10 C
Pristina
Friday, March 1, 2024

Si duhet dhe si nuk duhet të jetë Asociacioni sipas Chollet dhe Escobar

Më të lexuarat

Zyrtarët amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar kanë thënë se tani është koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një shkrim autorial, ata kanë treguar se si do të duhej të ishte Asociacioni dhe se si nuk do të duhej të ishte.

Ata thonë se Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë serbe, i cili do të bashkërendiste çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban e rural si dhe zhvillimi ekonomik.

“Në përgjithësi, Asociacioni do të ishte strukturë për komunat me popullatë me shumicë etnike serbe për të bashkërenditur çështjet dhe shërbimet si arsimi, kujdesi shëndetësor, planifikimi urban dhe rural dhe zhvillimi ekonomik lokal – me fjalë të tjera, funksionet për të cilat të gjitha komunat në Kosovë janë përgjegjëse”.

“Është mënyrë për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, krijimin e besimit ndërmjet serbëve etnikë dhe qeverisë qendrore, sigurimin e lidhjeve më të mira ndërmjet veriut dhe pjesës tjetër të vendit, dhe krijimin e mekanizmave për serbët për pjesëmarrje më të madhe në jetën shoqërore të Kosovës”, thuhet në tekstin atuorial të Chollet dhe Escobar.

Chollet dhe Escobar, thonë se e kundërshtojnë rreptësishtë krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje.

“Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që të ofrojë vizionin e saj për këtë asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve”.

Ata kanë elaboruar se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë një Asociacion i komunave me shumicë serbe.

“Komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët do të mund të punonin në mënyrë më efikase së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e shërbimeve publike, nëpërmjet ekonomive të shkallës dhe shkëmbimit të praktikave më të mira”.

Sipas tyre, Asociacioni nuk do t’ia shtonte qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

“Ky parim i rëndësishëm daton që nga propozimi i Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në bashkë-menaxhimin e juridiksioneve brenda institucioneve dhe strukturave legjitime kosovare. Duke lejuar komunat e caktuara që në mënyrë më efikase të ushtrojnë kompetencat që tashmë i kanë, kjo do të mënjanonte nevojën që qytetarët kosovarë të kërkojnë shërbime nga strukturat paralele ilegale – siç bëjnë shumë veta tani – dhe do të ruante transparencën dhe ligjshmërinë e strukturës së re sipas dhe brenda ligjit kosovar”.

Ata kanë deklaruar se “është me rëndësi të vihet në pah se një Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte një-etnik”.

“Këto do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë –të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen.

Si mikja dhe aleatja më e afërt e Kosovës, ne besojmë se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantik”, kanë deklaruar Chollet dhe Escobar. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit