20 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Si ta sistemojmë ne të tashmen?

Më të lexuarat

Fjala është për sistemimin e vlerave dhe të përparësive, dhe pastrimin e ambientit të shtëpisë tënde. Pasi të pastrojmë të kaluarën, ne duhet të “sistemojmë të tashmen”.

Isha në Montreal, dhe një zonjë në fund të të tridhjetave më erdhi në klinikën time për konsultë. Ajo ishte shumë e mërzitur dhe mendonte të divorcohej, e më tha: Doktor, çfarë duhet të bëj, që të dal nga kjo gjendje negative?

Unë i thashë: Do të të kërkoj të bësh disa gjëra, dhe nëse nuk i bën ato, mos më telefono herë tjetër!

Pastaj i dhashë një kasetë të regjistruar, dhe i thashë: Shko me makinën tënde në një lavazh makinash, dhe pastroje tërësisht makinën tënde, nga brenda dhe nga jashtë, dhe kur ta mbarosh këtë punë, më telefono!

Ajo e pastroi makinën nga brenda edhe jashtë, pastaj më telefonoi. Unë i thashë: Ndize kasetën ta dëgjosh, dhe ndërsa je duke ecur, kalo pranë ndonjë dyqani lulesh. Ndalo dhe bli një tufë me lule, dhe kur t’i blesh lulet, më telefono menjëherë!

Kështu pra, unë po ecja më të hap pas hapi, dhe kur i bleu lulet, ajo më telefonoi dhe më tha: Çfarë të bëj tani? Unë i thashë: Kur të mbërrish në shtëpi, më telefono!… Dhe sapo mbërriti në shtëpi më telefonoi, dhe më tha: Çfarë të bëj?

Unë i thashë: Vendosi lulet në një dhomë që ti e dëshiron më së shumti që ajo të jetë e ndriçuar!

Ajo i vendosi lulet në sallonin e ndenjjes. i vendosi lulet në sallon. Ajo nuk e duroi dot që salloni të ishte i papastruar, prandaj e pastroi atë… hapi dritaret…

Kur njeriu pastron, mendimet e tij zgjerohen dhe shpërndahen.

Pasi pastroi sallonin, ajo shkoi e pastroi edhe dhomën e gjumit, pastaj të gjithë shtëpinë, dhe më tha: Doktor, kam një ndjesi jonormale. Lulet ma bënë jetën gjithë ngjyra…

Pastaj më tha: Do të të flas njëherë tjetër, sepse tani më erdhi bashkëshorti në shtëpi.

Kur bashkëshorti i saj kishte hyrë dhe e kishte parë shtëpinë, sikur e kishte vënë re se diçka nuk ishte në rregull, dhe gati sa nuk kishte dalë… Gruaja e tij, pasi e kishte pastruar shtëpinë, i kishte kushtuar kujdes edhe vetes së saj, dhe kishte veshur rrobat më të mira.

Burri i saj i kishte thë në: Kur u martuam, ishim si tani në këto momente, por i paskemi harruar ato ditë, e unë të falënderoj shumë për çfarë paske bërë sot, sepse je lodhur e ke bërë gjithë këtë punë…

Pastaj,edhe ai kishte hyrë dhe kishte bërë një dush, ishte pastruar dhe më pas i kishte veshur rrobat më të bukura edhe ai.

Ajo pastaj më pati thënë: Doktor, në ato momente unë isha shumë e lumtur. Çfarë bëre që ndodhi kjo me ne?

Unë i thashë: Së pari, unë pastrova rrethinën e mendimeve të tua. Pastaj, kur ti e pastrove makinën tënde nga brenda edhe nga jashtë, shikove veten tënde, dhe mendove për pastrimin e përgjithshëm.

Dhe kur dëgjove kasetën, ti dëgjove fjalë të forta, të cilat të ndihmuan në zgjimin e energjisë brenda teje.

Pastaj, jeta jote përpara se të blije lulet, ishte bardhë e zi, por më pas ajo u bë me ngjyra, dhe fillove të mendosh më mirë, sepse njeriu mendon me imazhe, dhe ka aftësinë të mendojë me ngjyra. Kur unë të kërkova t’i vendosje lulet në vendin më të mirë, ti i vendose ato në sallon, që të mund t’i shikoje nga brenda dhe nga jashtë shtepisë. Ti vendose t’i vije lulet në sallon, por, nuk shkon që lulet të jenë të bukura dhe të pastra, dhoma ku janë vendosur të jetë e papastruar… Prandaj, ti e pastrove edhe sallonin… pastaj e pastrove gjithë shtëpinë. E pasi pastrove gjithçka, fillove të mendosh ta pastrosh edhe veten tënde personalisht.

E kur bëre dush, dhe veshe rrobat më të bukura tuat, imazhi yt për vetveten u përmirësua. Pastertia e brendshme dhe ajo e jashtme, bënë që ti të ndihesh e kënaqur dhe e lumtur. Pastaj, kur bashkëshorti yt erdhi në shtëpi, ai nuk duroi të ishte i papastër mes këtij ambienti mrekullueshëm të pastër, prandaj edhe ai u pastrua, e ky pastrim është rrethina e jetës sonë të jashtme, por i cili punon edhe për pastrimin e rrethinës sonë të brendshme.

Zoti thotë: “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata vetë ta ndryshojnë veten e tyre”.

Prandaj, njerëzit duhet së pari ta pastrojnë veten e tyre, t’i pastrojnë mendimet e tyre.

Mendimtar është ai i cili në mendjen e tij gjendet një mendim.

Ideja shkakton të menduarit… të menduarit shkakton përqendrimin ose fokusimin… fokusimi është shkak i vënies re… dhe vënia re është shkak për ndjesinë… e ndjesia është shkak për sjelljen…. dhe sjellja është shkak për rezultatet… dhe rezultatet janë shkak për fatin tënd… E nëse dëshiron ta ndryshosh fatin dhe ta ndryshosh të ardhmen tënde, kthehu dhe ndrysho mendimet.

Nëse dëshiron të ndryshosh diçka në jetën tënde, fillo të pastrosh veten tënde nga brenda, dhe sistemoje të brendshmen tënde, pastaj dhe anën e jashtme tënden! Kur të fillosh t’i sistemosh mendimet e tua, së pari pyete veten: Cilat janë përparësitë e tua? Cila është gjëja që ti dëshiron ta bësh më shumë se asgjë tjetër në jetën tënde?

Sistemoji mendimet e tua! Sistemoji përparësitë e tua! Që tani merre një letër dhe një stilolaps, e shkruaj dhe sistemo mendimet e tua dhe përparësitë e tua, dhe pastaj vë re se çfarë do të ndjesh më pas! Do të ndjesh qetësi në shpirt.

Kjo sepse ti i njohe aftësitë e tua të pakufishme, e pranove veten tënde plotësisht, bëre zgjedhjen tënde, e mbajte përgjegjësinë, e pastrove të kaluarën tënde edhe gjithë çfarë të pengonte për të ecur përpara. Ajo çfarë mund të të kthejë pas, është e kaluara dhe programimi negativ, që ty në fakt duhet të të shërbejë si diçka nga e cila ti mëson… Atë përvojë të kaluar, ti duhet ta kthesh në “pasuri” eksperiencash.

Kur truri mendon në të kaluarën, dhe cikli mendor kthehet atje, ai hap një dosje që kërkon ta përdorë në lidhje me botën e jashtme dhe me botën e brendshme. Çfarë është ajo që unë mund të bëj në këtë rast? Unë duhet ta jetoj momentin, me plot kuptimin e tij! Duhet t’i sistemoj mendimet e mia, t’i sistemoj përparësitë e mia, dhe që këtu unë mund ta ndërtoj të ardhmen time. Dhe faza e cila vjen menjëherë pas kësaj, është gatishmëria e plotë.

Për shembull, sportisti, për të marrë pjesë në çfarëdo lloj kampionati, atij i duhet të përgatitet mendërisht e fizikisht, dhe të stërvitet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Siç e dini, unë kam qenë kampion i Egjiptit në pingpong, e kjo nuk ishte diçka e lehtë për mua që ta arrija. Unë stërvitesha 6 deri në 10 orë çdo ditë. Gjatë gjithë kohës mendoja me vete se çfarë doja të arrija vërtetë, bëja vlerësimin e asaj që doja të arrija, dhe më pas sigurohesha për energjinë time fizike. Çdo ditë vrapoja të paktën një milje, e më pas e ushtroja veten pranë tavolinës së pingpongut, për t’i njohur sa më mirë të gjitha pozicionet e lojës.

Kjo do të thotë se çdo kampion duhet të stërvitet fizikisht dhe mendërisht. Ai duhet të stërvitet në praktikimin e të gjitha mjeshtërive të lojës, në tërësi. Për shembull, mjeku kirurg gjithashtu duhet të jetë i përgatitur mirë për çfarë do të bëjë. Edhe inxhinieri duhet të jetë i përgatitur për të ndërtuar një shtëpi; ai duhet patjetër të stërvitet mirë para se të fillojë të hedhë themelet e saj…

Edhe gruaja shtatzënë duhet të jetë e përgatitur për lindjen, dhe të marrë në konsideratë trupin e saj, mendimet dhe shëndetin e saj, e të mos pijë duhan, në mënyrë që fëmija të jetë shëndosh e mirë kur të lindë… Kjo do të thotë që secili prej nesh duhet ta “armatosë” veten e tij, dhe të jetë plotësisht i përgatitur për sfidat e jetës. Kur unë të them se “Njohja dhe perceptimi i jetës prej teje, është diçka e shkëlqyer, pranimi i plotë i vetvetes tënde, prej teje, është diçka perfekte, dhe se duhet të vendosësh t’i përdorësh këto aftësi!”… këto janë vetëm fillimi.

Pastaj vjen “Zgjedhja e mënyrës që ti dëshiron”… pra tani ti je brenda çështjes…

Dr. Ibrahim el-Fekij
Zgjoji aftësitë dhe ndërto të ardhmen tënde

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit