17.7 C
Pristina
Thursday, May 9, 2024

Tarik ibn Zijadi dhe Andaluzia

Më të lexuarat

Në fund të prillit 711 do të niste hyrja e trupave të gjeneralit me origjinë berbere Tarik ibn Zijadit në Spanjë apo në atë që u emërtua nga Arabët Andaluzi. Musa ibn Nusejri e cakton Tarikun vali të Tangjerit në Marokun e sotëm pasi e pushtoi më 710-711, sipas historianit Ibn Abdel-Hakim, por një avanpost vizigot në Ceuta aty pranë mbeti akoma i papushtuar, një kështjellë e komanduar nga një fisnik me emrin kont Juliani i Ceutës.

Pasi mbreti Roderik vjen në fuqi në Spanjë Juliani e dërgon vajzën e vet Florindën sipas zakonit në oborrin mbretëror vizigot për ta edukuar. Thuhet se Roderiku e përdhunoi atë dhe Juliani u zemërua aq shumë, saqë i ftoi muslimanët për ta shkatërruar mbretërinë vizigote. Kështu ai hyri në marrëveshje me Tarik Ibn Zijadin, ndërkaq Musai ishte kthyer në Kajrauan (Tunizi) për t’i kaluar muslimanët fshehtas në anën tjetër të ngushticës së Gjibraltarit, për shkak se ai kishte shumë anije tregtare dhe kishte disa kështjella në prapatokën spanjolle.

Rreth 26 prillit 711 ushtria e Tarikut e përbërë nga trupa të konvertuara së fundmi në Islam zbriti në Gadishullin Iberik me ndihmën e Julianit dhe ata zbarkuan rrëzë një mali, i cili më pas do të njihej me emrin e tij Xhebel el-Tarik apo siç e njohim edhe ne sot në formën e latinizuar Gjibraltar.

Ushtria e Tarikut kishte rreth 7,000 kalorës dhe Musai thuhet se i ka nisur më pas një shtesë prej 5,000 kalorësish pasi kishte nisur pushtimi i Spanjës. Roderiku për t’i dalë përpara kërcënimit të Berberëve thuhet se mblodhi një ushtri të madhe në numër prej 100,000 frymësh. Pjesa më e madhe e ushtrisë drejtohej nga komandantë që kishin qenë besnikë të ish-mbretit Vitiza, të cilin e kishte shfronësuar me dhunë Roderiku. Tariku fitoi një betejë vendimtare për të, kur e shkatërroi dhe e vrau Roderikun më 19 korrik 711 në Betejën e Guadaletës.

Tariku e ndau ushtrinë e tij në katër pjesë, ku njëra vazhdoi me marrjen e Kordovës, Granadës e vendeve të tjera nën komandën e Mughith el-Rumit, ndërsa ai vetë vazhdoi të jetë në krye të divizionit që pushtoi Toledon. Më pas ai vazhdoi të përparojë drejt veriut duke mbërritur Guadalaharan dhe Astorgan. Tariku ishte valiu de fakto i Hispanias apo Andaluzisë deri me mbërritjen një vit më pas të Musa ibn Nusejrit. Që të dy Tariku dhe Musai u urdhëruan të kthehen në Damask nga kalifi umajad Velidi II më 714, ku ata jetuan deri në fund të jetës. Përpjekjet për në veri vazhduan nga komandantë të tjerë umajadë, por që u ndaluan në Betejën e Puatjesë apo Turit më 732 dhe prej asaj kohe Andaluzia do të përjetonte ngritjen e saj ekonomike, politike e kulturore, e cila do të ndikonte më pas të gjithë Evropën e Krishterë.

Përgatiti Roald A. HYSA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit