8.8 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Shumë hile e bujë për “një vrimë në ujë” – nga Abdi Baleta për takimin e Ohrit

Më të lexuarat



Kundër dëshirës sime mbeta i gozhduar nga një thënie që vjen nga lashtësia, kur bëheshin Ligjet e Solonit, si e ka lënë të shkruar Plutarku: “Dihet se ligji i parë dhe themelor i natyrës është se kushdo që do ndihmë për të shpëtuar duhet të vihet nën urdhrat e atij që është në gjendje ta shpëtojë”. Pas ngjarjeve shpëtimtare lidhur më Kosovën në vitet 1999 dhe 2008, shqiptarët e kanë përvetësuar e zbatuar në mënyrën më të mirë këtë ligj. Por, ja që edhe kjo gjë rezulton e pamjaftueshme për t’i mbrojtur si duhet interesat kombëtare.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Kjo është e gjitha çfarë na u shpalos para syve në mbrëmjen e datës 18 mars 2023 nga Ohri.

I pari u shfaq në ekran më i bëshmi fizikisht nga bashkëbiseduesit, presidenti i Serbisë, Vuçiq, që shtirej edhe si më i lodhuri e më i brengosuri nga të gjithë, ngaqë ishte vënë në pozitë aq të vështirë, sa nuk mund të nënshkruante një marrëveshje për të cilën po thuhej se ishte arritur, por me të cilën ai nuk mund të ishte dakord. Për të dalë nga ky hall, Vuçiqi premtoi se arsyet e këtij qëndrimi do t’i shpjegonte ditën e nesërme, kur ai t’i drejtohej popullit të vet. Pra, Vuçiqi ishte i pari që dha lajmin se në Ohër ishte bërë një vrimë në ujë mbas gjithë asaj diplomacie të madhe në Europë e Amerikë gjatë takimeve diplomatike paraprake e që doli se paska qenë rrahje uji në havan edhe gjatë atyre 10 orë diskutimesh. Por, e gjitha kjo Vuçiqin nuk e kishte trembur e larguar asnjë milimetër nga qëndrimi millosheviqian i shkurtit e marsit 1999, për të mos e nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë. Vuçiqi, tani, ishte shumë më i avantazhuar se Millosheviqi atëherë, sepse nuk kishte më kurrfarë rreziku mbi kokë të ndonjë fushate bombardimesh ajrore kundër Serbisë, si më 24 mars 1999. Përkundrazi, Vuçiqi mund të krekosej në Ohër se fuqitë kryesore, që atëherë vendosën për bombardimin e Serbisë, tani ishin si të penduara dhe donin të lanin një pjesë të atij mëkati, duke e vënë shtetin e Kosovës në shënjestër të goditjeve diplomatike e politike dhe duke e përkëdhelur fort Serbinë.

Pas Vuçiqit, ishte zotëria spanjoll, Boreli nga Brukseli, që me një të folur pa shumë lidhje, lëshoi vetëm një fjali që e meritonte të mbahej shënim dhe që vërtetoi përfundimisht se në Ohër ishte bërë me gjithë atë bujë vetëm një vrimë në ujë. Madje, as projekti franko-gjerman i marrëveshjes Serbi-Kosovë nuk do të pinte më ujë. Boreli porositi “të bëhet kujdes ndaj teksteve të marrëveshjes, sepse djajtë fshihen në hollësira”. Pra, edhe Boreli nga Brukseli e parandjente që varka e diplomacisë europiane, e pilotuar nga Franca e Gjermania dhe e vëzhguar me kujdes nga SHBA-ja, kishte filluar të fuste ujë që në Ohër për shkak të defekteve të lëna gjatë ndërtimit (përpilimit të hollësirave ku mund të fshihen djajtë). Boreli nga Brukseli nuk saktësoi se cilët ishin djajtë e fshehur në hollësira, por një logjikë normale të çon të besosh se së pari janë djajtë e diplomacive perëndimore, miqtë e Serbisë, që kurdisin intrigat e ngatërresat “për hir të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë”, kur dihet se tani nuk ekzistojnë as gjasat më të vogla për të ecur drejt këtij normalizimi të pabesueshëm se mund të arrihet edhe për shumë kohë në të ardhmen, sidomos nëpërmjet bisedimesh si ato të Ohrit.

Ishte presidenti i Serbisë ai që të nesërmen e bisedimeve i bëri hi e pluhur shpresat iluzore që u trumbetuan në Ohër se marrëveshja është arritur e tani duhet zbatuar, duke e nisur nga përpilimi prej vetë kosovarëve i projektit të Zajednicës, pra duke filluar me një gjest vetëvrasës të Kosovës, njëjtë siç u veprua në rastin e krijimit të Gjykatës Speciale. Vuçiqi, duke iu drejtuar popullit, deklaroi dhe u betua se nuk ka nënshkruar e nuk do të nënshkruajë asnjë marrëveshje me Kosovën, ku të përfshihet njohja e shtetit të pavarur të Kosovës dhe pranimi i Kosovës në OKB. Pra, Vuçiqi e përsëriti betimin e politikës e të diplomacisë serbe se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje të problemit sipas kërkesave të Kosovës, por duhet që Kosova ta ulë kokën e të pranojë të hyjë sërish nën hyqmin politik, juridik, ekonomik e ushtarak të Serbisë, siç ka qenë deri në vitin 1999.

Dalja e Albin Kurtit para kamerave televizive në Ohër në mbrëmjen e 18 marsit nuk jepte asnjë shenjë se ne Ohër ishte arritur diçka thelbësore për të drejtat dhe interesat e Kosovës. Ai, për rehati diplomatike, u shpreh se kishte qenë i gatshëm të firmoste një marrëveshje, por pala tjetër, pra Vuçiqi, nuk kishte dashur. Ai u bëri thirrje Europës e SHBA-së të ushtrojnë trysni mbi Beogradin. Përgjigjja e Beogradit ishte e menjëhershme, se askush nuk mund ta detyrojë Serbinë ta njohë Kosovën.

Pra, Kosova vihet me shpatulla në mur: ose t’i përshtatet strategjisë serbe ose të humbasë shumë nga simpatia që ka gëzuar në diplomacinë perëndimore. Morali, drejtësia, logjika e shëndetshme politike e kërkojnë që Kosova të mos kapitullojë edhe një herë para shantazheve serbe. Logjika, morali, përgjegjshmëria politike e kërkojnë që Kosova të mos e tolerojë më tej që t’i nëpërkëmben interesat e saj më madhore e të ligjshme para presioneve ndërkombëtare, që po i vijnë edhe nga mbështetës të fuqishëm të saj të deritanishëm. Por, ja që bota është e ndryshueshme. Sipas huqit që nuk më ikën, gërmova shumë në shënimet e nxjerra nga leximet mia të gjeja ndonjë thënie shpjeguese e të mençur për ta lehtësuar pezmatimin ku na hedhin meditimet rreth këtyre zhvillimeve. Kundër dëshirës sime mbeta i gozhduar nga një thënie që vjen nga lashtësia, kur bëheshin Ligjet e Solonit, si e ka lënë të shkruar Plutarku: “Dihet se ligji i parë dhe themelor i natyrës është se kushdo që do ndihmë për të shpëtuar duhet të vihet nën urdhrat e atij që është në gjendje ta shpëtojë”. Pas ngjarjeve shpëtimtare lidhur më Kosovën në vitet 1999 dhe 2008, shqiptarët e kanë përvetësuar e zbatuar në mënyrën më të mirë këtë ligj. Por, ja që edhe kjo gjë rezulton e pamjaftueshme për t’i mbrojtur si duhet interesat kombëtare. Duhet diçka e markës kombëtare. Shqiptarët nuk duhet të habiten kur vënë re se ndërkombëtarët, përfshirë dhe shumë miq të shqiptarëve, prej disa vitesh po e përkëdhelin Serbinë dhe lënë disi pas dore përkujdesjen për vuajtjet e shqiptarëve. Para disa vitesh kolegu im Hysamedin Feraj, në librin e tij “E Pafilozofuara”, ka stigmatizuar shprehjen lavdëruese shqiptare “ne nuk kemi pushtuar kurrë ndonjë popull tjetër” dhe e kujtojnë këtë si argumentin më të fuqishëm para botës për drejtësinë e çështjes sonë. Ndërkaq serbët i shenjtërojnë betejat e humbura të tyre. Feraj ka shkruar se duket që në botën liberale perëndimore vazhdon njëfarë respekti për serbët e Serbinë, që zhvilloi gjithë luftërat e fundit të shekullit XX në Ballkan. Ndërsa për shqiptarët konstatohet njëfarë mëshire, njëfarë humori sallonesh me ta, por nuk konstatohet ndonjë respekt i veçantë, pos në shprehjet diplomatike. Pra, serbët përfitojnë njëfarë respekti, shqiptarët përfitojnë vetëm mëshirë. Tani kësaj mëshire i shtohen dhe doza mospërfilljeje, madje edhe pakëz përbuzje.

Shqiptarët duhet ta ndryshojnë imazhin e vet për t’i mbrojtur këto interesa. Kosovarët duhet t’ia vënë veshin këshillës që i erdhi menjëherë nga diplomati i shquar amerikan, Uilliam Uoker, se do të jetë katastrofale për shtetshmërinë e Kosovës nëse kryeministri Kurti, edhe pas bisedimeve të Ohrit, tregon gatishmëri për ta krijuar Zajednicën. Është e lehtë kur ke vetëm për të shkuar kështu, por është e vështirë kur mban mbi shpatulla përgjegjësinë e përballimit në emër të shtetit të trysnisë që po i bëhet tani Kosovës nga diplomacia europerëndimore dhe ajo amerikane, që të pranojë lëshime të reja në favor të Serbisë.

Shqiptarët e Kosovës e të gjitha hapësirave shqipfolëse e kanë të drejtën dhe detyrën t’i nderojnë me mirënjohje të thellë të gjithë miqtë, që në momentet më të vështira në të kaluarën jo të largët u gjendën në krah të popullit të Kosovës. Por, edhe shprehja e mirënjohjes duhet t’i ketë disa rregulla të saj. Është e papërligjur t’u kërkosh shqiptarëve të Kosovës që mirënjohjen ta shprehin vazhdimisht me gjeste që i çojnë ata drejt rrënimit kombëtar, gjoja për hir të stabilitetit dhe shmangies së përshkallëzimit të tensioneve në Ballkan. Shqiptarët nuk mund të mohojnë se shteti i pavarur i Kosovës është krijuar falë politikës së vendosur të SHBA-së në kohën e presidentëve Bill Klinton e Xhorxh Bushi i Riu. Këta kanë qenë më shumë se kumbarë për shtetin e pavarur të sotëm të Kosovës. Por, ashtu si në marrëdhëniet e rëndomta njerëzore, edhe në politikat ndërkombëtare kur mund të të duket se krijesa jote po të bëhet barrë, është pafalshme dhe e paligjshme që të implikohesh në flakjen e saj tutje ose të shkosh dhe më larg për hir të koniunkturave.

Pozitat e shqiptarëve tani janë vërtet të vështira për përballimin e tërbimit të ri të shovinizmit serb dhe të përkëdhelive që po i bëhen këtij shovinizmi nga disa vende demokratike me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Por, pozita e shqiptarëve në këtë ballafaqim po dëmtohet rëndë edhe nga tensionet e shumëllojshme brenda shoqërisë shqiptare. Këtë e dëshmojnë sulmet pa parim e me rrjedhoja dëmprurëse që i krijojnë politikës zyrtare të qeverisë së Kosovës rrymat e forcat politike shqiptare që për gjithçka e fajësojnë qeverisjen e tanishme dhe kërkojnë posaçërisht nga kryeministri t’i nënshkruajë sa më shpejt të gjitha dokumentet që ndërkombëtarët i vënë mbi tryezë. Prandaj, një përballje të gjatë pikëpamjesh shqiptarët do të duhen ta bëjnë në gjirin tyre e mendjet e tyre për t’u përballur më mirë me rreziqet. Në Ohër doli qartë edhe një herë se nga bisedimet maratonike shqiptaro-serbe, siç janë zhvilluar deri tani, për shqiptarët nuk do të dalë gjë e mirë.

Revista Shenja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit