14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Siguritë e Hidrit – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Siguritë e Hidrit (edhe njëherë për konsultën) – Prof. Rudian Zekthi

 

“Atëherë ata gjetën njërin prej robërve Tanë, të cilit i kishim dhënë mëshirë prej Vetes dhe i kishim mësuar nga ana Jonë dijen.

Musai i tha atij: “A mund të të ndjek që të më mësosh diçka nga udhëzimi që je mësuar ti?”

Ai tha: “Ti nuk mund të kesh durim me mua.

Dhe si mund të durosh për diçka që nuk ke dije rreth saj.”

(Musai) tha: “Nëse do Allahu, do të më gjesh të duruar dhe unë nuk do të të bëhem mosbindës në asnjë çështje.”

Ai tha: “Nëse më ndjek mua, nuk duhet të më pyesësh për asgjë, gjersa unë vetë të të them diçka nga ajo.”

Atëherë ata u nisën. Derisa hipën në anije, të cilën (më pas) ai e çau. (Musai) tha: “A e çave që udhëtarët e saj të mbyten? Ke bërë një gjë shumë të keqe!”

Ai tha: “A nuk të thashë që nuk mund të kesh durim me mua?!”

(Musai) tha: “Mos më qorto për atë që kam harruar dhe mos më shtrëngo duke më vështirësuar çështjen.”

Atëherë ata u nisën, gjersa takuan një djalë, të cilin ai e vrau. (Musai) tha: “A e vrave një shpirt të pafajshëm, që nuk i kishte marrë jetë njeriu?! Ke bërë një gjë të urryer!”

Ai tha: “A nuk të thashë që nuk mund të kesh durim me mua?!”


(Musai) tha: “Po të pyeta për ndonjë gjë pas kësaj, mos u shoqëro më me mua. Njëmend, tashmë të kam dhënë arsye.”

Atëherë ata u nisën, gjersa erdhën pranë banorëve të një fshati, të cilëve u kërkuan ushqim. Por ata refuzuan t’i mirëprisnin. Atje ata panë një mur që ishte gati të rrëzohej. Ai e ngriti atë. (Musai) tha: “Po të doje, mund të merrje ndonjë shpërblim për këtë!”

Ai tha: “Këtu ndahemi unë dhe ti. Tani do të tregoj realitetin e asaj, për të cilën nuk ke pasur dot durim.

Për sa i përket anijes, ajo ishte e disa të varfërve që punojnë në det. Vendosa ta bëja me të metë, sepse mbrapa tyre (vinte) një mbret, që merr çdo anije duke grabitur.

Për sa i përket djalit, prindërit e tij ishin besimtarë. Patëm frikë që ai do t’i rëndonte jashtë mase nga rebelimi dhe mosmirënjohja.

Prandaj, donim që Zoti i tyre t’ua zëvendësonte me një më të mirë se ai, si nga dëlirësia ashtu edhe nga mëshira.

Dhe sa për murin, ai u përkiste dy djelmoshave jetimë në qytet dhe poshtë tij gjendej një thesar për ta, dhe babai i tyre ishte i dëlirë. Zoti yt dëshiroi që ata të dy të arrinin moshën e pjekurisë dhe ta nxirrnin (vetë) thesarin e tyre; kjo ishte si mëshirë prej Zotit tënd. Dhe unë nuk veprova sipas gjykimit tim. Ky është interpretimi i asaj për të cilën nuk ke pasur dot durim.” Surja Kehf, ajetet 66-83.

Allahu në këtë sure, dëshmon për historinë e Hidrit me Profetin Musa a.s. Ne mendojmë se kjo histori  është ndër të tjera argument që plotëson dhe konkludon çfarë kemi thënë më parë për konsultën, si detyrim fetar për këdo që ka marrë përsipër punët e muslimanëve. E vërteta është që në këtë histori nuk flitet për konsultën, ajo as nuk përmendet fare, por ne duam të tregojmë se pikërisht mospërmendja e saj, në të tilla situata tronditëse ku u përfshinë ata të dy, flet shumë për natyrën e konsultës dhe kushtet e ndodhjes së saj. Ose e thënë ndryshe, duke përshkruar kushtet e mospërdorimit të konsultës, do të kemi sigurinë se përveç rasteve kur plotësohen këto kushte, konsulta është gjithmonë e pashmangshme dhe e detyrueshme.

Ligjeratën e plotë mbi këtë temë mund ta gjeni këtu:

Kjo histori, sipas një hadithi të Muhamedit a.s., transmetuar nga Seid ibn Xhubejri dhe Abdullah ibn Abasi, ka si sebep një moment jomodestie kur Musai a.s. para benu israilëve deklaron se mendon që në tokë nuk ka asnjë njeri më të dijshëm se ai. Pas kësaj deklarate, për ta sprovuar, Allahu  e urdhëron Musain a.s. të shkojë në një vend të caktuar, për t’u takuar me një person – Hidrin, deri atëherë i panjohur për Musain a.s.

Kjo është një histori e madhe dhe me siguri e pashterueshme në kuptimet e koduara tek ajo, ndërsa ne këtu vetëm sa do të cekim njërën prej mundësive për të përfituar prej saj kuptim dhe qartësi.

Gjërat që na tërheqin më shumë vëmendjen janë tre: siguria me të cilën pohohet se Hidri zotëron dije të cilën një profet, pra Musai a.s. nuk e zotëron; siguria me të cilën pohohet se në mungesë të asaj dije, Musai a.s. nuk mund të kuptojë e si pasojë e moskuptimit nuk do të durojë dot; dhe siguria me të cilën merret e mirëqenë se Musaia.s. nuk duhet të pyesë (përkatësisht të kapërcejë përmes pyetjeve mosdijen e tij), pavarësisht çfarëdoçfarë të ndodhë.

Hedhjen dritë mbi secilën prej këtyre sigurive, do ta synojmë në vazhdim.

1.

Në fakt siguria e Hidrit se zotëron dije përmbi atë që zotëron Musai a.s.,  duket se mbështetet mbi faktin se ai njeh Gajbin. Vetëm se ky fakt (pra njohja e Gajbit), nuk mund t’i jepte Hidrit epërsi të padyshimtë mbi dijen e Musait a.s. (dhe rrjedhimisht  as siguri të padyshimtë), sepse ne e dimë që Musai a.s. edhe pse mund mos kishte dijeni për Gajbin, devocioni i tij i pashoq i jep siguri të pashoqe (pavarësisht njohjes së posaçme të Gajbit) ( mjafton të kujtojmë momentin më të pashpresë, kur ai me popullin e tij u gjendën midis detit dhe ushtrisë së Faraonit, sesi bindja e tij në ndihmën a Allahut ishte absolute edhe para se Zoti t’i mundësonte ta hapte detin me shkopin e tij). Po ashtu ne dimë se si rregull të gjithë profetët, kush më shumë e kush më pak, kanë patur njohuri për Gajbin. Shembulli i Profetit Muhamed s.a.v.s. është më i qarti me hadithet e shumta që paralajmërojnë Shenjat e KIjametit si ngjarje të përgjithshme, apo me hadithet  rreth ngjarjeve specifike, si paralajmërimi i Surakës se ai do të shpërblehej me arin e Perandorit Pers, apo paralajmërimi i mënyrës së vdekjes së Umrit r.a. apo i kohës së vdekjes së Fatimes r.a.. (Nuk mjafton që kjo epërsi të japë këtë siguri, edhe nëse pranojmë se Njohja e Gajbit prej Hidrit duket se është e strukturuar, pra ai njeh ende të pandodhurën për çdo situatë në të cilën gjendet dhe për çdo person me të cilin përballet, ndërsa tek profetët kjo njohje ka qenë e pjesshme dhe e herëpashershme. Sepse mbetet i vërtetë edhe në këtë rast gjykimi, që megjithë këtë mosplotësi, profetët kanë patur sigurinë e devocionit si kompensim për mosnjohjen e Gajbit).

Prandaj më shumë se njohja e Gajbit, siguria e Hidrit mbështetet tek njohja e Kaderit, e Caktimit Detyrues të Allahut. Dhe kjo mund të duket si një truizëm, pasi në fakt megjithëse jo i gjithë Gajbi është Kader, i gjithë Kaderi si rregull është Gajb, e për pasojë prapë nuk shpjegohet dot siguria e epërsisë së dijes së Hidrit ndaj  dijes së Musait a.s. Sepse siguria e Hidrit, më shumë se thjesht njohja e Kaderit,  ka të bëjë me protagonizmin, pra përfshirjen e drejtpërdrejtë të Hidrit në Kader: me lejen e Zotit ai gëzon  atatusin a atributin e një Përmbaruesi të Kaderit, ngjashëm me Engjëjt, që siç i përshkruan Allahu në Kuran, nëpërmjet padukshmërisë së tyre dhe në përgjithësi prej pakapshmërisë së tyre nga shqisat njerëzore, marrin përsipër t’i bëjnë gjërat të ndodhin në kohë reale sipas Kaderit (engjëjt e dukurive atmosferike apo Engjëlli i Vdekjes).

Pra statusi dhe sjellja e Hidrit është më pranë me engjëjt se me qeniet njerëzore dhe prej këtu buron siguria e epërsisë së tij ndaj Musait a.s. (Që mund ta themi edhe kështu: një profet ka sigurinë e njohjes për Gajbin por jo sigurinë e prekjes, kurse Hidri për gajbin ka drejtpërdrejt sigurinë e prekjes – Jekinin).

2.

Nga përfundimet e mësipërme, merr shpjegimin e vet drejtpërdrejt, edhe siguria e Hidrit se Musai  a.s. do ta ketë të pamundur të durojë, pra të rezistojë pa reaguar, ndaj veprimeve që Hidri do t’i bëjë në përputhje me një dije që Musai a.s. nuk e njeh.

Sepse përfshirja e Hidrit në ngjarjet e rrëfyera është e kontrolluar, e largët – do të thotë e kushtëzuar nga një lloj distance emocionale e domosdoshme për t’i mundësuar ndërhyrjen e drejtpërdrejtë, pra një lloj “gjakftohtësie” e bashkëlidhur me atributin e Përmbaruesit të Kaderit. Hidrit, në një farë mënyre nuk i lejohet të shprehë përjetimet e veta për çështjet që i jepen për t’ua proceduar Kaderin. Kurse Musai a.s., në të kundërt, si qenie njerëzore një herë dhe si Profet i Zotit (pra si njeri i zgjedhur mbi gjithë njerëzit e tjerë) më shumë se një herë, nuk mund t’i ikë emocioneve të përfshirjes në një ngjarje(aq më tepër kur bëhet fjalë për dëmtimin e një anije apo vrasjen e një njeriu) dhe as nuk mund t’i ikë detyrimit për të mbajtur qëndrim, pra për t’i gjykuar sheriatikisht veprimet që kryhen në prani të tij.

Në këtë kuptim, duket se siguria e Hidrit që Musai a.s. nuk do të durojë, nuk ka të bëjë vetëm me faktin se ai nuk e njeh Gajbin e atyre ngjarjeve konkrete dhe faktin se ai me të cilin po udhëton ka atributin e Përmbaruesit të Kaderit, por edhe me faktin se si Njeri dhe Profet ai është i programuar të përfshihet emocionalisht dhe i obliguar të mbajë qëndrim. Madje kjo siguri  e Hidrit, duket se mbështetet jo thjesht mbi premisën se sado të përpiqet të durojë ai gjithsesi nuk do të mundet, por mbi një premisë tjetër: Musai a.s. është i obliguar të mos durojë,  ai duhet pikërisht mos ketë durim, përderisa është i obliguar të mbajë qëndrim (obligim prej të cilit nuk mund të çlirohet në asnjë rrethanë) (e që të cilin obligim për ta ruajtur duhet të ndahet nga Hidri dhe të mos vazhdojë të jetë i kërcënuar nga shqetësimi i mosreagimit ndaj asaj që ndodh në mënyrë akute në prani të tij).

3.

Dhe përsëri, ajo që kemi shpjeguar më lart në lidhje me dy siguritë e para, praktikisht vlen si pjesë e të njëjtit shpjegim për sigurinë e tretë të Hidrit, kur i kërkon shprehimisht Musait a.s. të heqë dorë nga të pyeturit, pikërisht pasi sapo e ka lajmëruar që ai nuk ka për ta kuptuar të vërtetën më të thellë të asaj që ai, Hidri, do të bënte (drejtërdrejtësia me të cilën e kërkon këtë dhe koherenca me të cilën e qorton Musain a.s. sa herë që ai e thyen këtë premtim janë provë e sigurisë së Hidrit për mosdobinë e këtyre pyetjeve).

Në fakt paraprirja e durimit si kusht dhe mosbërja e pyetjeve, (dhe lehtësia me të cilin Hidri parasheh të vazhdojë i vetëm pa shoqërinë e Musait a.s.) janë kërkesa që parakuptojnë se Hidri nuk ka nevojë për shoqërinë e Musait a.s. dhe nuk e sheh atë si mbështetje në udhëtimin e tij. Thënë ndryshe, këto kërkesa dhe këto implikime, duan të thonë që Hidri s’mundet ta bëjë atë punë përveçse i vetëm dhe nuk ka nevojë për bashkëpunëtorë dhe as për këshilla. Sepse ndalimi i pyetjeve në thelb është ndalim i këshillës dhe konsultës, prandaj megjithëse në dy rastet e para reagimi i Musait a.s. fillimisht formulohet si pyetje ai gjithsesi vazhdon si vërejtje dhe qortim, ndërsa në rastin e tretë ajo është drejtpërdrejtë një këshillë konsultuese.

Pra, Hidri  jo thjesht nuk synon të konsultohet, por haptazi nuk pranon të konsultohet, e konsideron të drejtë dhe normale të mos konsultohet, merr masat që të shmangë çfarëdo mundësie për t’u konsultuar dhe është i bindur se moskonsultimi është më e mira. Nga mënyra sesi e dëshmon historinë, kuptohet se Hidri është në hakun e tij kur mban këtë qëndrim, pasi Allahu nuk e qorton për këtë. Që do të thotë se këto qëndrime radikale të Hidrit janë të justifikuara, dhe justifikimi i vetëm në një rast të tillë është se mesa duket ai nuk ka nevojë për konsultim, sepse është i vetëmjaftueshëm në atë që bën.

Dhe në fakt i tillë është, siç e treguam më lart: atributi i tij si Përmbarues i Kaderit ka këtë dallim diametralisht të kundërt me atributin e një profeti (dhe aq më tepër çdo udhëheqësi apo drejtuesi të punëve të njerëzve),pra nëse konsultohet Përmbaruesi i Kaderit, ajo që përmbush ai nuk është më Kaderi (ose më saktë është Kader, por tashmë ai është pjesë e Tij dhe jo Përmbarues i Tij), sikurse në të kundërt, po të mos konsultohet Profeti, ai nuk është më i tillë sepse do të kaplohet nga vrazhdësia ,siç tanimë e kemi treguar një herë.

Kjo është e vetmja situatë ekstreme ku konsulta është e panevojshme: kur palët në veprim i përkasin rendeve të ndryshme të realitetit dhe obligohen ndaj aspiratave të ndryshme. Kuptimi i thellë dhe në fakt edhe i thjeshtë i kësaj historie është se Hidri dhe Musai a.s. ishin bashkë vetëm fizikisht, por me misone të ndryshme e për pasojë nuk kishte asnjë obligim mes tyre për konsultim të detyrueshëm. Mos harrojmë hadithin që shpjegon sebepin e këtij takimi: Musai duke e ditur se ky takim ishte për të një mundësi  për të mësuar dhe jo për të vepruar, prandaj dhe e merr të mirëqenë e nuk e ve në dyshim kërkesën (përndryshe të vrazhdë) e Hidrit për të mos i ndërhyrë në çfarëdo gjë që ai bën.

Kështu, cilido person me atribut dhe aspirata lideri, apo grup i ngushtë me të njëjtin status, nuk e lëvron konsultën, përfshihet nga efekti i çuditshëm i të qenit në një rend tjetër realiteti me të tjerët (me ata që i rrethojnë, me ata që i ndjekin, me bashkëkohësit e tyre), madje (pa dashur të tingëllojë cinike, por e trishtueshme)implikohen nga supozimi i pabesueshëm dhe i papranueshëm se ata janë Përmbarues të Kaderit.

Nga gjithë sa thamë,  megjithëse paraqitëm një rast përjashtues, besojmë se konfirmohet obligueshmëria e përgjithshme e konsultës, si kusht për mbarëvajtjen e punëve të atyre që drejtojnë dhe kanë marrë përsipër dobinë e përbashkët. Dhe jo sepse përjashtimi forcon rregullin, por sepse kjo është rruga më e saktë për sigurinë e metodës: të njohësh me siguri kushtet – caqe dhe rastet e pakta kur ajo nuk zbatohet, për të qenë i sigurte se në çdo rast tjetër ajo është e zbatueshme dhe për pasojë nuk ka justifikim për të kundërtën.

Prof. Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit