10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Serbia hap dosjet?

Më të lexuarat

Një nga kërkesat e BE-së drejtuar Serbisë, në kuadër të rrugëtimit të Beogradit drejtë anëtarësimit në union, është edhe hapja e dosjeve të shërbimeve të fshehta. Një arsye tjetër që qeveria serbe po shmang hapjen e dosjeve është se ato mund të zbulojnë njerëz që morën pjesë në veprime të paligjshme gjatë konflikteve të viteve 90-ta në ish-Jugosllavi, e që ende punojnë në sektorët e mbrojtjes e të policisë.

Për të përmbushur kërkesat për kapitullin e ardhshëm të pranimit në BE, qeveria serbe duhet të zbatojë reformën e shërbimeve të sigurimit. Parlamenti Evropian (PE) rekomandoi në mars që vendi të forcojë mbikëqyrjen e kontrollin parlamentar mbi shërbimet e sigurimit dhe kërkoi që arkivat kombëtare të bëhen publike, veçanërisht dosjet e fshehta nga epoka e ish-Jugosllavisë.

Pavarësisht prej sugjerimeve nga Brukseli, gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit parlamentare e presidenciale në Serbi, reforma e shërbimeve të sigurimit nuk u përmend mes përparësive të qeverisë së ardhshme.

“Rezistenca ndaj hapjes së arkivave të fshehta në Serbi dhe vendet të tjera të ish-Jugosllavisë ka të bëjë me frikën se do të zbulohet roli i shërbimeve të sigurimit të shtetit në konfliktin e armatosur të viteve të 90-ta”, tha Jelena Milic, drejtore e Qendrës për Studimet Euro-Atlantike (CEAS).

Ajo shtoi se çështja e hapjes së dosjeve është e lidhur me vrasjet politike, krimet në Kosovë dhe sakrifikimin e civilëve gjatë sulmeve ajrore të NATO-s, çështje këto tëe cilat qeveria serbe deri me tani nuk i ka trajtuar.

“Për shkak se nuk u shkrinë në atë kohë, shërbimet e fshehta të vendeve të ish-Jugosllavisë dhe individët në shërbimet e fshehta ishin e janë ende fajtorët kryesorë të krimit të organizuar në Ballkan”, tha Zoran Dragishic, profesor i Fakultetit të Sigurisë në Beograd.

Ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, që po largohet nga ministria që mbulon gjithashtu Agjencinë Ushtarake të Sigurimit dhe Agjencinë e Mbrojtjes së Informacionit, tha se pavarësisht nga parashikimi, hapja e dosjeve nuk do të sjellë ndonjë zgjidhje.

“Hapja e dosjeve të fshehta është një çështje e ndjeshme dhe ne duhet t’i japim fund të kaluarës”, tha Shutanovac.

Një arsye tjetër që qeveria po shmang hapjen e dosjeve është se ato mund të zbulojnë njerëz që morën pjesë në veprime të paligjshme gjatë konflikteve të viteve 90-ta në ish-Jugosllavi, e që ende punojnë në sektorët e mbrojtjes e të policisë, tha Lëvizja për Rimëkëmbjen e Serbisë (SPO).

“Hapja e dosjeve është më e pakta që u detyrohemi shtetasve serbë. Ishte një premtim i madh i opozitës demokratike që përmbysi regjimin e Slobodan Miloshevicit”, tha deputeti i SPO-së, Aleksander Jugovic.

Presidenti i SPO-së, Vuk Drashkovic, ka qenë viktimë e dy përpjekjeve për vrasje, të organizuar nga shërbimet sekrete serbe. Më 2004 e 2010, SPO propozoi një ligj për të hapur dosjet e shërbimeve të fshehta, por propozimi nuk arriti kurrë në rendin e ditës të Asamblesë së përgjithshme.

Shtetasit serbë ishin në gjendje të shihnin dosjet e tyre të sigurimit shtetëror më 2002 e 2003, kur qeveria dekretoi lejimin e kësaj. Atë kohë, rreth 8 mijë persona kërkuan të shihnin dosjet nga arkivat. Por vetëm 380 shtetas e bënë këtë.

“Mendoj se dosjet nuk do të hapen kurrë, jo ato që kanë të bëjnë me ngjarjet në Kosovë,” tha Sonja Biserko, drejtore e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

CEAS po i kërkon qeverisë së ardhshme që të propozojë menjëherë një projekt-ligj për të hapur arkivat dhe po u bën thirrje të gjithë politikanëve në Serbi që të paraqesin publikisht argumentet e tyre pro e kundër veprimit.

“Mendojmë se ky do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur, për të vazhduar vendosjen e kontrollit demokratik mbi sektorin e sigurisë, reformën tërësore të tij, shmangien nga natyra dhe metodologjia e regjimit të Miloshevicit dhe administrimin e drejtësisë për viktimat e tij”, tha Milic./zhurnal/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit