Skënderbeu i Riu – Një histori pak e njohur që sfidon mitet dhe na fton të shohim të vërtetën ashtu siç është

Më të lexuarat

Ka disa fakte historike që në pamje të parë duken dytësore, por që, kur njihen siç kanë qenë, e bëjnë shumë më të qartë panoramën e së kaluarës. Historia nuk duhet lexuar me ngjyrimet ideologjike nacionaliste të mëvonshme, as me pasionet e sotme, por me besnikëri ndaj së vërtetës. Mund të shash e mallkosh gjithë ditën ata që nuk të pëlqejnë, por e vërteta mbetet ajo që është; kështu që historinë, kur e përdor si armë, mund të të kthehet edhe në bumerang.

Dihet se Skënderbeu u martua në një moshë relativisht të madhe dhe pati vetëm një djalë, të cilit i vuri emrin e të atit, Gjon (Ivan). Në vitin 1464, Skënderbeu bie dakord me Helena Brankoviqin për të martuar të birin, Gjonin, në atë kohë nëntë vjeç, me vajzën e Helenës, Jerinën, tetëvjeçare [1]. Jerina (Irena) Brankoviqi ishte bija e mbretit Llazar të Serbisë dhe e Helenë Paleologut, trashëgimtarja e fundit e familjes perandorake të Bizantit. Nga Irena, Gjoni pati gjashtë fëmijë, i pari i tyre Gjergji, ose ndryshe Skënderbeu i ri.

Autori arbëresh Paolo Petta, në librin e tij “Despoti d’Epiro e principi di Macedonia”, tregon se Gjergji i shërbeu mbretit të Napolit, Frederikut, si përfaqësues i tij pranë djalit të Mehmetit II, Bajazitit II. Por, i nxitur nga Venediku, edhe ai, si i ati, erdhi në Arbëri për të shpërthyer një kryengritje të re kundër osmanëve. Në fund, pasi nuk ia doli të merrte ndonjë përkrahje, nuk u kthye më në Itali si i ati, por në vitin 1506 u bë turk, pra mysliman [2].

Një tjetër autor arbëresh, me emrin Alessandro Castriota Scanderbeg, në një artikull të botuar në gazetën “Rrënjët” në nëntor 2018, paraqet jetën e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut të Ri, dhe përpjekjet e tij të vazhdueshme për të rikthyer zotërimet e familjes së tij në Shqipëri. Fillimisht ai shërbeu në oborrin e mbretit të Napolit dhe u përdor në misione diplomatike me osmanët. Por më pas Venediku u përpoq ta përdorte emrin e tij për të nxitur një kryengritje shqiptare kundër turqve. Shqiptarët e pritën me shpresë dhe ai arriti të marrë Lezhën, por politika e dyfishtë e Venedikut, që njëkohësisht negocionte paqen me osmanët, e dobësoi të gjithë ndërmarrjen.

Rënia e Mbretërisë së Napolit, afrimi i Venedikut me osmanët dhe mungesa e mbështetjes së qëndrueshme financiare e ushtarake e lanë Gjergjin e ri në një pozitë gjithnjë e më të vështirë. Marrëdhëniet e tij me përfaqësuesit venedikas, sidomos me Antonio Bonin, u përkeqësuan deri në përleshje të hapur. I varfëruar, i braktisur dhe i zhgënjyer, ai largohet nga Lezha dhe përfundon duke hyrë në marrëdhënie me sanxhakbeun osman.

Në fund, i braktisur nga aleatët, pa mjete dhe pa mbështetje të qëndrueshme, Gjergji i ri dështoi ta rimerrte shtetin e të parëve. Autori i studimit thotë se: “në dhjetor të vitit 1506, konsulli i Kostandinopojës i njofton Sinjorisë së Venedikut se Skënderbeu ‘është bërë turk’”, duke aluduar qartazi për kthimin e tij fetar [3]. Dhe, duke e mbyllur, Alessandro thotë: “Ndoshta mund të thuhet pa gabim se jeta e tij e pafat ishte një përpjekje e ashpër për rimarrjen e zotërimeve të të parëve në Shqipëri dhe se, në fund – pas tradhtisë venedikase – zgjedha turke iu duk më e durueshme sesa çnderimi i një kthimi në Itali si i mundur” [4].

-Referenca-

[1] Bibliotheque Nationale de France, “Manuscrits italiens” 1590, f. 523. (shih: O.J. Schmitt, “Skënderbeu”, f. 316).

[2] Paolo Petta,”Despoti d’Epiro e principi di Macedonia”, f. 38VV. (shih: O.J. Schmitt, “Skënderbeu”, f. 365, fusn. 46).

[3] Sanuto M., “Diarii”, Venezia, 1881, ed. M. Visentini, vol. VI, col. 300.

[4] Alessandro Castriota Scanderbeg (Centro Studi Scanderbeghiani), “Giorgio Castriota Scanderbeg juniore, figlio di Giovanni, nipote di Scanderbeg”, botuar në gazetën “Rrënjët”, nr. 4, 2018.

https://gazetarrenjet.wordpress.com/wp-content/uploads/2018/12/rrc3abnjc3abt-nc3abntor-2018.pdf

 

/Marr nga: Justinian Topulli fb/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit