15.3 C
Pristina
Saturday, May 11, 2024

“The Economist”: përse nuk është shpërbërë Bosnje-Hercegovina

Më të lexuarat

Nga Spanja në Ukrainë, dhe nga Skocia në Italinë e Veriut, çështje krahinore kërcënojnë të riformatojnë shtetet europiane. Pritshmëri të ngjashme janë këmbëngulëse edhe kur vjen puna tek Bosnja. Që prej mbarimit të luftës boshnjake në vitin 1995, politikanë të huaj, gazetarë dhe analistë kanë paralajmëruar për shpërbërjen dukshëm të afërt të shtetit. Vite pas përfundimit të detyrës si “Përfaqësues i Lartë” për Bosnjen midis viteve 2002 -2006, Paddy Ashdown foli për frikërat e tij se vendi po i drejtohej ndarjes. Por kjo nuk ka ndodhur. Madje edhe nëse e ardhmja e vendeve europiane është vënë në dyshim, Bosnja qëndron e paprekur. Përse nuk ka rënë ky shtet?

Lufta vuri përballë tre grupet kryesore etnike të Bosnjes: serbët, kroatët dhe boshnjakët muslimanë – kundër njëri-tjetrit. Vendi shpërtheu pas rrëzimit të Jugosllavisë, dhe Serbia e Kroacia u munduan ta përfshinin atë në planet e tyre, respektivisht për Serbinë e Madhe dhe Kroacinë e Madhe. Komunitetet tashmë jetojnë më të ndarë sesa përpara luftës, por në nivelin individual njerëzit ende merren vesh. Marrëveshja e paqes që sinjalizoi fundin e luftës u shoqërua me formula komplekse për qeverisjen e vendit.

Si rezultat, Presidenca ndahet midis një serbi, një kroati dhe një boshnjaku, të cilët e bëjnë me radhë kryesimin çdo tetë muaj. Bosnja moderne përbëhet nga dy entitete me bazë etnike, që kanë të dyja qeveritë dhe presidentët e tyre, plus Brcko, një qytet autonom. Një entitet është Republika Serbe e dominuar nga serbët dhe tjetri është Federata, dominuar nga boshnjakët dhe kroatët. Federata konsiston në dhjetë kantone, që secili ka kryeministrin e vet. E gjitha kjo është qesharake, vërejnë kritikët.

Por, komplikacione të tilla nuk janë unike vetëm për Bosnjen. Mbretëria e Bashkuar në fund të fundit, ka katër entitete, tre parlamente rajonale dhe një kryetar shteti që duhet të jetë anëtar i Kishës së Anglisë. Pushteti në Bosnje ushtrohet nga entitetet dhe nga kantonet, jo nga qeveria kombëtare – diçka e ngjashme ndodh në Zvicër. Fokusimi tek performanca më shumë sesa tek detyra që mbart posti, vihen në dukje te fuqitë e vendit. Bosnja mund të ketë pesë presidentë dhe kryeministra pa fund, por në zgjedhjen e tyre marrin pjesë një numër konstant partish dhe koalicionesh që kërkojnë pushtetin.

Edhe pse qeverisja në Bosnje mund të jetë jo-funksionale, frika e një rikthimi tek dhuna ka efekt paqësues. Presidenti i Republikës Serbe ka vite që kërcënon të mbajë një referendum për pavarësinë që do të ishte përpjekje e paligjshme. Por shqetësimi, ndoshta nga një shpërthim potencial trazirash dhe mungesa e mbështetjes nga jashtë, e ka zmbrapsur atë.

Boshnjakët kanë menaxhuar gjithmonë që t’i lënë mënjanë ndryshimet mes tyre për të formuar qeveri në të gjitha nivelet, ndërkohë që nuk është formuar asnjë qeveri në Irlandën e Veriut që prej janarit. Boshnjakët priren të jenë shumë më fleksibël sesa mendojnë ata që jetojnë jashtë këtij vendi. (Qeveria e Republikës Serbe ka disa boshnjakë dhe kroatë në përbërje, që punojnë me partinë nacionaliste të presidentit, e përkushtuar për referendumin).

Sistemi vendos theksin tek konsensusi. Formalisht ose jo-formalisht, qeveritë në Bosnje kanë nevojë për partner, të cilët shpesh vijnë nga grupe të ndryshme etnike. Por Bosnja është përpjekur shumë të hedhë pas një reputacion të vjetër. Gerald Knaus, kreu i Paktit Europian për Stabilitetin, një qendër me bazë në Berlin e refuzon “klishenë se Bosnja është unike në jo-funksionalitetin e vet dhe se boshnjakët janë të fiksuar në mënyrë jo-racionale me etninë në një mënyrë që nuk gjendet në asnjë vend tjetër në Europë”. Ai fajëson këto klishe, pjesërisht, për fatkeqësitë e vendit: BE (ku Bosnja ka aplikuar për vend kandidat) dhe ata që nuk e njohin si duhet, vendosin kushte për vendin që, kur ai të mos i plotësojë, kjo shërben si provë se Bosnja është unike në jo-funksionalitetin e vet”. Në të kaluarën, për shembull, BE ka kërkuar reformë kushtetuese. Por boshnjakët dëshmuan se ishin të paaftë ta bënin një gjë të tillë dhe përfunduan duke e tërhequr vendin edhe më pas fqinjëve të tyre. “Eshtë, thotë Knaus, një rreth vicioz”./tesheshi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit