11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Të njohësh realitetin e njerëzve apo të njohësh prapaskenat

Më të lexuarat

Para se të mbaroja shkollën dhe të kthehesha në atdhe, gjithmonë më jehonte në mendje përgjigja që më përplasej shpesh në fytyrë, sa herë që shkoja me pushime, se nuk njihja realitetin e vendit! Ndonëse më dukej e habitshme se çfarë realiteti më duhej të njihja, kur në atë realitet kisha jetuar për vite me radhë. Por sot, i jap tjetër kuptim asaj mosnjohje për të cilën jemi kritikuar, unë dhe shumë prej kolegëve të mi. Mosnjohja për mua sot, nuk qëndron në mos dëgjimin e lajmeve apo mos njohjen e gjendjes së mirë apo të keqe që ne kalojmë çdo ditë, por në vështirësinë që kemi për t’iu përshtatur këtij realiteti, shumë të ndryshëm nga ai që lamë kur studionim në bankat e shkollave. Me përshtatje këtu nuk nënkuptoj atë që unë do ta quaja keqpërdorim të këtij koncepti dhe që në fakt është më shumë një shkrirje apo një asimilim i jashtëm, si “përshtatje” ndaj realitetit ku jetojmë. Një asimilim i jashtëm i cili fetarisht, por edhe sociologjikisht të çon në të ardhmen pashmangshmërisht në një asimilim të brendshëm, një temë tjetër kjo që ia vlen të trajtohet më vete.

Përshtatja për të cilën po flas, është ajo përshtatje që vjen si përgjigje e studiuar fetare, e mirë bazuar në argumente, e vendosur mbi një metodologji të qartë, që nga njëra anë ruan identitetin tonë islam dhe në anën tjetër i përgjigjet në mënyrën më të mirë realitetit që jetojmë. Dhe jo një përshtatje që i lihet spontanitetit dhe që si e tillë gjithmonë rezulton me shumë zigzage dhe problematike. Teorikisht besoj, se të gjithë jemi dakord, me këto që thashë, por praktikisht zgjidhjet që japim, më së shumti janë spontane dhe të pastudiuara, si fetarisht ashtu edhe në fushat përkatëse të problematikave me të cilat hasim. Më së shumti më rezulton, se përshtatjet dhe përgjigjet ndaj realitetit ne i kemi subjektive, ku edhe feja dhe argumentet e saj lakohen sipas këtij subjektivizmi, i cili që në fillim e di se ku do të arrijë dhe kërkon me çdo kusht ta mbrojë idenë fundore të tij. Dhe kjo është e papranueshme, sidomos kur zgjidhja importohet tërësisht nga jashtë Islamit, si në frymë ashtu edhe në përmbajtje dhe pastaj me “arsyetime teologjike” bëhet çmos t’i vishet një rrobë islame. Përshtatja me realitetin, pas njohjes së tij, duhet të burojë nga fryma e përgjithshme e Islamit dhe më pas edhe nga argumentet e detajuara të tij. Ne jemi musliman dhe burimi i dijes, i jetës dhe i suksesit tonë i ka rrënjët te Libri i Allahut dhe udhërrëfimi i Profetit, i përkthyer ky përshtatshmërisht në realitetin ku jetojmë. Dhe e gjitha kjo është një produkt njerëzor, është fryt i ixhtihadeve apo përpjekjeve intelektuale njerëzore, e që për momentin ne nuk i kemi. Ndaj e përsëris këtu, ashtu siç e kam theksuar edhe herë tjetër, nevojën e domosdoshme të ixhtihadeve kolegjiale, e që në botën islame sot janë zgjidhur në formën e akademive apo qendrave studimore islame.

Nëse i kthehemi historisë islame do të gjejmë në të, të dyja format e ixhtihadit, atë kolektive ku mendimet rrihen dhe ballafaqohen me shura (konsultim), por edhe kur këto ixhtihade janë produkte ekskluzive individuale apo të mbështetura në ixhtihadet e të tjerëve. Ç’është e vërteta forma individuale ka mbizotëruar, si në përhapje territoriale ashtu edhe në atë kohore, karshi asaj kolegjiale, e cila më së shumti ka qenë e zhvilluar në fillimet e Islamit. Pa i hyrë një analize të detajuar pse ka ndodhur ky ndryshim, do të kapja vetëm një aspekt, pse ixhtihadi në fillimet e tij ka pasur nevojë për një mendim më konsensual sesa më vonë. Muslimanëve në fillimet e tyre iu desh që në një kohë shumë të shkurtër të përballeshin me njerëz, vende dhe situata shumë të ndryshme, të cilat kërkonin zgjidhje të shpejtë dhe për këtë arsye një njeri i vetëm, sado gjenial që të jetë, është e pamundur që në një kohë të shkurtër tu jap zgjidhje islame një sërë problematikash madhore dhe tepër të ndërthurura, në ndryshim me situatat e më vonshme ku të pakta ishin problemet e reja dhe ku një dijetar i vetëm kishte kohë ta studionte problemin nga të gjitha anët dhe të jepte mendimin e tij për të. Shembulli më tipik i këtij ixhitiadi kolektiv ishte shura që zbatonin Kalifët e parë të Islamit, shokët e Profetit (alejhi salatu ue selam). Shikoni për shembull Ebu Bekrin dhe Umerin, ata nuk i lejonin sahabët më të ditur dhe më të mençur që të largoheshin nga Medina, vetëm e vetëm për t’i pasur pranë dhe për tu konsultuar me ta.

Për të mos u zgjatur, situata jonë e sotme është pak a shumë e ngjashme për nga larmia dhe shumëllojshmëria si dhe intensiteti i sfidave me të cilat ne përballemi çdo ditë. Ky nuk është vetëm një problem i muslimanëve që jetojnë larg botës islame, por edhe i vetë kësaj botë, e cila siç e përmenda, kësaj nevoje i është përgjigjur me akademitë dhe qendrat studimore islame që ajo ka ngritur. Ndaj prej këtu mund të kuptohet sesa e pavend dhe sa e dëmshme më duket tek ka akoma hoxhallarë që edhe për probleme madhore, të cilat përfshijnë mbarë shoqërinë islame ku jetojnë, ngelen peng të ixhihadeve individuale, apo edhe të ixhihadeve që u përkasin kohëve apo vendeve të largëta. Kjo është edhe një nga ngurtësimet e fik’hut nga e cila bëhet thirrje për të dalë, por që praktikisht në të kundërt me çka thuhet, shpesh herë nuk zbatohet edhe nga vetë kritikët e fanatizmit medhhebor!

Të njohësh zakonet, traditën, mendësinë, prirjet e përgjithshme që ka një shoqëri dhe më pas në bazë të një metodologjie të qartë dhe të saktë islame të ndërtosh ngrehinën e islamit lokal, që ruan vlerat e patjetërsueshme të Islamit burimor dhe rigjallëron identitetin tonë si muslimanë, si krijesa të bindura ndaj Zotit dhe që kërkojnë mbi gjithçka kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij, kjo është njohja e realitetit që na nevojitet dhe që na mungon.

 

Por, kur u ktheva në Shqipëri, u përballa edhe me një realitetit tjetër që ndryshe nga sa e kisha imagjinuar kishte përmasa më të mëdha. Një realitet të cilin edhe sot vazhdoj të mos e njoh, realiteti i prapaskenave. Është e natyrshme për vendin dhe kohën kur jetojmë që shumë iniciativa pozitive të bëhen nën heshtje, por për mua është tejet e papranueshme që projekte madhore që kanë të bëjnë me të ardhmen dhe ecurinë e Islamit në vendin tonë, të bëhen brenda grupimeve të vogla klanore dhe nën hijen e solidaritetit krahinor apo klanor. Është e qartë që shumë e duan dhe punojnë për Islamin, madje disa këtë gjë e bëjnë fshehtas edhe të motivuar nga sinqeriteti, për të mos u bërë objekt lavdërimi nga të tjerët, por është tejet e papranueshme që projekte madhore që prekin mbarë muslimanët të bëhen nga një grusht njerëzish! Vetëm nëse këta njerëz mendojnë se ata janë Islami në këtë vend, apo se vetëm ata kanë të drejtë dhe janë njerëzit që historia u ka ngarkuar fatin e shpëtimit të kësaj feje në mesin tonë! Mendësia që: “ne dhe idetë tona janë më të mirat dhe ne do të triumfojmë”, janë mendësi klanore me ëndrra të mëdha, por sado të mëdha të jenë ëndrrat e këtyre njerëzve ato nuk realizohen me vogëlsinë e klanit të tyre, por edhe të askujt. Islami është shumë më i madh sesa zgjidhjet që mund të japin një grusht i vogël njerëzish, që përjashtojnë nga plan-hartimi i tyre të tjerët.

Pushtimi i një institucioni dhe klanizimi i tij, janë projekte meskine, të cilat edhe nëse realizohen me “sukses”, janë një tregues i dështimeve që sjell mendësia klanore. A e kanë menduar këto klane se çfarë do t’i japin umetit pasi të finalizojnë përpjekjet e tyre? Përgjigja: një tjetër klan, i cili do të bëjë po të njëjtën gjë që bën edhe të parët! Dhe ndërkohë umeti vazhdon në indiferencën e tij, grupimet dhe individët vazhdojnë të rrjedhin në hullitë e tyre, sepse ata nuk ishin pjesë e zgjidhjes së klanit, ata ishin dhe janë për klanin molla që duhet ngrënë apo ushtria që duhet të bindet dhe asnjëherë toka e gjerë mbi të cilën duhet të ngrihet shtëpia e të gjithëve për të gjithë. E pra pikërisht këtë realitet që pëshpërit kafeneve apo diku tjetër e që lidh aleanca të çuditshme dhe jo natyrore, unë si dhe shumë të tjerë nuk e njohim. E pse duhet ta njohim? Vallë fatet e Islamit varen nga të tilla gjëra që luhen nën rrogoz? Kështu mendojnë disa! Ndaj që kur mbështet dikë apo diçka që parimisht është e drejtë, për ata që njohin këtë lloj realiteti të dytë, nuk je njohës i realitetit, sepse ky është realiteti i cili për ta ka rëndësi, ky është realiteti i vërtetë që sjell ndryshime, ky është realiteti i padukshëm që po nuk njohe atë nuk je në gjendje të veprosh drejtë!

Këta njerëz nuk janë në gjendje ta kuptojnë se ndryshimi, për mirë apo për keq duket që në sytë e njerëzve, duket në ditën për diell dhe jo nga informacionet sekrete nga x apo y, por problemi është sesa je i aftë ta lexosh këtë informacion para atij tjetrit.

Këtu mu kujtuan fjalët e Ramiz Alisë, kur u thoshte studentëve të dhjetorit: ju nuk i dini disa gjëra! Dhe vërtetë që ata nuk dinin shumë gjëra nga ato që dinte Ramiz Alia, që ishte kreu i shtetit të asaj kohe, por a kishin rëndësi ato dhjetëra apo qindra hollësira që dinte Ramiz Alia për studentët të cilët e nuhatnin ngado erën e ndryshimit?! E pikërisht ky njeri “që dinte ato gjëra që ata nuk e dinin” koha e tregoi se nuk u tregua i aftë t’i përgjigjej sfidave të kohës në momentin e duhur, se kërkesat e “tepruara” të studentëve ishin shumë më realiste sesa stepja dhe ngadalësia e këtij njeriu që njihte realitetin e prapaskenave. Kjo është një vërtetë që përsëritet, ashtu si edhe historia!

Nëse do të lexonim Kur’anin në të gjitha ato ajetet ku Allahu flet për intrigat dhe dredhitë, do të vëmë re se në të gjitha rastet Allahu e ka marrë Vetë përsipër t’iu përgjigjet dhe në asnjë rast këtë nuk ia ka lënë në dorë muslimanëve. Madje shpesh Allahu flet për këto intriga në mënyrë të përgjithshme dhe jo me hollësi për t’ia zbuluar muslimanëve që të ruhen, kjo sepse Kur’ani nuk është libër vetëm për muslimanët e atëhershëm, kjo sepse Allahu ndaj këtyre intrigave sillet gjithmonë njëlloj, kjo sepse muslimanët nuk kanë për të pasur gjithmonë në mesin e tyre Profet për t’iu treguar njerëzve planet dhe kurthet e armiqve me hollësi, kjo që ata të mos preokupohen në njohjen e të tilla hollësive konspirative në vend të asaj që është më e rëndësishme…, Ai tha: “..por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata.”[1]

Që konspiracionet të vetme, mund të ndryshojnë botën dhe bëjnë përmbysje të mëdha, vetëm njerëz që nuk njohin historinë dhe ligjet e Zotit me shoqëritë njerëzore u besojnë të tilla përrallave, ku klanet e vogla në një kohë të shkurtër bëjnë revolucione të mëdha!

 

 J.Topulli


[1] Al-imran:120.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit