Në kohë trazirash, kur njerëzit janë të hutuar dhe e vërteta përzihet me gënjeshtrën, kapja fort pas fesë bëhet sfidë e madhe, por edhe burim i një shpërblimi të jashtëzakonshëm. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) ka thënë:
“Adhurimi në kohë trazirash është si migrimi tek unë.” [Transmetuar nga Muslimi].
Imam Neveviu, duke e komentuar këtë hadith, sqaroi se fjala ‘trazira’ këtu nënkupton kohëra sprovash, paqartësish dhe përmbysjesh në shoqëri, ku njerëzit përzihen mes të vërtetës dhe të kotës, dhe shumica largohet nga adhurimi e përkushtimi.
Në këtë hadith, Profeti na mëson se ai që i qëndron fesë në këto kohë të turbullta, ka shpërblim të ngjashëm me atë që ka migruar prej Mekës në Medinë për hir të Allahut, duke lënë pas çdo gjë për ta ruajtur fenë e tij. Një sakrificë e tillë kërkon zemër të qëndrueshme dhe besim të palëkundur.
Imam Neveviu më tej thotë:
“Shkaku i madhështisë së adhurimit në këto kohë është se shumica e njerëzve janë të zënë, të hutuar dhe larg nga përkujtimi i Allahut. Vetëm pak prej tyre qëndrojnë të palëkundur në devotshmëri.”
Ky është një mesazh ngushëllues dhe forcues për të gjithë ata që përballen me sprova, padrejtësi apo presion vetëm pse kanë zgjedhur të jenë të ndershëm, besimtarë dhe të bindur ndaj ligjit të Allahut. Kur një njeri e di se qëndrueshmëria e tij në fe në kohë sprove i sjell shpërblim sa një hixhret, ai nuk lëkundet. Ai e kupton se është në rrugë të drejtë, dhe çdo vështirësi është një hap më afër kënaqësisë së Allahut.
Në kohën kur shumica ndjek dëshirat dhe epshet, ai që qëndron i devotshëm është i veçantë në sytë e Allahut. Lum ai që qëndron në dritën e udhëzimit edhe kur bota përreth ndodhet në errësirë. E shpërblimi i tij nuk është vetëm në këtë botë, por është përgatitje për të takuar Allahun me ballin lart dhe me zemër të qetë.
Hoxhë Rijad Misini
