7.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Solidariteti okult gylenist – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Një fjalë e urtë thotë: tjetrin edhe inat po ta kesh hakun mos ja ha, dhe kjo në thelb është një parim drejtësie që e ka burimin tek feja dhe e drejta. Gylenistët janë në hakun e tyre për të mbrojtur kolegjin, nëse ai është mbyllur me pa të drejtë dhe në shkelje ligjore. Po ashtu është për t’iu hequr kapelën për organizimin dhe mobilizimin që kanë, edhe pse ndërkohë në shumicën e rasteve nisur nga metodologjia e tyre e punës nuk e ekspozojnë veten të dalin haptazi, por sillen sikur kulti i tyre të mos ekzistojë fare.

Nga një vështrim i shpejtë në FB konstaton lehtësisht se disa nga kokat e gylenistëve shqiptarë kanë reaguar, madje disa prej tyre disa herë, kundra mbylljes së kolegjit të grupimit të tyre. Ndërkohë asnjëri prej këtyre kokave nuk e ka mbështetur për shembull nismën “S’KA MA TURP”, e nisur nga Fabian Zhilla për një televizion më të moralshëm dhe ndalimin e poshtërsive që përçohen prej disave prej tyre. Ky peticion (Petition · S’KA MA TURP · Change.org) për shembull edhe pse është tepër i rëndësishëm, sepse bëhet në emër të vlerave morale, me gjithë mbështetjen në parim që ka nga shumë njerëz, po bën një muaj e gjysmë dhe akoma nuk ka arritur, deri në momentin që po flasim, numrin e dhjetë mijë nënshkruesve, ndërkohë numri i atyre që kanë nënshkruar peticionin në mbështetje të kolegjit të mbyllur gylenist në më pak se dy ditë i ka kaluar dhjetë mijë vetë!

Si është e mundur që këta krerët e gylenistëve të KMSH dhe jashtë saj nuk solidarizohen me një kauzë të tillë morale, ndërkohë që kanë themeluar një universitet i cili për slogan të tij ka moton “Në emër të vlerave”?!

Ka shumë kauza morale që këta nuk i sheh kurrë të hapin gojën apo përfshihen në to, madje disa prej tyre edhe kur godasin dhe kritikojnë politikën këtë e bëjnë në mënyrë selektive, duke goditur “moralisht” vetëm ata që i kanë kundra, ndërsa për të tjerët heshtje varri!

Dhe pse e gjitha kjo? Kjo sepse ata solidaritetin mes tyre jo vetëm e kanë më të madh, por e kanë solidaritetin e vetëm që ka vlerë për ta. Edhe pse e mbajnë veten për muslimanë të mirë (Gyleni i quan brezi i artë!) dhe madje besojnë se ata janë e ardhmja që do t’i rikthejë Islamit dinjitetin e humbur në rang global, nuk i sheh kurrë të bëhen bashkë me të tjerët për një kauzë të përbashkët parimore, fetare dhe morale, nëse për ta nuk ka interes të ngushtë të grupimit të tyre. Gylenistët janë kaq shumë sektarë dhe okult saqë kush fillon t’i njoh mirë e kupton se këta për “fe” dhe “kauzë” kanë gati vetëm kultin e tyre dhe jo vetë Islamin që përfshin kuptime dhe njerëz përtej tyre.

Ka mjaft kauza morale dhe fetare për të cilat gylenistët duhet të reagojnë, sidomos këta të KMSH që e kanë për detyrë ta bëjnë këtë, e megjithatë vetëm heshtin! Edhe kur reagojnë këtë e bëjnë (nëse kanë reaguar ndonjëherë) sa për të larë gojën dhe nën trysnin e madhe të xhematit. Kështu që si mund të jenë përfaqësuesit tanë njerëz të tillë që të paktën as moralisht e as fetarisht nuk e kanë justifikuar apo legjitimuar vetveten në krye të KMSH?!

Kolegjet le t’i mbrojnë nëse kanë të drejtë, fundja është çështja e tyre dhe atyre që u kanë besuar atyre fëmijët, duke pranuar kështu me vetëdije ose jo edhe mundësinë e rekrutimit prej tyre, por KMSH-në duhet ta lëshojnë një orë e më parë, sepse nuk na përfaqësojnë dhe janë ilegjitim në krye të saj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit