Autoritetet nuk kanë zbuluar numrin e përgjithshëm të civilëve të evakuuar nga Suwayda deri më sot
Autoritetet siriane evakuuan më shumë se 500 civilë nga provinca Suwayda në Daraa që nga dje duke përdorur një autokolonë prej gjashtë autobusësh, transmeton Anadolu.
Evakuimi i familjeve beduine që ishin mbajtur në qytetin e Suwayda filloi dy ditë më parë, tha agjencia e lajmeve shtetërore SANA.
Autoritetet nuk zbuluan menjëherë numrin e përgjithshëm të civilëve të evakuuar nga Suwayda deri më sot.
Të martën, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme siriane, Nour al-Din al-Baba, tha se evakuimi është i përkohshëm dhe të gjithë civilët do të kthehen sapo të rivendoset stabiliteti.
“Disa familje nga komunitete të ndryshme në Suwayda u evakuuan, shumë prej të cilëve ishin mbajtur peng ose ishin rrëmbyer nga bandat e armatosura”, tha Al-Baba, duke folur për Anadolu.
Më 13 korrik, shpërthyen përleshje midis fiseve arabe beduine dhe grupeve të armatosura druze në Suwayda. Dhuna u përshkallëzua dhe pasuan sulmet ajrore izraelite, duke synuar pozicionet dhe infrastrukturën ushtarake siriane, përfshirë kryeqytetin, Damask.
Ndërsa Izraeli përmendi “mbrojtjen e komuniteteve druze” si pretekst për sulmet e tij, shumica e udhëheqësve druzë në Siri kanë hedhur poshtë publikisht çdo ndërhyrje të huaj dhe kanë riafirmuar angazhimin e tyre për një shtet të bashkuar sirian. Një armëpushim u njoftua të shtunën.
Qeveria e re siriane ka punuar për të rivendosur rendin në të gjithë vendin që nga rrëzimi i ish-udhëheqësit të regjimit të Bashar Asadit më 8 dhjetor 2024.
