9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Shqipron Kuliqi, shembull i suksesit – shikimi i dobësuar nuk e ndaloi të triumfojë në arenën ndërkombëtare me sportin ‘Goalball’

Më të lexuarat

Shqipron Kuliqi, i riu nga Skenderaj, është një shembull i suksesit por edhe i asaj se si duhet të thyhen barrierat dhe paragjykimet për personat me aftësi të kufizuara.

Edhe pse problemin me shikimin e ka që nga lindja kjo nuk e pengoi që ëndrrat e tij t’i bëjë realitet.

“Jam Shqipron Kuliqi, vijë nga Skenderaj. Jam 26 vjeçar dhe person me shikim të dobësuar, por kjo nuk më ka penguar asnjëherë që të arrijë suksese. Kurse këtë problem e kam që nga lindja, pra kam lindur si person me shikim të dobësuar”, tha ai për Telegrafin.

Si dashamirës i sportit, Shqiproni në një intervistë për Telegrafin, shpalosi disa prej ëndrrave të tij të cilat me shumë punë dhe përkushtim ka arritur t’i jetësojë.

“Për sport mund ta përmendim që unë jam lojtar i rregullt në një sport i cili zhvillohet për të verbrit dhe për persona me shikim të dobësuar që quhet ‘Goalball’. Dhe në këtë sport përveç që marr pjesë në ekipet e Kosovës marr pjesë edhe në kombëtaren e Kosovës ku e përfaqësojmë shtetin jashtë vendit”, rrëfeu Kuliqi.

Foto: Shqipron Kuliqi

Përkundur sfidave dhe vështirësive, Shqiproni nga pasioni dhe puna e pandalur ka arritur kështu të rrëmbejë edhe trofe si ai në Malmo, në vitin 2015.

“Me këtë sport kam filluar të merrem shumë moti, prej që kam qenë fëmijë. Por me përfaqësuesen e Kosovës kam filluar që nga viti 2013 dhe rregullisht një herë po dy herë në vjet jashtë shtetit marr pjesë në turnir. Për mua viti më i suksesshëm ka qenë viti 2015. Si në aspektin sportiv, si jashtë këtij aspekti, pra atë social, ku në vitin 2015 në Malmo të Suedisë kam arritur të zgjidhem golashënuesi më i mirë i turnirit me 33 gola të shënuara në pesë ndeshje dhe kjo e ka shtu këtë sukses sepse ka pasur edhe lojtar të tjerë aty shumë më të mirë. Por unë isha në formë shumë të mirë dhe e arrita ta rrëmbeja atë çmim”, tregon ai.

Foto: Shqipron Kuliqi

Si një njeri me vendosmëri të lartë, Kuliqi e vlerëson jashtëzakonisht punën e arsimimit. Ai studimet fillore dhe ato të mesme i kreu në shkollën për të verbër në Pejë,  kurse studimet universitare në Departamentin e Gazetarisë në UP, duke e zhvilluar kështu pasionin dhe profesionin së bashku.

“Periudha e studimeve nuk ka qenë edhe e shumë vështirë, për shkak se kolegët e kanë bërë shumë të lehtë edhe profesorët po ashtu. Por edhe unë jam munduar në maksimum t’ua lehtësojë punën atyre me mua dhe kjo ka bërë që ta kemi një mirëkuptim, shumë të mirë me njëri-tjetrin. Kurse shkollimin fillor dhe atë të mesëm i kam përfunduar në shkollën për të verbër në Pejë. Unë kam studiuar në Departamentin e Gazetarisë në Fakultetin Filologjik për arsye se unë sportin e dua shumë e futbollin në veçanti. Vendosa që të studioj gazetarinë sepse kisha shumë informacione për sportin dhe dëshiroja ta ushtrojë këtë profesion në mënyrë që ta bëjë edhe punë edhe qef”, tregon Shqiproni.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit