9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Takim urgjent sot në Bruksel ndërmjet kryenegociatorëve, deklaratat e Kurtit në Prishtinë dhe kritikat për njëanshmërinë e Borrellit dhe Lajçakut  

Më të lexuarat

Të mërkurën në Bruksel pritet të jenë kryenegociatorët, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq nga Serbia në përpjekje për të gjetur në zgjidhje për targat.

Kosova të martën shtyu zbatimin e vendimit për gjobat për targat ilegale për 48 orë, sipas kërkesës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Diskutimet e gjata të hënën në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian nuk sollën një ujdi se si të procedohet tutje me çështjen e targave ilegale serbe.

Kosova nuk pranoi propozimin e BE-së që të mos shqiptojë gjoba për targat ilegale dhe Serbia të mos prodhojë tabela të reja KM,PR.. ndërsa pala tjetër nuk pranoi propozimin e Kosovës që të pezullojë fazat e mëtejme që kanë të bëjë me targat, në këmbim që Serbia më të mos lëshojë targa ilegale me akronime të qyteteve të Kosovës, e po ashtu BE-ja të fillojë procesin e bisedimeve për propozimin e fundit të mbështetur nga Gjermania dhe Franca.

E të martën, kryeministri Albin Kurti u deklarua në Prishtinë lidhur me takimin në Bruksel.

Ai tha se pas përfundimit të takimit tetë orësh në Bruksel, nuk ka pasur më asnjë komunikim me përfaqësuesin e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Në një deklarim për media, Kurti insistoi se ky i Borrell ka braktisur Propozimin franko-gjerman për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

I pyetur se a janë duke u përfshirë në mënyrë direkte Shtetet e Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut për të gjetur një zgjidhje, kreu i ekzekutivit u shpreh se po bëjnë përpjekje maksimale dhe se janë në kontakt me Brukselin, transmeton Telegrafi.

“SHBA-ja dhe sidomos ambasadori Hovenier janë shumë të përkushtuar dhe të angazhuar në dialog. Roli i ambasadorit është gjithmonë konstruktiv, pozitiv, kreativ. Ai po bën përpjekjet maksimale, pra SHBA dhe sidomos ambasadori janë në kontakt me Brukselin”.

“Prej kur përfundoi takimi në Bruksel unë nuk kam komunikuar më me Borrellin, i cili e braktisi Propozimin franko-gjerman dhe të BE-së, duke thënë së duhet të kemi një dakordim për targat”, deklaroi Kurti para gazetarëve.

E pas vendimit të Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit për targat ilegale ka reaguar Bashkimi Evropian.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se do ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të vazhduar dialogun me të dyja palët.

“Ne do ta shfrytëzojmë këtë periudhë për të vazhduar bisedimet me të dyja palët me synimin për të gjetur një zgjidhje. Nëse anëtarësimi në BE është objektivi përfundimtar i Kosovës dhe Serbisë, për të cilin janë zotuar të dyja, ne presim që edhe ata të veprojnë në përputhje me rrethanat”, ka thënë Stano.

Ndryshe, është qasja e përfaqësuesit të Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe ndërmjetësit Miroslav Lajçak karshi Kosovës. Ata janë kritikuar për njëanshmëri.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, në një intervistë për Telegrafin tha se edhe Borrelli edhe Lajçaku vijnë nga shtete të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe kjo sipas tij, ka reflektuar në procesin e dialogut.

Ai theksoi se Qeveria e Kosovës ka gabuar kur ka besuar se BE-ja dhe përfaqësuesit e saj mund të jenë plotësisht të paanshëm.

Njëjtë mendon edhe Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), i cili tha se nuk është hera e parë që Borrell dhe Lajçak e kanë ndikuar procesin e dialogut duke e vendosur palën kosovare si fajtore në dialog.

E qasjen e BE-së e ka kritikuar edhe deputeti gjerman nga radhët e CDU-së, Knut Abraham. Ai ka kritikuar ashpër mënyrën se si po trajtohet çështja e targave ilegale serbe nga Bashkimi Evropian.

Abraham ka thënë se është shumë i shqetësuar dhe i frustruar me atë se çfarë po ndodh në Kosovë.

“Kosova ka plotësisht të drejtë të vendos për ligjet brenda territorit të saj dhe kjo vlen për çështjen e targave. Problemi nuk është te targat, por tek Bashkimi Evropian që nuk ka një ide te qartë për të ardhmen evropiane të Kosovës. Pra kur mungon një strategji konkrete se çfarë të bëhet me Kosovën, atëherë lindin probleme të tilla si çështja e targave”, tha Abraham për tëvë1.

Ndryshe, lidhur me çështjen e targave, Kurti të martën ka zhvilluar edhe një takim me ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës, Jorn Rohde dhe Olivier Guerot. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit