20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

SHBA: Kampanjë për kuptimin “e vërtetë” të xhihadit

Më të lexuarat

Prejse Osama bin Laden ka përdorur fjalën “xhihad” për të përshkruar sulmet e 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara, fjala e lashtë arabe është ngarkuar me kuptimin më të errët të mundshëm.

Në dekadën që ka pasuar, “xhihadi” është përdorur gjerësisht nga jomyslimanët dhe myslimanët si stenografi për luftën islamike kundër Perëndimit.

Me paratë e tij dhe donacionet nga mbështetësit, Ahmed Rehab, drejtor i Zyrës në Çikago të Këshillit për Marrdhënie Arabe, ka nisur një fushatë, e cila promovon një kuptim më pak të njohur të fjalës “xhihad” – atë të “luftës për një vend më të mirë, të pëmirësimit të jetës dhe të të bërit e asaj që duhet bërë e jo që është e lehtë”.

Reklamat, të cilat janë shfaqur nëpër autobusë dhe trena të Çikagos, San Franciskos dhe Uashingtonit, nxjerrin imazhe të amerikanëve myslimanë të qeshur. “Xhihadi im është të mbes e arsyeshme, me gjithë orarin tim të ngarkuar”, thotë një grua e veshur me hixhab. “Xhihadi im është të ec përpara, pavarësisht humbjes së djalit”, thotë një nënë me fotografinë e të birit në duar. “Xhihadi im është të mos heq kurrë dorë nga përpjekjet e mia”, thotë në anën tjetër një biznesmen me mjekër.

Reklamat pasqyrojnë kuptimin që Rehab thotë se e ka mësuar nga gjyshja e tij – një grua që ka qenë e paralizuar dhe që ka qëndruar për kohë të gjatë në shtrat.

“Kur e pyesja se si ia del, ajo thjesht thoshte: ‘Djali im, është xhihadi im’”, kujton Rehab.

Ai thotë se fushata e tij u drejtohet edhe myslimanëve, që u kanë dorëzuar fjalën ekstremistëve, edhe jomyslimanëve, të cilët janë të pavetëdijshëm se “lufta fetare” është vetëm një përkufizim i ngushtë.

“Janë ata që bëjnë një interpretim të veçantë të Islamit. Ata janë të dhunshëm”, thotë al-Rahim.

Rehab, në anën tjetër, thotë se myslimanët e moderuar “kanë qëndruar jashtë debatit” dhe kanë lejuar që ai të rrëmbehet nga dy ekstreme, të cilat kanë përcaktuar se si Perëndimi duhet ta shohë Islamin dhe si myslimanët duhet ta shohin Perëndimin.

“Nuk ka asnjë përçarje të natyrshme. Ja, unë jam dëshmitar i kësaj – një amerikan mysliman, i cili do shumë Amerikën dhe praktikon shumë besimin, ndërsa xhihadin e sheh si diçka që do të bënte për ta bërë Amerikën një vend më të mirë”, thotë Rehab.

Një grup tjetër, për të cilin Rehab thotë se ka vjedhur fjalën “xhihad”, përfaqësohet nga njerëz si Pamela Geller.

Geller, e cila udhëheq një grup anti-islamik, të quajtur Iniciativa për Mbrojtjen e Lirisë Amerikane, ka përdorur kuptimin e dhunshëm në disa reklama kontrovrese që ka bërë në Nju Jork vitin e kaluar dhe këtë vit në Çikago, në përgjigje të fushatës “Xhihadi im”.

Në lidhje me Rehabin dhe mbështetësit e tij, ajo thotë:

“Ata janë duke pastruar dhe dekoruar xhihadin, si dhe duke zbutur popullin amerikan ndaj kërcënimit më të madh të sigurisë kombëtare”.

Dijetari islamik, Jamal Elias, profesor në Universitetin e Pensilvanisë, thotë se nuk ka fjalë në gjuhën angleze, ekuivalente me “xhihadin”.

“Përkufizohet në mënyra të ndryshme. Është një term që aktualisht do të thotë ‘luftë’, ndërsa në një kuptim më të gjerë ‘lufta në rrugën e Zotit’. Pra, në një kuptim më të saktë, nuk është një referencë eksplicite për ndonjë formë të dhunës, qoftë e justifikuar apo e pajustifikuar. Është një përkufizim shumë i lirshëm, i cili mund t’iu përshtatet shumë gjërave”, thotë Elias.

Në kontekstin politik, ai pranon se fjala është kuptuar gjerësisht si lloj i aktivitetit të armatosur.

“…por, kur myslimanët e kanë përdorur atë – dhe kjo është historikisht e vërtetë – e kanë përdorur shpesh si luftë për vetëpërmirësim, në një nivel personal”, sqaron Elias.

Al-Rahim thotë se shumë tekste ligjore islamike, nga periudha e mesjetës, i referohen xhihadit si “luftë e sanksionuar fetare ose e shenjtë”, por Kurani tregon se si profeti Mohammad u ka thënë luftëtarëve të tij pas një beteje të vogël.

Kur ndjekësit e tij e kanë pyetur se përse beteja kundër të pafeve dhe paganëve ka qenë minore, Al-Rahim thotë se Profeti ka dhënë këtë shpjegim:

“Xhihad më i madh është ai kundër spastrimit të vetes apo të shpirtit nga qëllimet e këqija ose një lloj i luftës shpirtërore. Pra, ka një kuptim tjetër të xhihadit brenda historisë së Islamit”, thotë Al-Rahim.(v.tela)/rel

 

*Artikulli nuk paraqet domosdoshmërisht edhe qëndrimin e redaksisë kohaislame.com. Por ai reflekton subjektin në përmbajtje dhe eventualisht qëndrimin e redaksive prodhuese të lajmit. 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit