12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Skllavëria e shpirtit

Më të lexuarat

Përmbajtja

Historia e Karunit është një prej historive që bën pjesë në periudhën që izraelitët kaluan në Egjipt. Gjatë trajtimit të saj, vëmendja fokusohet natyrshëm te personi i Karunit, pasuria e stërmadhe që zotëronte, paradat që kryente duke shpalosur luksin ku jetonte dhe përfundimi i tij si pasojë e arrogancës që tregoi. Por, po aq me rëndësi sa Karuni në këtë histori, është edhe populli që sodiste shfaqjet e tij të pompozitetit, si dhe efekti që ato shkaktonin te besimtarët që josheshin nga pasuria tij. Sjellja e tyre zbulon propagandën që Faraoni bënte nëpërmjet Karunit për të tunduar izraelitët e drobitur shpirtërisht, duke u shitur si të suksesshëm modelin që duhet të ndiqnin: një izraelit që kishte pranuar, në këmbim të të mirave të kësaj bote, të përdorej prej sistemit faraonik në mbajtjen të robëruar të bashkëkombësve të tij.

Sipas Kurtubijut, Karuni ishte një funksionar i Faraonit që kishte për detyrë të mbikëqyrte izraelitët. Sha’rauiju është i mendimit se përmendja e Karunit bashkë me Faraonin dhe Hamanin në ajetin 24 të sures Ghafir tregon se të tre ata ishin bashkëpunëtorë në skllavërimin e izraelitëve. Për këtë arsye, Allahu ju referohet të treve se e akuzuan Musain si magjistar dhe gënjeshtar i madh (Ghafir 40, 24). Megjithëse ishte izraelit, Karuni ishte bërë “njeriu më i pasur i Egjiptit” (Ismail ibën Kethir). Aq e madhe ishte pasuria e tij, “sa çelësat e thesareve të tij ishin të rënda për t’u mbajtur edhe nga një grup burrash të fortë” (El-Kasas 28, 76). “Për të mbajtur çelësat e sënduqeve të tij duheshin 60 mushka. Çdo çelës nuk ishte më i gjatë se një gisht dhe secili shërbente për të hapur një thesar të veçantë” (Ibën Xherir et-Tabari). Pasurinë e tij të shumtë, Karuni e përdori për të shtypur izraelitët dhe për të korruptuar vendin (El-Kasas 28, 76-77). Zoti tregon në Kuran se si populli i tij e këshilloi që të kërkonte shpërblimin e botës tjetër me atë që Allahu i kishte dhënë, të tregohej bujar me njerëzit ashtu sikurse Allahu ishte treguar Bujar me të dhe të mos shkaktonte korruptim në tokë, sepse Allahu vërtet nuk i do korruptuesit (El-Kasas 28, 77).

I mashtruar prej diturisë, pasurisë dhe pushtetit, Karuni u përgjigj se pasuria që zotëronte ishte rrjedhojë e dijes që kishte (El-Kasas 28, 78), sepse ai “ishte më i dituri i izraelitëve për Teuratin pas Musait dhe Harunit” (Xhelal ed-Din es-Sujuti). Tabariu thotë se “as paralajmërimet dhe as përkujtimet e atyre që i përkujtuan Zotin nuk i bënë dobi Karunit, që ai të hiqte dorë nga shtypja e popullit të tij nëpërmjet pasurisë së tij të madhe. Ai doli në mesin e njerëzve i stolisur, i hipur mbi një kalë të bardhë me shalë të purpurt dhe i veshur me petka të ngjyera me të verdhë. Bashkë me të ishin treqind robëresha, të veshura në mënyrë të ngjashme dhe të hipura në mëze të stolisura si ai, si dhe një shpurë me katër mijë shoqërues. Njerëzit e devijuar prej popullit të Karunit, të cilët dëshironin bukurinë e jetës së kësaj bote, kur e panë t’u shfaqej me pompozitetin e tij psherëtinë dhe thanë: “Ah, sikur të kishim edhe ne si ajo që i është dhënë Karunit! Ai është vërtet fatmadh!”

Edhe pse Karuni ishte një vegël e sistemit te Faraonit, që i shtypte izraelitët duke përdorur pasurinë e tij të pamatë, një pjesë e izraelitëve të skllavëruar e konsideruan atë me fat të madh dhe dëshiruan me afsh të ishin në vendin e tij. Ngazëllimi me pasurinë dhe pozitën e Karunit shpërfaq se, në thelb, ata ishin shtypës dhe të padrejtë si ai, me dallimin se atyre nuk u ishte dhënë mundësia që të ushtronin shtypjen sikurse Karuni. Thellë në zemër, një pjesë e izraelitëve nuk aspironin lirinë dhe drejtësinë, por pasurinë dhe pushtetin, edhe pse ato mund të vinin duke i shërbyer Faraonit dhe duke shtypur izraelitët e tjerë, e për këtë arsye vazhdonin të ishin robër në Egjipt. Për më tepër, zilinë për pozitën e Karunit izraelitët e shfaqnin ndërkohë që Musai ishte në mesin e tyre. Megjithëse Zoti e kishte dërguar atë për të çliruar izraelitët dhe shenjat e Tij ishin shfaqur në tërë madhështinë e tyre, shpirtrat e një pjese të izraelitëve ishin skllavëruar pas jetës së kësaj bote dhe në vend që të synonin lirinë, parapëlqenin pasurinë dhe pozitën në shërbim të skllavëruesit të tyre.

Kjo skllavëri e shpirtit të izraelitëve shfaqet përsëri edhe në udhëtimin për në tokën e premtuar, pasi kaluan detin e hapur dhe dëshmuan mbytjen e Faraonit. Megjithëse në shkretëtirë, Allahu me mrekulli i shoqëroi me re për t’u bërë hije dhe u zbriti prej qiellit për të ngrënë: “Ne ju bëmë hije me re dhe ju zbritëm “manna” dhe thëllëza: “Ushqehuni prej begative me të cilat ju kemi pajisur”! (El-Bakara 2, 57). Por izraelitët nuk arritën t’i vlerësonin si duhet shenjat e Zotit dhe përzgjedhjen që Ai u bëri, sepse ajeti vazhdon dhe bën të ditur mosmirënjohjen e tyre: “Ata nuk na bënë Ne padrejtësi, por, ndaj veteve të tyre, u treguan të padrejtë”. Ajeti 61 i sures Bekare në vazhdim tregon rebelimin e tyre ndaj providencës hyjnore, teksa thanë: “O Musa, nuk kemi për të duruar me një lloj ushqimi, prandaj lutju për ne Zotit tënd të na nxjerrë nga ato që rriten në tokë: perime, tranguj, hudhra, thjerrëza dhe qepë!” I çmeritur nga kërkesa e njerëzve të tij, Musai ua kthen: “A po shkëmbeni atë që është e përbuzshme, me atë që është më e mirë?!”

Fjala e përdorur për të përshkruar të përbuzshmen që dëshiruan izraelitët, në këmbim të kujdesit dhe furnizimit Hynor, është “edna”, që rrjedh nga e njëjta rrënjë me fjalën “dun’ja”, me të cilën emërtohet jeta e kësaj bote. Izraelitët e përshkruar më herët, ata që dëshiruan me afsh të kishin njësoj si Karuni dhe të ishin në vendin e tij, Zoti i përshkruan si “ata që dëshironin jetën e dun’ja-së” (El-Kasas 28, 79). Prej këtej mund të dilet në përfundimin se sëmundja shpirtërore e shfaqur nga izraelitët në shkretëtirë ishte e njëjta me atë të Egjiptit: dashuria e të ulëtës, të padenjës dhe asaj që duhet përbuzur nga kjo botë. Duke qenë se ushqimet që kërkonin, izraelitët i kishin shijuar në Egjipt, Musai lë të kuptohet se ata ishin duke preferuar skllavërinë e Faraonit me menynë e ushqimeve të tij të llojllojshme, në vend të lirisë me ushqim të njëjtë të përditshëm. Këtë ai e shfaq qartë kur u jep lirinë e zgjedhjes izraelitëve: “Zbrisni në “misr”, sepse aty do të gjeni atë që kërkuat! (El-Bekara 2, 61). “Fjala “misr” e përdorur në ajet nënkupton një qytet çfarëdo, por disa komentues kanë qenë të mendimit se gramatika e arabishtes e lejon që fjala të nënkuptojë edhe Egjiptin” (Muhammed el-Kurtubij), duke qenë se Egjipti në arabisht quhet Misr.

Me diturinë e tij djallëzore, Faraoni e kishte kuptuar se sigurimi i ushqimit të shumëllojshëm mjaftonte për të tunduar njerëzit që të mos rebeloheshin ndaj robërisë dhe ta duronin atë. Por, në mesin e izraelitëve gjendeshin edhe besimtarë të pajisur me dituri prej Zotit. Kur izraelitët që u joshën prej paradës së Karunit shprehën dëshirimin e zjarrtë të ishin në vendin e tij, “ata që u ishte dhënë dija thanë: “Mjerë ju, shpërblimi i Allahut është më mirë për atë që ka besuar dhe kryen vepra të mira, por kjo nuk i jepet vetëm se të duruarve” (El-Kasas 28, 80). Pasi panë dështimin e modelit të jetesës së Karunit, tek e gëlltiti toka bashkë me shtëpinë e tij (El-Kasas 28, 81), “ata që kishin dëshiruar të ishin në vendin e tij të djeshmen u gdhinë duke thënë “Oh, Allahu ia shtrin furnizimin atij që dëshiron prej robërve të tij, ashtu sikurse kufizon. Sikur të mos na kishte përfshirë Allahu me hirin e Tij, do të ishim përpirë nga toka. Ah, mohuesit nuk kanë sukses” (El-Kasas 28, 82).

Ekzistenca e të diturve në mesin e izraelitëve bëri të mundur kthimin në rrugën e drejtë të atyre që u joshën prej shembullit të izraelitit të “suksesshëm” të reklamuar nga ana e Faraonit. Besimtarët sipas ajeteve 79 dhe 80 të sures Kasas ndahen në dy grupe: ata që dëshirojnë pasurinë dhe pozitën në këtë botë, dhe ata që kanë dije. Shembulli i izraelitëve dhe shpëtimi i tyre prej tiranisë së Faraonit tregon se kur në mesin e muslimanëve ka besimtarë të ditur që refuzojnë të ulëtën dhe të padenjën e bukurive të kësaj bote, që këshillojnë besimtarët e tjerë të mos joshen prej shembullit të muslimanëve të “suksesshëm” që e kanë arritur suksesin duke i shërbyer sistemit faraonik, muslimanët do të interpretojnë si duhet shenjat e Zotit dhe do të çlirohen nga çdo formë robërimi.

Përgatiti: G. Demneri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit