16.7 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

A kishte të drejtë Maks Velo?

Më të lexuarat

A kishte të drejtë Maks Velo?

{Teuta Nunaj | www.shekulli.com.al}
Një intervistë e arkitektit Maks Velo, në një të përditshme shqiptare pak ditë më parë, ngjalli polemika dhe reagime të shumta, ndërsa komentet dhe opinionet pro dhe kundër nuk reshtin. Ndaj natyrshëm të lind pyetja më normale: a duhet një intelektual që ushtron ndikim me fjalën dhe qëndrimet e tij, të përcjellë në publik kaq hapur opinionin personal për çështje kaq të ndjeshme? Por, siç ndodh në traditën tonë, jo të mirë për fat të keq, ne merremi më shumë me individin se me vetë fenomenin.
Personalisht, kam bindjen se besimi është një nga katër shtyllat, që mbajnë në këmbë njerëzimin dhe botën në tërësi. Ndaj ai zë dhe merr një vlerë gjithnjë të veçantë. Unë besoj se feja për njeriun është rruga, që ai ndjek për të shkuar sa më shpejt për te Zoti. Ndaj, në këtë rast lloji i fesë që individi zgjedh për ta praktikuar është një formë, që rrethon përmbajtjen e tij – besimi. Në besimin tim dhe në mënyrën sesi unë kam zgjedhur t’i drejtohem Krijuesit, aplikimi i lutjes në një vend shpirtëror është ekuivalent, pasi nëse drejtohet nga një kishë, xhami, vakëf, teqe, sinagogë apo tempull, këto vende lutjesh shërbejnë si pika takimi për t’u lidhur me “qiellin”. Historia shqiptare na sjell si të dhënë, që deri para pushtimit osman, feja e praktikuar në Iliri ishte katolicizmi.Ndërsa sot, pas më shumë se pesë shekujsh, në Shqipëri ka tri fe zyrtare dhe kjo përbën një fakt. Por të jesh ortodoks, nuk do të thotë se je më i mirë se një mysliman apo se një katolik dhe anasjelltas. Zgjedhja e fesë është individuale, ajo është rruga që zgjedh çdo njeri për të shkuar në destinacionin e përbashkët që është “qielli”, duke përdorur si ndërmjetës shpirtin e tij. Unë bëj pjesë në atë grup njerëzish, që i bashkon arsyetimi se besimi nuk vret, por është keqbesimi që vret. Nëse i referohemi historisë në zanafillë, do të shohim se feja ka burim njerëzor, ndërsa besimi e tejkalon njerëzoren. Kjo sepse Misionari ka predikuar besimin në Zot dhe feja ka lindur pas largimit nga kjo botë të tij (Misionarit). Profetët Abraham, Moisi, Jezu Krisht dhe Muhamed kanë përcjellë fjalën e Hyjit, të përshtatur në kohë dhe hapësirë, për vetë kushtet në të cilat ndodhej njerëzimi në atë kohë. Të ndash njerëzit sot, nëse janë të mirë ose jo, duke përdorur si kriter fenë, të cilën ata kanë zgjedhur të praktikojnë për të shprehur besimin e tyre, është veprim i gabuar. Pasi nuk është feja ajo që vret, por njeriu që zgjedh të vrasë duke e motivuar dhe justifikuar veprën e tij nën emrin dhe petkun e fesë. Nuk vret islami, që në kuptimin e tij shqip do të thotë paqe, se ishte i tillë besimi që predikoi Profeti Muhamed, por vret terrorizmi, që përdor fenë në mënyrë vrastare për të përligjur krimet e tij. Nuk ka ortodoksë më të zgjuar dhe më të shquar, katolikë më zemërgjerë dhe fisnikë, apo myslimanë më bujarë e të ndjeshëm, por ka njerëz që zgjedhin të kultivojnë cilësitë e tyre ashtu si vetë duan të bëhen, pavarësisht fesë që praktikojnë. Feja dhe besimi i vërtetë, na ndihmojnë të bëhemi qytetarë më të mirë, më fisnikë, më bujarë e më ndihmues ndaj të tjerëve, më të respektuar, më të dashur. Besimi është paqja me veten në fillim dhe më pas me të tjerët.
Sot jetojmë në një kohë kur bota është shumë e trazuar dhe për çështje me ndjeshmëri të lartë si feja, e cila ende sot në Shqipëri, fatmirësisht nuk përbën ndasi të forta dhe problematike. Ndaj, ne si komb kemi më shumë nevojë për unifikim dhe paqe për të larguar protagonizmat apo paragjykimet krahinore apo ideore; për zëra qytetarë e intelektualë, që të ndikojnë pozitivisht në forcimin e shpresës dhe rritjes së bashkëpunimit; për të rendur së toku të krishterë e myslimanë; për të zhvilluar vendin dhe për të dalë nga bataku ku jemi, ku me veprimet apo mosveprimet tona kemi lënë gjurmë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit