1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Sprova në njohjen e së vërtetës

Më të lexuarat

Imam Ebu Daudi përcjell në Sunenin e tij (nr. 4611) nga Jezid ibn Amire, një nga shokët e Muadh ibn Xhebelit (radijAllahu anhu), se ka thënë:
“Sa herë që ai (Muadhi) ulej në një mexhlis ku përkujtohej Allahu thoshte: “Allahu është Gjykatës i Drejtë; janë shkatërruar dyshuesit.” Një ditë Muadhi tha:
“Pas jush do vijnë sprova (fitne) ku do të shtohen në to pasuria, do të hapet Kurani (lexohet) aq sa ta marrë besimtari dhe hipokriti, burri dhe gruaja, i vogli dhe i madhi, skllavi dhe i liri. Dhe dikush do mund të thotë (në veten e tij): “Përse njerëzit nuk më ndjekin mua, ndërkohë që unë e kam lexuar Kuranin? Njerëzit nuk do më ndjekin derisa të stis për ta diçka tjetër.” Ruhuni nga ajo që ai ka stisur, sepse ajo që ka stisur është humbje! Ju paralajmëroj të ruheni edhe nga shkarja e të urtit (diturit), sepse shejtani qëllon që të thotë një lajthitje (dalaleh) me gjuhën e të urtit, ashtu siç hipokriti qëllon të thotë të vërtetën.”
– (Jezid ibn Amire thotë) i thashë Muadhit: E si ta di -Allahu të mëshiroftë- se i urti qëllon të thotë një lajthitje dhe hipokriti qëllon të thotë të vërtetën?
– Ai tha: “Po si jo. Shmang nga fjalët e të urtit ato që bëhen të famshme, për të cilat thuhet: “Çfarë është kjo?!” Por kjo nuk duhet të të largojë prej tij, sepse ai ndoshta do të reflektojë. Merre të vërtetën kur e dëgjon atë, sepse e vërteta ka dritë në të.”
*****

Koment

Muadh ibn Xhebeli ishte një sahabët e njohur dhe të ditur të Profetit (alejhi salatu ue selam), ai në këtë këshillë na tregon se në kohët që do vijnë më pas, mes sprovave të shumta që do t’iu vijnë besimtarëve janë edhe disa sprova që shoqërojnë njëra-tjetrën, që është shtimi i pasurisë dhe bashkë me të dhe arsimimi masiv, i cili do t’i mundësojë çdokujt, i mirë dhe i keq, i ditur dhe i paditur, i pjekur dhe i papjekur, të ketë mundësi të lexojë, komentojë dhe predikojë Kuranin. Në këtë epokë padije të komplikuar, për të cilën kemi folur në një shkrim të mëparshëm, do të ketë edhe njerëz që do të duan të jenë të famshëm, tërheqës dhe të kenë ndjekës të shumtë. Kështu që ata do të mendojnë dhe veprojnë se vetëm duke u folur njerëzve atë që ka në Kuran, pra atë që përgjithësisht lexohet nga çdokush, nuk mjafton që ata të fitojnë famë dhe ndjekës të shumtë, por ndoshta ka nevojë të sajojnë dhe shpikin gjëra të reja, qofshin këto interpretime apo ide të cilat janë jashtë Kuranit dhe Sunetit të Profetit, sepse vetëm kështu duke treguar diçka të re, të paditur më parë, madje edhe interesante dhe tërheqëse njerëzit mund t’i ndjekin. Sigurisht kjo që thotë Muadhi bazohet në kuptimin e psikologjisë njerëzore, e cila tërhiqet më shumë nga e çuditshmja, interesantja dhe e reja që nuk është dëgjuar më parë, pa marrë shpesh parasysh nëse kjo është e saktë dhe e vërtetë ose jo.

Muadhi si njeri i ditur që ishte, nuk ndalet vetëm tek paralajmërimi nga rreziku i këtyre njerëzve dhe bidateve të tyre, por tërheq vërejtjen edhe për diçka tjetër, tepër e rëndësishme për tu ruajtur nga shkarja në gabime dhe devijime, që është ndjekja e dijetarit në një mendim apo qëndrim të gabuar, edhe pse kjo nuk është tradita e tij, por çdo njeri mund të shkas, mes tyre edhe dijetari ndonjëherë. Ndërkohë e gabuara duhet refuzuar nga cilido qoftë, por dijetari nuk duhet hedhur poshtë për shkak të këtij gabimi, sepse ai mund të reflektojë në të në të ardhmen, por ndërkohë shumica e atyre që ai kumton janë të sakta dhe të vërteta. Por në të njëjtën linjë logjike Muadhi (radijallahu anhu) na tërheq vëmendjen se edhe një hipokrit dhe njeri i humbur mund të thotë ndonjëherë të vërtetën, por ndërkohë kjo nuk e bën këtë njeri objekt reference dhe ndjekje edhe pse thotë të saktën ndonjëherë.

Me të drejtë Muadhi pyetet, se si mund të dallohet rasti kur i ditur thotë diçka të pasaktë dhe hipokriti thotë diçka të vërtetë? Këtu Muadhi përgjigjet, duke e përmbledhur në mënyrë elokuente, peshoren me të cilën dallohet e vërteta nga e pavërteta, pavarësisht atij që e ka thënë atë. Ai thotë se e pavërteta dallohet nga habia dhe çudia që ajo shkakton, dhe ka lidhje pikërisht me atë që ai tha më sipër, me gjërat e stisura që nuk gjenden në Kuran dhe as përcillen nga Profeti, sepse vetëm për të tilla gjëra njerëzit do të habiten dhe thonë: “Nga na doli kjo?! Se kemi dëgjuar këtë as në Kuran dhe as në Sunet, e as nga Sahabët dhe as nga selefët!” E vërteta ka dritë në të, thotë Muadhi, pra ajo është e dukshme, e njohur, e thënë nga Allahu dhe Profeti i Tij dhe e përcjellë nga sahabët dhe dijetarët pas tyre. Kështu që e vërteta nuk mund të jetë e fshehtë dhe e panjohur, diçka që zbulohet krejt papritur, si të ishte një zbulim shkencor, që nuk njihej më parë, dhe që ndryshon çdo gjë që dihej dhe besohej më parë. Jo feja nuk ka të tilla gjëra.

Ixhtihadi dhe interpretimi i fesë në kohë të ndryshme nga dijetarët, nuk është për të sjellë gjëra të reja të panjohur më parë, por për të shpjeguar dhe interpretuar të vërtetën dhe të saktën e vjetër, në situata të reja, duke mos ndryshuar asgjë nga thelbi i kësaj të vërtete. Kush nuk e kupton këtë, nuk e ka kuptuar fenë si duhet dhe do të keqkuptoj dhe ketë probleme edhe me një sërë argumentesh që ndalojnë bidatin në fe. E vërteta e fesë është një, thelbi i saj nuk ndryshon me kalimin e kohës dhe ndryshimin e situatave, por ato vetëm i shtojnë asaj dimensionet e kuptimit praktik në jetën njerëzore, sepse jeta njerëzore në thelb nuk ndryshon dhe të vërtetat që njeriu ka nevojë në të për të jetuar në përputhje me udhëzimin e Krijuesit nuk ka nevojë për të vërteta të reja. Tekstet e Kuranit dhe Sunetit, nuk kanë ardhur në thelb për të hulumtuar dhe zbuluar në to gajbin (të fshehtën) që nuk është thënë drejtpërdrejtë, apo për të gjetur në to kuptime të reja të fesë që bien ndesh me thelbin e kuptimeve të trashëguara brez pas brezi që nga koha e Profetit (alejhi salatu ue selam). Këto tekste janë manual udhëzimi për jetën në thelb, në çdo situatë dhe kohë dhe jo “lëndë e parë për shpikje apo zbulime të reja shkencore”. Ato janë për të njohur dhe kuptuar doktrinën, për të nxjerrë dispozita ligjore praktike dhe për të praktikuar moralin e lartë. Kjo është feja në thelb, ndërsa zbulimet shkencore historike, arkeologjike, politike, mjekësore, biologjike, astronomike etj. që mund të bëhen nga këto tekste, duhet të jenë tepër të kujdesshme dhe duhet të shihen me rezerva dhe refuzim madje, sidomos nëse “zbulojnë” apo “nxjerrin në pah” çudira që nuk janë dëgjuar dhe thënë kurrë më parë.

Tekstet e Kuranit dhe Hadithit nuk kanë ardhur për këtë punë, ndaj nuk mund t’iu mbartim atyre gjëra që nuk i kanë, duke iu bërë interpretime të sforcuara dhe të shkëputura nga konteksti. Dhe në veçanti duhet pasur shumë kujdes me parashikimin konkret të së ardhmes, dhe zbritjes konkrete në kohë, njerëz dhe vende të caktuara, të teksteve që tregojnë për gjëra që do të ndodhin në të ardhmen, sepse nuk është kjo metodologjia që kanë ndjekur sahabët dhe të parët e këtij umeti, ndjekës të Ehli Suneh uel Xhemah. Dija e fesë ka metodologjinë e saj, dhe është pikërisht ndjekja e saj ajo që e dallon një njeri të ditur në rrugë të drejtë nga një sharlatan i devijuar. Ndjekja e kësaj metodologjie është ajo që ndan edhe mes të qenit pjesë e shumicës së umetit, pra të ehli suneh uel xhemah (shkurt sunij) dhe të qenit bitaçi, i devijuar, i humbur dhe ndjekës i tekave njerëzore. Ai që ndjek metodën (menhexh) e ehli sunetit, është pjesë e tyre edhe nëse gabon në ndonjë rast, ndërsa ai që i largohet kësaj metode është i humbur edhe nëse ia qëllon të vërtetës në ndonjë rast.

Hoxhë Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit