17.7 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

TIKA instalon dhomën e parë sensorike për fëmijë me nevoja të veçanta në Kosovë

Më të lexuarat

Në shkollën speciale “Qendra Burimore – Përparimi” në Prishtinë sot u bë përurimi i dhomës sensorike, i instaluar dhe i dhuruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), raporton Anadolu Agency (AA).

Me rastin e përurimit të kësaj dhome drejtoresha e shkollës speciale “Qendra Burimore – Përparimi”, Igballe Potera falënderoi Agjencinë Turke TIKA për realizimin e këtij projekti, i cili sipas saj do të mundësojë zhvillimin e kompetencave funksionale të nxënësve kësaj shkolle.

Ajo po ashtu vuri në dukje se me TIKA-n kanë një bashkëpunim të ngushtë, duke rikujtuar se para tre vitesh kjo agjenci kishte dhënë donacione për pajisjet e sallës së edukatës fizike dhe të palestrës sportive.

“Nga sot kjo shkollë është pasuruar me një hapësirë dhe mjete të cilat janë në shërbim të mësimdhënies dhe të mësimnxënies më cilësore për nxënësit tanë. Për këtë jemi shumë mirënjohës ndaj organizatës turke TIKA, e cila për herë të dytë mbështeti me donacione qendrën tonë”, tha drejtoresha Potera.

Ajo së fundmi theksoi se shpresojnë që bashkëpunimi me TIKA-n do të vazhdojë edhe në të ardhmen, me projekte tjera që do të avancojnë zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Ndërkaq, duke vënë në dukje se TIKA deri më tani ka realizuar rreth 600 projekte në Kosovë, shefi i zyrës së TIKA-së në Kosovë, Necip Özay Özütok, bëri të ditur se shumica e këtyre projekteve ishin në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe të trashëgimisë kulturore.

Ai vuri në dukje se viti 2017 do të jetë një vit me rëndësi për Kosovën, ku sipas tij, TIKA do të ndërmarrë projekte të rëndësishme në fushën e arsimit.

“Në bisedimet me drejtoreshën e shkollës vendosëm që të instalojmë dhomën sensorike, e cila është e praktikuar edhe në Turqi. Qëllimi i këtij projekti është zhvillimi i shqisave dhe i përqendrimit të nxënësve, pra për ta lehtësuar mësimnxënien e tyre dhe në këtë mënyrë për t’i përgaditur ata për një të ardhme sa më mire”, tha Özütok.

Kurse udhëheqësja e divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta nga Ministria e Arsimit në Kosovë, Lulavere Behluli, me rastin e hapjes së kësaj dhome falenderoi TIKA-n dhe popullin turk për mbështetjen e arsimit në Kosovë.

“Kjo dhomë do ta ndihmojë stafin dhe në veçanti nxënësit e kësaj shkolle për t’i arritur objektivat mësimore. Është një mundësi shumë e mirë për nxënësit”, tha Behluli.

Shkolla speciale “Qendra Burimore – Përparimi” përbëhet nga 122 nxënës të cilët janë në katër nivele, parashkollor, fillor, mesme e ulët dhe mesme e lartë, ku përveç mësimdhënies, në kuadër të kësaj shkolle zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme për nxënësit me nevoja të veçanta.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit