20.4 C
Pristina
Thursday, June 20, 2024

SHBA-ja “e zhgënjyer” me thirrjet që serbët të bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

Më të lexuarat

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara janë “të zhgënjyera” me thirrjet publike që serbët e Kosovës të bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, tha më 5 prill se serbët nuk do të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë.

“Ne inkurajojmë të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë plotësisht në regjistrimin e popullsisë. Një regjistrim i saktë mundëson shpërndarjen e drejtë të burimeve shtetërore për të gjithë qytetarët. Ne njohim përgjegjësinë dhe autoritetin e Qeverisë së Kosovës për të zhvilluar procesin e regjistrimit të popullsisë”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj.

Në reagimin e saj më 5 prill, Lista Serbe tha se pjesëmarrja në “proceset e organizuara nga [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi Serbët, e pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës…”.

Ajo po i referohej një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nga 1 shkurti e ndaloi përdorimin e dinarin për pagesa me para të gatshme, pasi e caktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

Më 2011 ishte zhvilluar procesi i fundit i regjistrimit të popullsisë. Ky proces, megjithatë, nuk ishte zhvilluar në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

Bojkoti kishte ndodhur pasi autoritetet nga Beogradi u kishin kërkuar banorëve serbë në Kosovë të marrin pjesë vetëm nëse regjistrimi bëhet nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK. Sipas regjistrimit të vitit 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milion, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, rreth 100,000 pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

Regjistrimi i ri i popullsisë ishte menduar të mbahej në vitin 2021, por ai u shty për shkak të pandemisë së virusit korona. Ndërkohë vitin e kaluar është shtyrë edhe dy herë të tjera.

Sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit