10.1 C
Pristina
Tuesday, May 14, 2024

Turqia në sistemin botëror

Më të lexuarat

Nga: Prof. Dr. Ramazan Gozen

Turqia në sistemin botëror

Ekziston një debat i gjerë lidhur me pozitën e Turqisë brenda sistemit botëror. Ky është një debat, rrënjët e të cilit zgjaten deri në periudhën e Perandorisë Osmane, por që nuk ka aspak të mbaruar as në periudhën e republikës. Palët e këtij debati pjesërisht janë politikanët dhe intelektualët në Turqi dhe pjesërisht janë grupe e kategori të ndryshme në botë. Këto grupe e opinione mund ti ndajmë në tre kategori. Në kategorinë e parë bëjnë pjesë ata njerëz që mendojnë se Turqia i përket Perëndimit dhe botës moderne, ide kjo e pretenduar nga modernistët. Opinioni i dytë që dominon dhe që pretendohet nga islamikët apo nga konservatorët është se Turqia i përket botës islame dhe Lindjes së Mesme. Opinioni i tretë është ai që mbrohet nga intelektualët e qendrës së moderuar (centristët), sipas të cilëve Turqia duhet të ndërtojë një pozicion origjinal duke shkrirë në një kupë vlerat perëndimore/moderne me vlerat islame. Natyrisht që përveç këtyre ka edhe opinione që përbëjnë pakicë. Për shembull ka nga ata që mbrojnë idenë se Turqia duhet të bëjë pjesë brenda bllokut marksist-leninist, madje ka pasur edhe nga ata që kanë menduar që Turqia duhet ta izolojë veten nga bota.
Debati lidhur me pozicionin e Turqisë me sa duket është shfaqur sërish në një formë më konkrete për arsye edhe të zhvillimeve të viteve të fundit. Pas fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e plotë të Turqisë në Bashkimin Evropian në vitet 2000 bëheshin parashikime lidhur me datën e pranimit të Turqisë në BE. Në këtë periudhë Turqia bëri reforma moderne dhe mjaft serioze, madje krijoi edhe Ministrinë e Bashkimit Evropian. Ajo që pritet nga anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Evropian nuk është thjesht një anëtarësim; përkundrazi pritet që Turqia të zotërojë parimet universale që ka dhe mbron BE-ja. Në kuptimin konkret këto vlera janë, demokracia, sundimi i ligjit, të drejtat dhe liritë e njeriut, pluralizmi, ekonomia e tregut dhe një politikë të jashtme paqësore dhe konstruktive të ndërtuar mbi të gjitha këto. Perëndimorët mendojnë se anëtarësimi i Turqisë në struktura dhe organizata ndërkombëtare si BE dhe NATO është një kusht dhe objektiv i domosdoshëm. E shprehur kjo me një klishe, Turqia fytyrën duhet t’ia drejtojë Perëndimit, kurse shpinën botës islame.
Ky opinion është i gabuar, pasi nuk është i plotë. Të rekomandosh që Turqia duhet të jetë pjesë e Perëndimit dhe brenda BE-së dhe kurorëzimin e saj me vlera universale nënkupton anashkalimin e vlerave gjeopolitike, historike dhe kulturore të Turqisë. Sepse veçoritë shoqërore, kulturore dhe fetare të Turqisë, kushtet historike dhe gjeopolitike të saj e bëjnë Turqinë një anëtare të botës islame në përgjithësi dhe të rajonit të Lindjes së Mesme në veçanti. Duke u nisur nga kjo njëkohësisht është më se e kuptueshme roli që luan Turqia brenda Organizatës së Bashkëpunimit Islamik. Anëtarësia e Turqisë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OBI) ofron një shans për zhvillimin dhe modernizimin e botës islame. Dihet që Turqia bën përpjekje në këtë drejtim që nga vitet 1970 e këtej në përgjithësi dhe veçanërisht pas viteve 2000, kur vendi është qeverisur nga Partia AK.
Qenia e Turqisë nga njëra anë një aktor modern i pajisur me vlerat e Bashkimit Evropian dhe kontributi i saj në zhvillimin e këtyre vlerave në botën islame do ta bëjë Turqinë një aktor global. Në fakt kjo është edhe ajo që pretendojnë centristët. Qasja centriste pjesërisht ka filluar në vitet 1950 me Adnan Menderes, ka vazhduar deri diku në vitet 1970 me Sulejman Demirelin, është fuqizuar në vitet 1980 me Turgut Ozal dhe ka arritur apogjeun në vitet 2000 me Partinë AK nën drejtimin e dyshes Erdoan-Gyl. Ozal, Gyl dhe Erdoan kanë luajtur rol të rëndësishëm edhe në afrimin e Turqisë me Bashkimin Evropian në kuadër të procesit të anëtarësimit, edhe në procesin e afrimit me Botën Islame dhe Lindjen e Mesme. Këta liderë kanë menduar që pozicioni i Turqisë nuk do të fuqizohet vetëm duke përvetësuar vlerat universale perëndimore, por do të fuqizohet si rezultat i integrimit të këtyre vlerave me vlerat e veta kulturore dhe fetare.
Madje duke bërë një hap edhe më tej mund të hidhet pretendimi se në fakt vlerat universale në shumë pika përputhen me vlerat islame. Një pikë shumë e rëndësishme në këtë kontekst është aspirata për paqe, e cila zë vend në thelbin e filozofisë së BE-së dhe asaj islame. Filozofia themelore e Bashkimit Evropian dhe strategjia themelore që mbron islami është para së gjithash që marrëdhëniet ndërkombëtare të jenë pro-paqes. Dhe një e vërtetë historike e rëndësishme këtu është se politika e jashtme turke në themel ka parimin “paqe në vend, paqe në botë”, siç e ka shprehur me pak fjalë edhe Mustafa Qemal Ataturku.
Ky parim tregon që Turqia dhe politika e saj e jashtme thelbësisht kërkon të marrë pjesë në anën e vendeve që mbrojnë paqen. Një nga treguesit konkret të kësaj preference është edhe fakti që Turqia është një 45 vendet anëtare themeluese të Kombeve të Bashkuara. Tradicionalisht politika turke është ngritur mbi këto themele dhe ka preferuar që paqen ta përhapë duke filluar nga kufijtë e saj në të gjitha rajonet dhe në të gjithë botën.
Pas Pranverës Arabe, politikat që janë ndjekur vitet e fundit ndaj Sirisë dhe Irakut, politika që duken sikur bien ndesh me këtë teori të përgjithshme, nuk duhen parë si një rregull i përgjithshëm, por si një anormali. Opinioni publik turk është i shqetësuar nga kaosi, luftërat dhe përleshjet e sotme në rajon. Mbështet luftën kundër organizatave terroriste si ISID, al-Nusra dhe al-Kaide. Dhe patjetër që vazhdon të bëjë përpjekje për ti dhënë fund organizatave terroriste si PKK. Në këtë kornizë duhet parë e vlerësuar sot pozicioni botëror i Turqisë. Këto organizata nuk janë në përshtatje as me vlerat universale që mundohet Turqia të arrijë dhe as me vlerat e saj.
Prof. Dr. Ramazan GozenPedagog në Degën e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Marmara”.
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit