12.5 C
Pristina
Friday, May 10, 2024

“Universitetet dhe standardet arsimore në Turqi janë shumë cilësore”

Më të lexuarat

TIRANË/PRISHTINË (AA) – Studentët e rajonit përzgjedhin në masë të konsiderueshme Turqinë si destinacionin e tyre për të mbaruar studimet e niveleve të ndryshme, për shkak të cilësisë që ofrojnë universitetet në këtë vend. Studentët që kanë mbaruar studimet në Turqi, shprehen të kënaqur nga standardet e arsimit që ofron ajo.

Një nga studentët që ka mbaruar studimet në Turqi është Besmir Hallaçi nga Kukësi i Shqipërisë, i cili për Anadolu Agency (AA) thotë se universitetet dhe standardet arsimore të Turqisë janë shumë cilësore.

Hallaçi në vitin 2005 është regjistruar si student i Fakultetit të Teologjisë në Universitetin Uludağ në Bursa, përmes një kontingjenti të Fondacionit Turk të Çështjeve Fetare (TDV). A kishte nisur studimet në vitin 2006, pasi një vit ia ka kushtuar mësimit të gjuhës turke.

Edhe studimet e masterit Hallaçi i ka përfunduar në po të njëjtin universitet, në drejtimin e Filozofisë Islame, kurse në Shqipëri është kthyer në vitin 2013.

“Universitetet e Turqisë dhe standardet arsimore të Turqisë janë shumë cilësore. Duhet ta themi këtë. Mundësitë e ofruara për studentët, posaçërisht gjatë periudhës teksa ne ndodheshim atje si studentë, standardet arsimore, ishin shmë të mira”, thotë Hallaçi duke folur për kushtet e studimit në Turqi.

“Ne u përpoqëm t’i vlerësojmë këto maksimalisht”, thotë ai, duke shtuar se çdokush u ka ndihmuar në kohëra kur janë ballafaquar me vështirësi.

Hallaçi thekson se nuk i ka shkëputur lidhjet me Turqinë edhe pasi është kthyer në Shqipëri, ndërsa shton se vazhdimi i marrëdhënieve mes dy vendeve është i rëndësishëm.

“Ne i kemi aktivizuar të gjitha mundësitë në mënyrë që marrëdhëniet tona miqësore dhe të afërta të avancohen tutje, të jenë më konstruktive dhe më të qëndrueshme”, theksoi ai.

Hallaçi e konsideroi tepër të rëndësishëm takimin e të diplomuarve në Turqi, projekt i nisur nga Presidenca e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).

“I vlerëson pozitivisht të gjitha punimet e YTB-së. Me të vërtetë, ato janë punime që na mbajnë afër dhe na bashkojnë”, tha Hallaçi.

“Turqia është e rëndësishme për rajonin e Ballkanit”

Nga ana tjetër, Güner Üreya, Drejtori i Departamentit për Diplomaci Ekonomike pranë Ministrisë së Jashtme të Kosovës, i cili studimet dhe masterin i ka mbaruar në Turqi, shprehet i lumtur që ka studiuar në këtë vend.

Üreya, i lindur në Prizren në vitin 1973, kishte vendosur të studiojë në Turqi përmes një burse të ofruar nga Turqia në vitin 1994.

Ai është diplomuar në Fakultetin e Komunikimit në Universitetin e Ankarasë, ndërsa më pas ka përfunduar edhe masterin në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Gazi në po të njëjtin qytet.

Megjithatë, ai thotë se ende nuk ka përfunduar jeta e tij studentore, pasiqë vazhdon doktoratën në shkencat administrative në Institutin e Administratës Publike për Turqinë dhe Lindjen e Mesme.

Duke folur për AA lidhur për përshtypjet për Turqinë dhe ndikimin që studimi në Turqi ka pasur në karrierën e tij, Üreya thotë se kontributi i institucioneve arsimore të Turqisë si vend dinamik ishte shumë i madh për ta.

“Karriera jonë dhe punët që kemi bërë e dëshmojnë më së miri këtë”, thotë ai.

Üreya më herët ka ushtruar funksione të ndryshme në Turqi dhe Kosovë, përfshirë televizionin publik turk TRT, Ambasadën e Kosovës në Turqi dhe ministri të ndryshme në Kosovë.

Si arsye më të rëndësishme për ta përzgjedhur studimin në Turqi, Üreya thotë se është afërsia mes dy vendeve, të cilën më së shumti e cilëson si afërsi shpirtërore sesa gjeografike.

Ai thotë se në detyrat që ka ushtruar ka dhënë përpjekje për të kontribuar në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë.

“Ne përpiqemi të kontribuojmë në paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në Kosovë dhe paqen rajonale. Në këtë profilizim tonin Turqia ka rol të madh, për arsye se në zhvillimin personal, ne kemi arritur aty ku jemi në saje të arsimit në Turqi dhe nga profesorët atje. Jemi falënderues për këtë gjë. Lus Zotin që edhe brezat e rinj të vazhdojnë rrugën në mënyrë të njëjtë”, shprehet Üreya.

Ai e vlerëson Turqinë si shtet me potencial të fuqishëm, deri në atë masë saqë më së paku është ndikuar nga zhvillimet në botë dhe Lindjen e Mesme, duke shtuar se është e rëndësishme që Turqia të vazhdojë të qëndrojë e palëkundur.

“Turqia është shumë e rëndësishmë si për njerëzit e saj, ashtu edhe për rajonin tonë, Ballkanin”, vlerësoi Üreya për AA.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit