7.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Si mund të na ndihmojë Profeti a.s në sfidat tona 

Më të lexuarat

Nga: Reehab Ramadan

Si mund të na ndihmojë Profeti a.s në sfidat tona

 
Shpeshherë mendojmë se Allahu nuk na do për shkak të vështirësive me të cilat përballemi, por e vërteta është se Allahu me mëshirën e tij na ka ofruar një shembull të cilin mund ta ndjekim. Allahu xh.sh na ka ofruar mundësinë t’i referohemi Profetit a.s kur përballemi me vështirësitë e ndryshme të jetës. Duke lexuar jetën e Profetit a.s dhe kuptuar sprovat që ai kaloi jemi në gjendje të lidhemi në nivel personal me të. Mund të kuptojmë që ai ishte sikurse njerëzit e tjerë: kur pritej i rridhte gjak, kur ndodhej përpara situatave të vështira ndihej i rënduar emocionalisht, por pavarësisht kësaj, ai vazhdoi të luftonte në rrugën e Allahut duke mos u shmangur nga qëllimi përfundimtar, arritjen e kënaqësisë së Allahut dhe hyrjen në xhenet.
Profeti a.s e nisi jetën me një sprovë të rëndë. Ai erdhi në botë si jetim. Sigurisht që mungesa e babait mund të dëmtojë vetëbesimin e fëmijës, veçanërisht në një shoqëri si ajo në të cilën u lind Profeti a.s. Ai lindi në një kulturë ku prejardhja fisnore ishte gjithçka dhe jetimët përbuzeshin. Të gjithë ata që e kanë nisur jetën në një mënyrë kulturalisht të papranueshme, qoftë për shkak të një problemi shëndetësor ose dobësie në prejardhje, mund të ngushëllohen me faktin që I dashuri ynë përballoi të njëjtën vuajtje dhe arriti ta tejkalonte atë falë vullnetit të Allahut xh.sh.
Në mungesë të babait, Profeti a.s, mund të mbështetej vetëm tek e ëma. Pasi lidhja e tij emocionale me të u forcua, në moshën kur kujtimi për të ishte i qartë, ai e humbi edhe atë. Imagjinoni dhimbjen emocionale që duhet të ketë përjetuar për shkak të mungesës së babait dhe vdekjes së nënës. Megjithatë ai vazhdoi jetën me vendosmëri. Vendin e prindit për të e zuri gjyshi. Gjyshi e donte me gjithë shpirt Profetin a.s dhe kujdesej për të si ta kishte fëmijën e tij. Megjithatë, pak kohë pas vdekjes së nënës së tij, edhe gjyshi kaloi në botën tjetër.
Keni humbur njërin ose të dy prindërit? Profeti a.s mund t’ju ngushëllojë.
Profeti Muhamed a.s nuk u dorëzua përpara sfidave të jetës. Pas vdekjes së gjyshit të tij, ai shkoi të jetonte me xhaxhain, Ebu Talibin, me të cilin krijoi një lidhje të fortë emocionale që do të rezultonte jetësore për misionin e tij të ardhshëm.
Kur Profetit a.s i zbriti shpallja dhe filloi të predikonte Islamin, ai u përball me një tjetër sprovë të rëndë. Ai u përqesh, u nënçmua dhe u akuzua si i çmendur prej pjesës më të madhe të komunitetit të tij. Ishin njerëzit me të cilët ai kishte ndarë gëzime, kishte bashkëvepruar dhe jetuar në harmoni.
Keni humbur ndonjë fëmijë ose mjeku iu ka thënë se nuk do të mund të bëheni kurrë prind? Tek jeta e Profetit a.s mund të gjeni ngushëllim.
Në kohën e Profetit a.s lindja e djemve ishte thelbësore. Lindja e vajzave ishte shpenzim i kotë dhe ndonjëherë edhe turp. Burrat e konsideronin lindjen e vajzave fatkeqësi aq të madhe sa shpesh i merrnin vajzat dhe i varrosnin të gjalla, me shpresën se fëmija i radhës do të ishte djalë. Në mesin e një shoqërie ku mbizotëronin bindje të tilla, Profetit a.s nuk i jetoi asnjë djalë. Komuniteti i tij nuk kishte simpati për të dhe i drejtohej me epitetin e rëndë “sojshuar”. Imagjinoni si do të ndiheshit po të humbnit një djalë që për ju është më i shtrenjtë se gjithë bota, dhe përveç hidhërimit, t’ju duhej të duronit edhe damkosjet dhe fjalët e rënda të komunitetit ku jetoni. E megjithatë ai qëndroi i palëkundur.
A iu ka akuzuar ndokush për diçka që nuk e keni bërë? A janë përpjekur t’ua njollosin emrin me shpifje dhe thënie të pavërteta? Tek shembulli i Profetit a.s mund të gjeni ngushëllim.
Gjatë kohës që Profeti a.s ishte i martuar me nënën e besimtarëve, Aishen r.a, ndodhi një ngjarje e rëndë. Një burrë, të cilin babai i Aishes e kishte ndihmuar dhe mbështetur rregullisht e akuzoi nënën e besimtarëve për një mëkat të rëndë dhe një turp të madh. Imagjinoni, një nga njerëzit më të dashur për ju akuzohet si i pabesë. Për të filluan të qarkullojnë fjalë. Ndjenjat e shumë njerëzve u lënduan dhe zemrat e tyre u copëtuan. Së fundmi pafajësia e saj u dëshmua përmes shpalljes së Allahut, më të lartit, dhe nderi i saj mbeti i pacenuar.
A ka pasur ndonjë person që e keni dashur me gjithë zemër dhe për të cilin keni bërë të gjitha përpjekjet që të pranojë Islamin, por pa sukses? Profeti a.s është shembulli më i mirë ngushëllues.
 Një tjetër ngjarje e trishtueshme në jetën e Profetit a.s ishte vdekja e xhaxhait të tij të dashur. Jo vetëm vdekja e tij, por edhe mospranimi i Islamit prej tij, edhe pse i ishte gjendur gjithmonë pranë Profetit a.s ishte një tjetër fakt i trishtë. Profeti a.s ishte përpjekur fort që ai të pranonte Islami, por krenaria dhe nënshtrimi i tij ndaj fesë së paraardhësve nuk e lejoi të pranonte Islamin përpara se të kthehej tek Allahu xh.sh.
A jeni refuzuar ndonjëherë nga të dashurit tuaj edhe pse jeni përpjekur për të mirën e tyre? Profeti a.s mund t’ju ngushëllojë.
Poshtërimi, përzënia, lëndimet fizike, kërcënimet verbale dhe shumë vuajtje të tjera iu shkaktuan Profetit a.s përgjatë jetës së tij, duke e shndërruar atë në një person që mund të shërbejë si burim kuraje për secilin prej nesh. Gjithaq sa përmendëm më lart janë vetëm pikla uji në detin e vuajtjeve përmes të cilit ai kaloi gjatë jetës së tij. Megjithatë, ai ishte gjithmonë i përmbajtur dhe i qetë. Paqja e tij buronte nga brendësia e shpirtit. Ai ishte njeriu që dhuronte paqe (selam). Shpesh themi me vete: “Kam kaluar shumë sfida. Askush nuk më kupton dhe nuk mund të më ndihmojë.” Unë iu sugjeroj të mendoheni sërish. Profeti a.s kaloi shumë vështirësi në jetën e tij, megjithatë vazhdoi të qëndronte i palëkundur. Ai mund t’ju gjendet pranë në çastet e dhimbjes, sepse ai e dinte ku të kthehej për ndihmë. Ai kthehej për mbështetje tek Allahu, më i larti. Ngushëllohuni me faktin që Profeti a.s është udhërrëfyesi juaj. Ndiqni hapat e tij dhe kthehuni tek i Vetmi që mund t’ju ofrojë paqe të qëndrueshme, dhe jini besimplotë se vetëm ai mund t’ua lehtësojë vuajtjet.
 
Marre nga:  http://www.profetimuhamed.info

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit