7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Serbia nderon ish-komandantin e dyshuar për përfshirje në rastin e vëllezërve Bytyqi

Më të lexuarat

Serbia e ka nderuar me një medalje mirënjohjeje ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviç Guri, i cili e ka të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të “përfshirjes së tij në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”.

Në kremtimin e “Ditës së Xhandarmërisë” më 30 qershor në Novi Sad, komandanti i Xhandarmërisë, Dejan Lukoviç, i ndau një medalje komandantit të parë të kësaj njësie policore në Serbi, Goran Radosavleviç Guri, në shenjë falënderimi për bashkëpunimin e suksesshëm.

Shtetet e Bashkuara e kishin vendosur në listë të sanksioneve atë që nga dhjetori i vitit 2018, për shkak të siç ishte thënë: “Radosavleviç besohet se është i përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyqi më 1999″.

Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.

Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë. Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviç dhe Millosh Stojanoviç, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.

Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999.

Radosavljeviç ka mohuar përgjegjësinë për vdekjen e vëllezërve Bytyqi.

Ai ka thënë se vendimi i Departamentit të Shtetit për të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara “as nuk i intereson dhe as që i ndikon atij”.

Një rezolutë e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara, në tetor të vitit të kaluar, u referohet fakteve për përfshirje në vrasje edhe të ish-zëvendësministrit të Brendshëm të Serbisë, Vllastimir Gjorgjeviç, dhe të ish-komandantit të xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviç Guri.

Fondi për të Drejtën Humanitare disa herë ka thënë se Goran Radosavljeviç ishte udhëheqës i kampit në Petrovo Sello, ku u vranë vëllezërit Bytyqi. Sipas kësaj organizatate, me seli në Beograd në këtë kamp asgjë nuk ka ndodhur pa dijeninë e tij./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit