7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Umeti i krenarisë dhe i fitores

Më të lexuarat

Dijetarët, thirrësit, madje edhe besimtarët, që të gjithë janë të mendimit dhe pajtohen me atë se, Umeti ynë është në përballje të mëdha dhe po kalon kriza të shumta. Zakonisht shkaktarët e këtyre krizave nuk janë besimtarët, por nuk është aspak e rastit kur sheh se edhe nga mesi i besimtarëve, ndodh të ketë të tillë që problemet i shkaktojnë vetë, i mbjellin dhe i shumojnë ato. Ky Umet, ra në sprova dhe përballje nga më të ndryshmet, nga më të rrezikshmet dhe më të errëtat, por, assesi nuk u shkatërrua. Mjafton të hedhim një sy shkarazi përmes historisë së Islamit dhe do të vërejmë se jo vetëm ua cenuan të drejtat, por edhe u rrahën dhe u mbytën në mënyrat më çnjerëzore. Ua mohuan fenë e tyre, u munduan t’i shfarosin, shpërngulin dhe varrosin përgjithmonë. U futën sprova si në pasuri, dyshime në fe, epshe e mërzi. I lanë të prapambetur, pa kurrfarë të drejte, të papunë ndonëse ishin më të zotët dhe më të shkolluarit. Sprovat nuk mbaruan me kaq, ato vazhduan, madje u keqësuan edhe më shumë. Erdhi dita kur u shpallën luftë haptas, duke i akuzuar për terroristë, gjakpirës dhe të pashpirt.
Disa nga myslimanët me besim të dobët, por me qëllim të mirë, nga frika e mosnjohjes për gjithçka po ndodh, filluan edhe të mërziten për këtë gjendje të mjerueshme, e cila me të vërtetë është për të ardhur keq. Por, kjo gjë nuk ishte për tu çuditur prej tyre, ngase çudia e vërtetë ndodhi kur ata filluan të besojnë se Umetit të Muhamedit, salAllahu alejhi ve selem, po i vjen fundi dhe se ai do të shkatërrohej.
Ndërkaq, në anën tjetër, dijetarët me përvojën dhe diturinë e tyre, edhe pse kishin dhimbje për këta besimtarë të sprovuar, filluan të gëzohen dhe ta përgëzojnë njëri-tjetrin për ndihmën dhe fitoren, e cila po përgatitej dhe ishte duke u trokitur në derë. Filluan të besojnë kështu ngase ky ishte premtimi i Zotit. Premtimi i Atij që gjithmonë kur besimtarëve u shtoheshin telashet, për aq edhe ua afronte ndihmën e premtuar. Sa më i papritur ishte sulmi i armikut aq më e befasishme ishte edhe ndihma e Allahut. Kurrë ky Umet nuk është goditur me telashe e sprova, veçse përfitimi, ndihma dhe ripërtëritja ka qenë gjithmonë më e madhe.
Veçori e tij është që sa herë e godasin sprovat ai merr mësim, kthehet nga e vërteta dhe përmirësohet.
Andaj u them edhe dashamirësve e edhe urrejtësve të Islamit: kurrë askush nuk do të mund ta shkatërrojë këtë Umet, kjo ëndërr asnjëherë nuk do të bëhet realitet.
Me gjithë vështirësitë nëpër të cilat është duke kaluar, prapë se prapë për të nuk ka arsye për t’u frikësuar nga mundësia hipotetike e shkatërrimit. Ky Umet, është Umet i qëndrueshmërisë, ecjes përpara dhe ngjitjes në lartësitë e adhurimit të Zotit Një, hapat i hedh në tokën e virtytit, arritja e tij është përmes rrugës së krenarisë dhe fitores.
Allahu assesi nuk dëshiron shkatërrimin e tij, kush mundohet ta bëjë një gjë të tillë, ai vetëm se i ka shpallur luftë Zotit të Plotfuqishëm. Umet të cilit nga Zoti i është caktuar qëndrimi deri në fund të kësaj bote. Ky është premtimi i Allahut, e Ai nuk shkel premtimin e Tij.
Premtim i cili është përgjigje e lutjes së të Dërguarit, salAllahu alejhi ve selem, për të cilin tregon duke thënë: “Kërkova prej Tij që mos t’ia mundësojë asnjë armiku ta mposht atë (Umetin) e Ai ma pranoi…”(Shënon Tirmidhiu nr. 2175, senedin e të cilit e saktëson Albani.)
Allahu në hadithin kudsij si përgjigje të lutjes së të Dërguarit, salAllahu alejhi ve selem, thotë: “Nuk do t’ia mundësoj asnjë armiku prej umeteve tjera që ta mposhtin, e kështu ta bëjnë hallall nderin e tyre, edhe sikur të bashkoheshin të gjithë ata kudo qofshin në fytyrë të tokës”( Shënon Muslimi nr. 2889).
Andaj, nuk ka dyshim se Umeti ynë është ai i fitores, i fundit deri në ditën e shkatërrimit të kësaj bote. Por, nuk duhet harruar fakti se në disa kohëra ai mund të kalojë nëpër kriza dhe sfida të ndryshme.
Besimtarë, ju përgëzoj me fjalën e Allahut: “Me të vërtetë ndihma e Allahut është afër” (Bekare, 214).
Secili doemos duhet ta dijë se Allahu nuk dëshiron ta vonojë ndihmën e Tij për këtë Umet por, ndoshta vepron ashtu siç do që t`i shohë punët tona. Nëse vëren se ne mundohemi të bëjmë diçka për vete dhe e meritojmë këtë ndihmë, atëherë na ndihmon e përndryshe ndihmën e Tij e vonon. I lë besimtarët në vështirësi, pikërisht atëherë kur nuk e meritojnë ndihmën e shpejtë. Kjo ndodhë me qëllim që të kaliten për përmirësim, sepse edhe ari kur qëndron më shumë në zjarr pastrohet më tepër nga ndyrësitë. Mos harro se “Vërtet Allahu nuk e shkelë premtimin e dhënë”. (Ali Imran, 9).
Ndihma e Zotit për këtë është e patjetërsueshme, ajo vazhdon të vërtetohet herë pas here sipas nevojës, por ndihma e madhe do të vijë patjetër atëherë kur Allahu e sheh se ne e meritojmë atë. Ai thotë: “Premtimi i Allahut, e Allahu nuk e shkelë premtimin e Tij, mirëpo shumica e njerëzve nuk e dinë”. (Rum, 60).
Ndihma e Tij, vjen pasi t’i kryejmë obligimet e kërkuara, Allahu thotë: “Nëse i ndihmoni Allahut, Ai ju ndihmon juve” (Muhamed, 55).
Nëse besoni dhe punoni sipas urdhërave të sheriatit do të bëheni zëvendës të Tij në fytyrë të tokës: “Allahu u premtoi atyre që besuan dhe bënë punë të mira se do t`i lërë zëvendës në fytyrë të tokës” (Nur, 55).
Nuk ka kohë për mërzitje, as qaravitje për plagët, e as arsye për demoralizim. Është koha për ngritje nga gjumi, ecje përpara dhe përmirësim. Punoni që të ndihmoheni. Bëhuni të devotshëm që gjendja t`ju përmirësohet, do të korrni sukses dhe ëndrra e fitores do t`ju realizohet.
Për këtë shkak, Umeti ynë ka nevojë që dikush prej tyre t`ua qartësojë “rrugën e drejtë të Islamit”, “metodologjinë e drejtë të ndryshimit të kësaj gjendje” që të ecë nëpër këta binarë të shëndoshë. Dikush që do t`ua tregojë atyre mënyrën e plotësimit të kushteve të kërkuara nga Allahu, e pastaj Ai t’ua dërgojë ndihmën e Tij, ngase kush i plotëson obligimet ndaj Allahut, atëherë edhe Allahu e dërgon ndihmën e Tij: “Premtimin e Zotit çojeni në vend dhe Unë do ta plotësoj premtimin Tim”( Bekare 40).

Autori: Hoxhë Lulzim Susuri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit