Damasku konsolidon sovranitetin, një hap vendimtar drejt unitetit kombëtar dhe stabilitetit të qëndrueshëm
Siria njoftoi se ka marrë kontrollin e të gjitha bazave ushtarake të përdorura më parë nga forcat amerikane si pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër ISIS-it, duke shënuar një ndryshim të rëndësishëm në kontrollin mbi rajonet verilindore.
Muajt e fundit, qeveria e re e Sirisë ka zgjeruar kontrollin e saj në pjesë të verilindjes që më parë mbaheshin nga forcat e YPG/PKK-së të mbështetura nga SHBA-të.
Po ashtu, qeveria siriae është bashkuar edhe zyrtarisht në koalicionin ndërkombëtar anti-DAESH. SHBA-të ndërhynë në Siri në vitin 2014 për të luftuar ISIS-in, i cili kishte marrë kontrollin e pjesëve të mëdha të vendit në një ofensivë të rrufeshme.
Ministria e Jashtme e Sirisë tha në një deklaratë se mirëpret dorëzimin e përfunduar të vendeve ushtarake te qeveria siriane, duke shtuar se ky veprim u krye në koordinim të plotë midis qeverive siriane dhe amerikane.
Damasku tha se e shihte veprimin e SHBA-së si pasqyrim të një vlerësimi të përbashkët se rrethanat që fillimisht e bënë të domosdoshme praninë ushtarake kanë ndryshuar rrënjësisht dhe se shteti sirian është sot plotësisht i aftë të udhëheqë përpjekjet kundër terrorizmit në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare.
Komanda Qendrore e SHBA-së i konfirmoi AFP-së se forcat amerikane kanë përfunduar dorëzimin e të gjitha bazave kryesore në Siri si pjesë e një tranzicioni të qëllimshëm dhe të bazuar në kushte.
Më herët, Ministria siriane e Mbrojtjes tha se ushtria mori kontrollin e bazës ajrore Qasrak pas tërheqjes së forcave të koalicionit, ndërsa një korrespondent i AFP-së pranë Qamishlit pa një konvoj automjetesh ushtarake amerikane që po shkonte drejt kufirit irakian.
Qasrak konsiderohej një bazë kyçe dhe shërbeu si qendër logjistike për pajisjet që shkonin drejt Irakut. YPG/PKK e Sirisë humbi pjesë të mëdha territori ndaj forcave qeveritare në fillim të vitit pas përleshjeve që çuan në një marrëveshje për të integruar gradualisht SDF-në në strukturat shtetërore.
Shtetet e Bashkuara janë afruar me qeverinë e re të Ahmed Al Shara dhe kanë deklaruar se qëllimi i aleancës së tyre me SDF-në kishte mbaruar kryesisht. Krahas bazës Qasrak, forcat siriane kanë marrë së fundmi edhe bazat Rmeilan, Al-Tanf dhe Shadadi.
Ministria e Jashtme siriane theksoi se zgjerimi i autoritetit shtetëror është rezultat i përpjekjeve për të bashkuar vendin dhe pasqyron integrimin e suksesshëm të Forcave Demokratike Siriane në strukturat kombëtare për të adresuar kërcënimet rajonale. /tesheshi.com/
