Njeriu është një qenie e gjallë, pra, biologjike, dhe biologjia është kimi dhe fizikë së bashku. Por nuk mjaftojnë vetëm këto tri shkenca për ta shpjeguar njeriun, sepse ai ka edhe ndjenja të brendshme dhe veprime sociale, për të cilat nuk mjaftojnë vetëm shkencat e natyrës, por duhen edhe ato shoqërore, si psikologjia, sociologjia, antropologjia dhe historia. Por edhe këto nuk mjaftojnë për ta shpjeguar njeriun, sepse njeriu është shumë më tepër, prandaj dhe ai mbetet enigmë në mjaft aspekte.
Kështu që megjithëse qenia njerëzore është studiuar kaq shumë, ajo mbetet përsëri e panjohur, ndaj dhe nuk zotërohet një dije absolute gjithëpërfshirëse ndërdisiplinore, që të sigurojë një njohje absolute për njeriun.
Kështu që duke u nisur vetëm nga pikëpamja laike, e cila mohon ekzistencën e shpirtit, si mundet që njeriu dhe jeta e tij kaq komplekse, të imitohet nga inteligjenca artificiale, që edhe nëse do të akumulonte të gjithë dijen e shkruar njerëzore që ruhet deri më sot nëpër libra, a do të mund ta zëvendësonte biologjinë dhe ndjenjat e tij?!
Ndërkohë që, po sipas pikëpamjes laike, vetëm një njohje e plotë absolute mbi objektin, mund të mundësojë imitimin apo zotërimin absolut të tij. Nëse kjo mungon dhe nuk ka shanse të zotërohet ndonjëherë, atëherë çfarë mund të thuhet për idetë trans-humaniste, që mbartin fantazinë për ta shndërruar jetën njerëzore në një jetë digjitale, apo në qarqe elektronike që imitojnë biologjinë dhe psiken njerëzore?!
Ndërkohë që, po sipas pikëpamjes laike, vetëm një njohje e plotë absolute mbi objektin, mund të mundësojë imitimin apo zotërimin absolut të tij. Nëse kjo mungon dhe nuk ka shanse të zotërohet ndonjëherë, atëherë çfarë mund të thuhet për idetë trans-humaniste, që mbartin fantazinë për ta shndërruar jetën njerëzore në një jetë digjitale, apo në qarqe elektronike që imitojnë biologjinë dhe psiken njerëzore?!
Aftësia për të pasur iluzione dhe fantazi, shpesh nga më absurdet, është gjithashtu një aftësi e këtij njeriu prej mishi dhe kockash, prej gjaku dhe indesh, prej qelizash dhe kromozomesh, prej ndjenjash dhe arsyetimesh, që shkenca kërkon ta imitojë apo zëvendësojë!
Por, këmbëngulja dhe guximi i çmendur njerëzor nuk mungon edhe në këtë rast, kështu që edhe pse me dije dhe njohuri të kufizuara, ka njerëz që do të guxojnë të eksperimentojnë dhe të ofrojnë imitimin e jetës njerëzore përmes elektronikës dhe softwareve, apo edhe nga ata që duan të integrojnë shpikjet njerëzore me tela dhe qarqe, te biologjia njerëzore; dhe cili do të jetë rezultati?
Parashikimet optimiste në këtë drejtim, edhe pse duken joshëse për naivët që i kanë njohuritë e kufizuara, janë larg realitetit më të zymtë, që në fakt pritet të shkaktojë një ndërmarrje e tillë.
/Hoxhë Dr. Justinian Topulli/
