14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Si të ndalojmë të sillemi si “fans i VIP-ave” me hoxhallarët dhe të ndërtojmë marrëdhënie reale me ta

Më të lexuarat

Ky shkrim është një artikull nga një nismë e quajtur Fikhu i Medias Sociale.

Muslimanët e rëndomtë shpesh shohin video frymëzuese me tematik islame në YouTube. Vëllezërit ose motrat e ndiejnë se videot e tilla në YouTube dhe ligjëruesi aty janë zgjidhje për të gjitha problemet e tyre të jetës.

Muslimanët e rëndomtë e kërkojnë dhe gjejnë në Facebook faqen e ligjëruesit në fjalë dhe bëhen ndjekës të faqes. Ata tani ndjehen të detyruar për të komentuar mbi çdo status të tyre. Për shembull:

Facebook update: “Elhamdulillah Allahu (svt) ka bekuar familjen tonë me një fëmijë të ri, ju lutemi të na mbani në duatë tuaja.” Muslimani i rëndomtë më pastaj komenton këtë status: “O SHEIKH A MUND TË na vizitoni në Antarktidë, PLEEEEEZ, është ëndrra ime e pa përmbushur që tu takoj juve!!! ” E vetmja mënyrë që ky citim të duket edhe më i saktë është në qoftë se atij i shtohet edhe nga një Emoji pas çdo të tretës fjalë.

Duaje ose urreje, këtu ashiqare kemi një kulturë komunikimi mes fansave dhe estradës (VIP-ave). Kam shkruar në lidhje me këtë temë më parë nga perspektiva e kërkimit të famës. Tani është koha për të shkruar nga pikëpamja se si ne e shohim dhe si i afrohemi ligjëruesve të Islamit.

Kohët e fundit kam lexuar një libër që përshkruante “Shmangien e kurtheve të fansave ” kur ke takime me ndonjë këshilltar (veçanërisht ndonjë mentor sipërmarrëseje). I kam përshtatur këto kurthe për kontekstin tonë.

Para se të vazhdojmë, është e rëndësishme të kuptojmë se çfarë po ndodh nën sipërfaqe. Është e lehtë të ulesh dhe të tallesh me njerëzit që sillen si para-adoleshentë të egër në një ngjarje të madhe rreth imamëve, por mungon thelbi se pse po ndodh kjo.

Kur dikush ju ndikon, veçanërisht për t’ju ndihmuar të afroheni me Allahun (subhanehu ue teala), ekziston një prirje e natyrshme për të dëshiruar të lidheni me ta. Ekziston një prirje për të krijuar një marrëdhënie me ta, për të kërkuar këshilla prej tyre, madje edhe për të marrë mentorim prej tyre.

Këtë e përjetova vetë në konferencën e kaluar të AMJA-s, kur *më në fund* u takova me Shejh Jamaal Zarabozo pasi isha student i librave dhe leksioneve të tij për më shumë se 10 vjet. Po, u emocionova dhe u çorientova kur më në fund arrita ta takoj, por është e rëndësishme të kuptojmë kufijtë në mënyrë që të krijojmë ndërveprime të shëndetshme dhe produktive – qofshin online ose offline.

Me këtë, ka mënyra legjitime për t’u lidhur me dikë dhe për të ndërtuar një marrëdhënie me të – pavarësisht se sa të zënë dhe të famshëm janë. Nga ana tjetër, ka mënyra për të qenë krejtësisht rrëqethës dhe i çuditshëm.

 

  1. “O Zoti im” JENI MË MIRI

Kjo nuk është mënyra më e mençur për të filluar korrespondencën me dikë. Nuk ka asgjë të keqe të falënderoni dikë për mënyrën se si ka ndikuar tek ju, por mos vazhdoni të shpërtheni. Falënderoni ata për mënyrën se si kanë ndikuar tek ju, mos i falënderoni që janë të mrekullueshëm.

Nëse vazhdoni t’i dërgoni email dikujt dhe filloni çdo email me diçka si “Subhanallah shejkh ju jeni kaq i talentuar…”, do të bëhet e vështirë dhe e pakëndshme. Një qasje më e mirë nëse t’i drejtohesh dikujt është të thuash diçka të tillë si, “Allahu u shpërbleftë për videon tënde rreth XYZ, kurrë nuk kam menduar për shpalljen e Sures Ikre në këtë mënyrë dhe me të vërtetë ka ndryshuar mënyrën se si i qasem…”

 

  1. Përulësia e rreme

“Mashallah shejkh, as që isha i sigurt nëse duhet ta shkruaj këtë email, jam shumë gjynahqar dhe i përulur, nuk e di se si mund ta shpenzosh kohën tënde të çmuar edhe duke humbur 5 sekonda në emailin tim, vërtet doja të të pyesja diçka. Por nëse nuk përgjigjesh është në rregull, e di që je i zënë dhe unë jam askushi, dhe jam i pakuptimtë, madje hapja e këtij emaili ndoshta do të të pengoje nga qindra punë të mira, nga leximi i Kuranit apo nga dhikri, kështu që të kërkoj falje por desha të të pyes …”

 

Seriozisht, kapeni thelbin o njerëz!

Edhe ata janë njerëz. Vepro si ai. Mos jini nevojtar. Kjo nuk do të thotë që ju duhet të jeni arrogantë dhe të flisni me ta – thjesht jini normal. Fatkeqësisht të qenit normal është një sfidë.

Jini të respektueshëm për kohën e një personi, por gjithashtu kini njëfarë dinjiteti. Një mënyrë e thjeshtë për ta bërë këtë është të përpiqeni të parashikoni përgjigjet e tyre dhe të jeni të përmbledhur me diçka që vetëm ata mund të përgjigjen. Për shembull-

“Shejkh më pëlqeu shumë videoja jote në Uhud. Kisha disa pyetje në lidhje me ajetin që citove. Unë u përpoqa të kontrolloja disa libra tefsiri dhe pyeta imamin tim lokal për atë që përmendët, por nuk arrita të gjeja asgjë. Unë e kuptoj që jeni i zënë, por nëse keni kohë, do ta vlerësoja shumë nëse mund të më tregoni se si studiuesit arritën në përfundimin se…”

 

  1. Zgjidh të gjitha problemet e mia!

Vetëm për shkak se dikush flet shumë për pendimin nuk do të thotë se mund t’ju japë këshilla martesore. Ose këshilla për karrierë. Ose tu tregoj se çfarë të mësoni. Ose si të bisedoni me fëmijët tuaj për 3 minuta dhe t’i ktheni ata në engjëj.

Një dobësi e madhe e këtij personazhi të famshëm është ky supozim se vetëm për shkak se dikush është i famshëm, ose është në gjendje të mbledhë 50 mijë klikime në një video në YouTube, ai papritmas të jetë në gjendje të zgjidhë të gjitha problemet. Njerëzit do të vijnë te një imam dhe do të pyesin diçka të tillë si: “Një person në komunitetin tonë sapo u arrestua, a mund ta përfaqësoni atë në gjykatë?”

Imami do të thotë diçka si “umm.. ju duhet një avokat” dhe ata do të thonë, “por jo, ne duam që ju ta bëni këtë, ju jeni shumë i mrekullueshëm – ju pamë në YouTube që dini shumë për Islamin!”

Statusi i të famshmit i bën njerëzit të magjepsur të kërkojnë ngushëllim vetëm në këtë person të famshëm. Është e njëjtë sikur në rastin kur fëmija juaj ju kërkon të luani futboll në oborr, dhe ju t’i thoni se nuk do ta mësoni se si të goditet një top futbolli, nëse nuk vjen Zinedin Zidan dhe t’ju mësoj juve.

Mos lejoni që dashuria juaj për dikë më të njohur t’ju bëjë të nënvlerësoni ata që keni pranë. Unë pretendoj se viktima më e madhe në epokën e YouTube është imami vendas.

 

  1. A mund të nisim mësime ose derse me juve?? Ju lutem?? Unë do të jem nxënësi më i mirë i juaji që keni pasur ndonjëherë!

Një autore e njohur bën një rikujtim të tillë:

Mendoni për mentorët aktualë në jetën tuaj. A ju pëlqejnë dhe a i besoni menjëherë? Apo marrëdhënia juaj u rrit me kohën, punën dhe mbështetjen e ndërsjellë? Ndonjëherë në dëshirën tuaj për të mësuar sa më shumë që të mundeni nga njerëzit që i admironi, ju u kërkoni atyre mbështetje dhe udhëzime specifike pa pasur asnjë konsideratë për kohën e tyre. Një prej frazave të tilla më të shpeshta është “Ju jeni një ekspert në fushën time ku unë kam një problem, a do ta kishit parasysh të rishikoni planin tim të biznesit (njëzet faqesh)?”

Alternativa: Respektoni kohën tuaj dhe të njerëzve të zënë. Mentorët rriten natyrshëm, ata nuk janë të prodhuar.

Rrjetet sociale na mundësojnë të lidhemi shpejt, por kjo mund të na mashtrojë lehtësisht duke menduar se po ndërtojmë një marrëdhënie. A mund ta imagjinoni dikë të shkojë tek Lexuesi i njohur Abdul Basiti, dhe pasi të bëjë një recitim t’i thotë: “Më pëlqeu recitimi yt! Keni disa minuta? Unë do të doja t’ju lexoja të gjithë Kur’anin që të mund të korrigjoni texhvidin tim dhe ta zbukuroni zërin tim.”

Qesharake, por njerëzit e bëjnë pikërisht këtë përmes emailit, telefonit, Twitterit, Facebookut, komenteve në Facebook dhe në rrjetet e tjera ku imamët dhe ligjëruesit kanë aktivitet çdo ditë.

 

  1. A mund të marr një retweet?

Ky është një rast tjetër i pa përshtatshëm. “Shejh, ti ke 50,000 ndjekës në Twitter, a mund të na bësh retweet?”

Kjo është jashtëzakonisht e bezdisshme dhe i vë ligjëruesit islamë në një pozitë të vështirë. Ata duan të jenë të dobishëm, por arsyeja që ata kanë ndjekës të mëdhenj është sepse i shtojnë vlerë audiencës së tyre. Nëse ligjëruesit islamë ri-tweet-ojnë të gjithë ata që duan ndjekës (por janë shumë dembel për të krijuar ndjekësit e tyre, ose më keq – shumë dembel për të bërë punë aq domethënëse sa për të tërhequr ndjekës) atëherë muri i tyre do të shndërrohej në postime të pafundme të padobishme dhe ata do të humbnin të gjithë ndjekësit e tyre.

Është si të shkosh në shtëpinë e dikujt, t’i trokasësh në derë, të ndërpresësh darkën me familjen e tij dhe të thuash – “Essalamu Alejkum! Nuk më njeh, nuk jemi takuar kurrë, kërkova adresën tënde në Google. Emri im është IslAm4LyfeMuslimmDude75 dhe aktualisht po përpiqem të ngre një fond prej 100,000 dollarë nga populli për të ndihmuar në krijimin e rruazave të lutjes kundër Ebolës. Do ta vlerësoja shumë, pasi nuk njoh askënd dhe askush nuk do ta mbështesë projektin tim, nëse mund të nxirrni telefonin tuaj, t’i telefononi të gjithë miqtë tuaj dhe t’u kërkoni atyre të dhurojnë. Zoti ju shpërbleftë!”

Një mënyrë më e mirë për ta bërë këtë është thjesht të ndani një projekt pa pritur asgjë në këmbim. Ju mund t’i cicëroni dikujt dhe t’i thoni “Selam shejh, nëse mund t’i shpërndani rruazat tona të reja për lutje që ndihmojnë në kontrollimin e Ebolës” dhe ta lini me kaq. Komunikimi më i mirë është ai që nuk kërkon përgjigje.

 

  1. Ana e errët

Kujdes ditën kur imami i famshëm bën ose thotë diçka me të cilën muslimani i zakonshëm nuk pajtohet. Ata do të bëhen paria më e urryer për një kohë më të shpejt se që ju mund ta prishni abdesin tuaj. Njerëzit lëvizin egërsisht nga dashuria e dikujt në urrejtjen e tyre, dhe pastaj ta duan përsëri, dhe pastaj ta urrejnë përsëri. Kjo është mënyra më e lehtë për t’u perceptuar si i paqëndrueshëm dhe i çmendur.

Nëse dikush bën diçka me të cilën nuk jeni dakord, nuk keni nevojë ta kryqëzoni në internet. Bëjini ata të kuptojnë me pak sjellje pse jeni të shqetësuar dhe si mund të kenë ndikuar ato gjëra që kanë thënë. Të gjithë bëjnë gabime.

 

Si të ndërtoni marrëdhënie reale

Ndryshoni mentalitetin tuaj duke mos menduar se veçse dikush është i mrekullueshëm, vetëm për këtë arsye të dëshironi të jeni të lidhur me të. Ju kurrë nuk do të gjeni një mentor duke postuar dikë në Twitter dhe duke i thënë “Më mentoroni ju lutem! Të lutem shejhun im!”

Mënyra për t’u lidhur me të vërtetë me njerëzit është duke u shtuar atyre vlerë. Nëse vëreni se dikush po jep një kurs për një temë të caktuar – bëhuni personi që i dërgon kërkime të dobishme. Dërgojuni atyre një citim ose anekdotë të këndshme që mund t’u duket e dobishme.

Përqendrohuni te ndikimi i punës së tyre, jo tek ata. Ju nuk do të lidheni me dikë duke i lajkatuar. Tregojuni atyre se si ndikoi puna e tyre tek ju. Tregoni se si e morët diçka që ata mësuan dhe e zbatuat atë, dhe cili ishte rezultati i saj.

Gjeni një mënyrë për t’i ndihmuar ata të arrijnë diçka, ose zgjidhe një problem të tyre pa i pyetur ata.

Sa më shumë të jeni në gjendje ta bëni këtë, aq më shumë e vendosni veten në një pozicion për t’u bërë një këshilltar i besuar ose një kontribues i vlefshëm – jo një fans i çuditshëm në internet. E bukura e mediave sociale është se është më e lehtë se kurrë më parë të jesh në një pozicion për t’u shtuar vlerë të tjerëve dhe për të ndërtuar marrëdhënie me ta. Pasi ta bëni këtë, ata natyrisht do të bëhen mentorë, mësues dhe njerëz tek të cilët mund të shkoni për këshilla.

Një temë e madhe për të gjithë këtë projekt të mediave sociale është të kuptuarit se media sociale është një mjet, një lente zmadhuese. Mund ta përdorni për të larguar njerëzit, ose mund ta përdorni për të krijuar lidhje të paçmueshme. Kjo e fundit kërkon pak më shumë punë dhe mendim, por rezultati përfundimtar është i pabesueshëm.

Autor: Omar Usman | Muslimmaters | 2014

Solli në gjuhën shqipe: kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit