23.9 C
Pristina
Wednesday, May 8, 2024

“Trafikimi i qenieve njerëzore vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues për Ballkanin”

Më të lexuarat

Forumi me temë “Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan” ka mbledhur së bashku në Tiranë zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile

Në Shqipëri është organizuar forumi ndërkombëtar me temë “Trendi aktual i trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkan”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë nga rajoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aktivitet ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Gjatë fjalës në hapje të forumit, president Meta theksoi se trafikimi i qenieve njerëzore vazhdon të mbetet një fenomen shqetësues për Ballkanin dhe Evropën, si dhe në nivel global.

Presidenti i Shqipërisë u shpreh se lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore duhet të bazohet në parandalimin e fenomenit, në mbrojtjen e viktimave, si dhe dënimin e autorëve të përfshirë në trafikimin njerëzor.

“Nga njëra anë duhet të rrisim bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet qeverisë dhe shoqërisë civile, ndërmjet autoriteteve, pushtetit vendor dhe atij qendror, si dhe bashkëpunimin rajonal dhe me autoritetet e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër duhet të jenë prioritet dhe t’i kushtojmë vëmendje më të madhe situatës ekonomike në vendet tona, luftës kundër varfërisë dhe pabarazisë, rritjes së nivelit të jetesës, përkujdesjes sociale, krijimit të mundësive për punësim, edukim dhe zhvillim të rinisë për një të ardhme të sigurt në vendet tona”, tha Meta.

Sipas presidentit Meta, forcimi i bashkëpunimit ndërkufitar dhe ndërkombëtar mbetet një tjetër element shumë i rëndësishëm në efikasitetin e luftës së përbashkët kundër trafikimit.

– “Fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave është parakushti kryesor për luftimin e trafikimit me qeniet njerëzore”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë fjalës në aktivitet tha se Kosova ka hartuar strategjinë e re kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe sipas saj pritet të aprovohet së shpejti.

“Trafikimi me qenie njerëzore përbën jo vetëm një krim të rëndë dhe shkelje serioze të dinjitetit dhe të të drejtave të njeriut. Në fakt trafikimi me qenie njerëzore është njollë e vazhdueshme e thelbësisht shqetësuese e shoqërive tona. Parametrat ekonomikë, siguria e brishtë, tendencat destabilizuese, paqëndrueshmëria sociale, si dhe sfidat në fushën e sundimit të ligjit kanë krijuar hapësirat të volitshme për zhvillimin e trafikimit me qenie njerëzore në gjithë rajonin tonë, por edhe në vende të tjera të botës”, tha Osmani

Presidentja e Kosovës shtoi se fuqizimi ekonomik i grave dhe vajzave është parakushti kryesor për luftimin e trafikimit me qeniet njerëzore.

Osmani tha se të përballur me një realitet të tillë, anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare si Interpoli bëhet një çështje e rëndësisë së veçantë.

Forumi i organizuar nën kujdesin e Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, kishte si fokus diskutimet mbi çështjet që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore në Ballkan dhe përcjelljen e mesazhe për të gjitha institucionet përgjegjëse mbi nismat efikase në luftën ndaj këtij fenomeni.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit