“Thuaje një fjalë me zemër, të zgjidhen problemet” – Hoxhë Hysni Berisha

Më të lexuarat

“Thuaje një fjalë me zemër, të zgjidhen problemet”

Në jetë ndodh që njeriu ndien se problemet e kanë ngulfatur, zemra i është rënduar dhe rrugët i janë mbyllur.

Në ato çaste, shpesh kërkojmë zgjidhje të mëdha, ndërsa harrojmë se zgjidhja fillon me një fjalë të vogël, por të thënë dhe të ndier me zemër.

I dërguari i Allahut, Nuhi alejhi selam, i thërriste njerëzit e tij në besim dhe në largim nga mëkatet me fjalë të sinqerta.

Prej fjalëve të tij, të cilat Allahu i Madhëruar i ka përmendur në Kur’an, si dëshmi se janë të vërteta dhe rrugë shpëtimi për njerëzit, janë:

فَقُلْتُ اسْتَغْفِرُوا رَبَّكُمْ إِنَّهُ كَانَ غَفَّارًا
يُرْسِلِ السَّمَاءَ عَلَيْكُم مِّدْرَارًا
وَيُمْدِدْكُم بِأَمْوَالٍ وَبَنِينَ
وَيَجْعَل لَّكُمْ جَنَّاتٍ وَيَجْعَل لَّكُمْ أَنْهَارًا

“Unë u thashë: Kërkoni falje prej Zotit tuaj (thoni: estagfirullah), sepse Ai është Falës i Madh.
Ai do t’ju dërgojë shi të bollshëm nga qielli.
Do t’ju shtojë pasuri dhe fëmijë.
Do t’ju japë kopshte dhe do t’ju bëjë lumenj.”

Këto janë disa nga mirësitë që Allahu i Madhëruar i ka përmendur në suren Nuh. E padyshim, mirësitë e Allahut janë më shumë se kaq. Ai hap dyert e bereqetit, largon vështirësitë dhe e qetëson zemrën e atij që kthehet tek Ai me sinqeritet.

Prandaj, thoni me gojë: ESTAGFIRULLAH, por mos e lini vetëm në buzë. Ndiejeni me zemër pendimin ndaj Allahut për mëkatet, gjynahet dhe lëshimet që keni bërë. Kërkoni falje me sinqeritet dhe me shpresë.

Një fjalë e thënë me zemër mund të hapë dyer që nuk i prisni. Një “estagfirullah” e sinqertë mund të zgjidhë shumë probleme, të sjellë qetësi në zemër dhe bereqet në jetë.

Allahu do t’ju kënaqë me të mirat e Tij dhe do t’ju mbulojë me mëshirën e Tij, nëse ktheheni tek Ai me zemër të përulur dhe me gjuhë që kërkon falje.

Hoxhë Hysni Berisha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit