9.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Si të jemi të kënaqur me Allahun dhe si të fitojmë kënaqësinë e Allahut – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Ky ajet është i përmendur katër herë në Kuran. Dhe çdo herë që e lexoja ndalesha në to, meditoja në çast dhe e përsëritja në vete disa herë këtë frazë.

Ky ajet gjindet në suren el-Maide; ajeti 119, në suren et-Teube; ajeti 100, në suren el-Muxhadele; ajeti 22 dhe në suren el-Bejineh; ajeti 8.

“Allahu është i kënaqur me ta edhe ata janë të kënaqur me Te”.

Ky ajet përbëhet prej dy pjesëve:

Një: Allahu është i kënaqur me robin. Ky është qëllimi për të cilin veprojmë të gjithë.

Dy: Ata janë të kënaqur me Allahun. Pjesa më e rëndë dhe mendoj se duhet të ndalemi pak në te.

Më lejoni të pyes: a jeni të kënaqur me Allahun?

Pyetje e rëndë?!

Ta parashtrojë pyetjen në formë tjetër: a e di se çka domethënë të jesh i kënaqur me Zorin tënd?!

Të jesh i kënaqur domethënë të jesh i dorëzuar, të jesh i kënaqur me çdo gjë që ta ka ndarë Allahu ty në këtë jetë të dynjasë, qoftë e mirë apo e keqe.

Të jesh i kënaqur me Allahun domethënë që kur të godet një bela të mbushet zemra me bindje se Zoti yt ta do të mirën me këtë sprovë.

Të jesh i kënaqur me Allahun domethënë të ndalesh nga ankimi para njerëzve dhe t’ia lësh çështjen tënde Allahut dhe vetëm Atij t’ia adresosh ankesën tënde.

Të jesh i kënaqur me Allahun domethënë të jesh i kënaqur me Zotin Tënd edhe kur të jep edhe kur të merr, edhe kur të pasuron edhe kur të varfëron, edhe kur je me shëndet edhe kur je i sëmurë. Të jesh i kënaqur me Zotin tënd në të gjitha situatat.

Shiko përreth dhe pyete veten: a je i kënaqur me formën tënde, a je i kënaqur me gruan tënde, a je i kënaqur me familjen tënde, a je i kënaqur me caktimin tënd? Të gjitha këto gjëra ti ka zgjedhur Allahu, a je i kënaqur me atë që ta ka zgjedhur Allahu?!

Disa pika me rëndësi duhet ti kuptojmë gjatë meditimit rreth këtij ajeti:

1- Të jesh i kënaqur me Allahun assesi nuk domethënë të mos ndjesh dhimbje, atë mund ta ndjesh ndonjë herë me shkak ose pa shkak. Ne jemi njerëz dhe kjo dynja është vend i sprovimit , askush nuk i ka shpëtuar e as që do ti shpëton. Edhe njeriu më i mirë në fytyrën e tokës qau kur i vdiq djali i tij.

2- Ka dallim mes të jesh i kënaqur dhe të durosh. Të jesh i kënaqur është një gradë më e lartë se të durosh. Sabri, durimi domethënë të durosh dhimbjen, sepse ky ka qenë caktimi dhe nuk ke asgjë për të bërë, kurse të jesh i kënaqur domethënë të falënderosh Allahun për këtë dhimbje.

3- Të jesh i kënaqur me Allahun është një gradë shumë e lartë te e cila arrin vetëm ai që e ka të mbushur zemrën me dashuri ndaj Allahut. Ka njerëz përreth nesh të cilëve kur u vjen ndonjë fatkeqësia i dëgjon duke përsëritë vetëm fjalën e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem: “jam i kënaqur që Allahun të kem Zot, Islamin fe dhe Muhammedin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, pejgamber”.

Sa besim i shkëlqyeshëm dhe sa bindje e shkëlqyeshme!

4- Dije me dituri të plotë se Allahu nuk të sprovon për ndonjë qëllim tjetër pos që ti falë mëkatet apo ti ngritë gradat në Xhenet, andaj ji i kënaqur me Zotin tënd.

5- Nëse njeriu nuk është i kënaqur me Zotin e vet edhe nëse e posedon tërë dynjanë ai kur ska me qenë i kënaqur. Ai që është i kënaqur (me Allahun) atij i takon kënaqësia, e ai që është i hidhëruar (me Allahun) atij i ngel hidhërimi”. Ai do të ngel i hidhëruar me çdo gjë dhe do të jetojë në vuajtje dhe vështirësi.

Në prizëm të këtij ajeti analizo dhe medito:

* Analizo jetën tënde dhe koncentrohu në gjërat që je privuar prej tyre, ose të janë marrë dhe pyete veten: a je i kënaqur me Allahun. Pastaj përsërite: o Zot! Unë jam i kënaqur me Ty, kënaqu edhe Ti me mua!

* Kontrollo fjalët dhe sjelljet tuaja. Nëse je njeri që nuk ndalesh nga ankesat dhe qarjet dije se je njeriu më fatzi dhe se je në rrezik të madh. Kontrollo veten!

* Çdo herë që të ngushtohet jeta përsërit: jam i kënaqur që Allahun kam Zot, Islamin fe dhe Muhammedin, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, pejgamber.

* Kujtoje se të jesh i kënaqur me Allahun është rruga që të çon të fitosh kënaqësinë e Allahut.

* Afroju Allahut me të gjitha ato shkaqe që e shtojnë dashurinë tënde ndaj Tij, sepse kur ta duash Allahun, atëherë e do edhe caktimin e Tij.

Në fund, dije se “ajo që të ka goditur nuk do të kishte huq dhe ajo që të ka huq nuk do të kishte goditur”.

Përshtati: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit