, po aq “në interes” është që qindra prej tyre të vdesin nga uria. Vetëm kështu Rripi i Gazës do të shndërrohet në një vend të pabanueshëm dhe vetëm kështu ata do ta braktisin atë “vullnetarisht”. Fillimisht drejt një “qyteti humanitar” dhe më pas drejt Libisë ose kush e di se ku tjetër.

Në Gaza të gjithë janë të uritur. Gazetarët palestinezë që ende nuk janë vrarë, thonë se nuk kanë futur asgjë në gojë për dy ose tri ditë. Edhe mjekët ndërkombëtarë vuajnë nga mungesa e ushqimit. Një mjeke kanadeze në spitalin Nasser ka ngrënë vetëm një pjatë të vogël thjerrëza në dy ditët e fundit. Ajo është shumë e dobët për të kujdesur për të plagosurit e të sëmurët. Kjo është e mirë për Izraelin.

Ekipi i Al Jazeera-s ndoqi një baba të ri në kërkim për miell. Në treg gjeti një stendë me dy thasë miell izraelit dhe një shishe vaj. Çmimi për thes ishte disa qindra shekelë. Ai u kthye duarbosh te fëmijët e tij të uritur. Në studio përshkruan me hollësi tri fazat e vdekjes nga uria. Fëmijët e tij janë në fazën e dytë.

Uria e ka shndërruar këtë luftë në më të tmerrshmen prej të gjitha luftërave të Izraelit – dhe padyshim më kriminalen. Asnjëherë nuk kemi lënë dy milionë njerëz të vdesin nga uria në këtë mënyrë. Ekziston vetëm një gjë më e tmerrshme se kjo: indiferenca me të cilën kjo po pranohet në Izrael, vetëm një orë e gjysmë larg me makinë nga vendi ku dje vdiq një foshnje – Jusuf Al-Safadi, gjashtë javë i vjetër. Familja e tij nuk arriti të gjente zëvendësim për qumështin e gjirit të nënës. Në momentin kur ai vdiq, në Kanalin 12 po transmetohej një emision kulinar – “Kuzhina fituese”. Shikueshmëria ishte e lartë.

(Autori është gazetar në gazetën izraelite “Haaretz”)

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit