-1.4 C
Pristina
Thursday, January 27, 2022

SHBA me sanksione ndaj grupit të Zvonko Veselinoviqit për krim të organizuar në veri të Kosovës

Më të lexuarat

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të mërkurën sanksione ndaj dhjetëra individëve dhe subjekteve në të gjithë Evropën dhe hemisferën perëndimore, duke shënjestëruar një grup të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës.

Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit shënjestëroi të mërkurën grupin e afaristit serb Zvonko Veselinoviq.

Përveç tij në listë janë edhe i vëllai Zharko Veselinoviq, pastaj Zhelko Bojiq, Milan Mihajloviq, Sinisha Nedeljkoviq, Radovan Radiq, Milan Radisavleviq, Milojko Radisavleviq, Milan Radojçiq, Marko Rosiq, Radule Steviq, Milivoje Vuloviq.

Grupi akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta.

Në këmbim, politikanët do t’u jepnin vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës dhe kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre.

Zvonko Veselinoviq, udhëheqësi i Grupit të Krimit të Organizuar (OCG), është një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë. OCG e Veselinoviqit është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësonin trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Telegrafi.

Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje “quid pro quo”, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin në fund të vitit 2017 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët.

Nga fundi i vitit 2017, Veselinoviq dhe vëllai i tij, Zharko Jovan Veselinoviq kishin marrëveshje me politikanët të cilët i ndihmuan kandidatët e tyre të fitojnë në zgjedhje.

Në këmbim, këta politikanë do t’u jepnin vëllezërve kontrollin e zonave të caktuara të bizneseve, ku ata mund të kryenin aktivitetet e tyre të paligjshme të biznesit pa ndërhyrjen e autoriteteve serbe. Politikanët gjithashtu do t’i shpërblenin vëllezërit Veselinoviq duke u dhënë vëllezërve projekte në infrastrukturë.

Nga fundi i vitit 2017, Veselinoviq dhe Zharko bënë donacione si metodë për pastrimin e parave që buronin nga sipërmarrja e tyre kriminale. Zharko ka qenë lider në OCG-në Veselinoviq – ku së bashku me vëllain e tij – kryen kontrabandat, frikësuan njerëzit e bizneseve, kërcënuan projektet e tyre të ndërtimit, infrastrukturës dhe projektet e zhvillimit të telekomunikacionit.

Përveç kësaj, Veselinoviq dhe grupi i tij u paditën për përfshirjen e tyre të dyshuar në vrasjen e liderit të partisë politike, Oliver Ivanoviq në janar të vitit 2018.

Veselinoviq dhe anëtarët e tjerë të OCG, Milan Rajko Radojçiq, Zeljko Bojiq dhe Marko Rosiq, të gjithë u përmendën në aktakuzë për vrasjen, secili duke shërbyer në mënyrën e vetë në atentatin kundër politikanit serb të Kosovës.

Raporti i plotë i Departamentit të Thesarit të Shtetit Amerikan mund ta lexoni KËTU/Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit