7.4 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Si do të pozicionohet Gjermania ndaj Ballkanit Perëndimor në vitin 2023?

Më të lexuarat

Tej gjeopolitikës, cili është interesi i Berlinit për rajonin, edhe kur lobon heqjen e vizave për Kosovën?

Në vitin 2022, Gjermania përjetoi një përmbysje të politikës së jashtme në shumë segmente. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës nuk e uli interesin për Ballkanin Perëndimor, por e thelloi më tej.

Nëpërmjet Procesit të Berlinit, i cili u iniciua pothuajse dhjetë vjet më parë (në vitin 2014) nga Angela Merkel, rajoni i Ballkanit Perëndimor është ngritur në renditjen e prioriteteve të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian në vitet e fundit. Por ndërkohë, pak ka mbetur nga entuziazmi fillestar.

Në vitin e fundit të mandatit të saj, në 2021, Angela Merkel vendosi ta ndryshojë këtë, duke nisur një lloj ofensive diplomatike gjermane në këtë pjesë të Evropës me takime të shumta dypalëshe. Ministrat e Punëve të Jashtme, si dhe presidentët e shteteve dhe qeverive, u rreshtuan në pranverën e vitit 2021 në Berlinin ende pandemik si në një rrip transportieri, kujton Deutsche Welle.

Në të njëjtën periudhë, pra edhe para zgjedhjeve të shtatorit 2021, Gjermania bëri një përpjekje të dukshme për të emëruar politikanin demokristian Christian Schmidt në postin e përfaqësuesit të lartë për Bosnje-Hercegovinën, gjë që në fund ia doli.

Vazhdimi i aktiviteteve

Politika e mbajtjes së Evropës Juglindore në krye të agjendës së politikës së jashtme të Gjermanisë dhe BE-së vazhdoi edhe pas ndryshimit të qeverisë në Gjermani dhjetorin e kaluar. Qeveria e re social-demokrate-gjelbër-liberale, si qeveria e parë gjermane në koalicion të gjerë, përfshiu Ballkanin Perëndimor në marrëveshjen e saj të koalicionit dhe afrimin e vendeve të rajonit me Bashkimin Evropian si një nga synimet kryesore të politikës së jashtme. Qeveria e re prezantoi edhe postin e komisionerit për Ballkanin Perëndimor, i cili iu besua një njohësi të mirë të situatës në rajon, politikanit të gjelbër Manuel Sarrazin.

Edhe atëherë, ishte e qartë se Gjermania dhe Perëndimi po shfaqin sërish interes për Ballkanin Perëndimor, pasi u bë evidente vitet e fundit se lojtarë të tjerë globalë si Kina, Turqia dhe Rusia janë gjithashtu të interesuar në këtë pjesë të Evropës, si një urë lidhëse me pjesën tjetër të kontinentit.

Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës në fund të shkurtit jo vetëm që përmbysi shumë segmente të përditshmërisë politike gjermane, por gjithashtu thelloi interesin e shtuar gjerman për Ballkanin Perëndimor. Që atëherë, asnjë citim i vetëm i një ministri gjerman kushtuar Ballkanit Perëndimor nuk ka kaluar pa përmendur detyrimisht kushtet e reja në të cilat ndodhet bota që nga fundi i shkurtit dhe nevojën që “bota demokratike të shtrëngojë radhët e saj madje më shumë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit