16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Serbi: Amnistia e armëve mbledh 13,500 armë, duke përfshirë edhe raketahedhës

Më të lexuarat

Tmerri dhe zemërimi në dy rastet me të shtënat masive të fundit e kanë vënë qeverinë e Serbisë nën presion për ta ndryshuar klimën politike.

Autoritetet serbe i kanë ekspozuar të dielën shumë prej rreth 13,500 armëve që ata thonë se njerëzit i kanë dorëzuar që nga të shtënat masive të këtij muaji, duke përfshirë granata dore, armë automatike dhe raketahedhës antitank.

Autoritetet serbe e kanë shpallur një periudhë amnistie prej një muaji për qytetarët që t’i dorëzojnë armët e paregjistruara ose të përballen me dënime me burg, si pjesë e një lufte ndaj armëve pas dy rasteve me të shtëna masive këtë muaj që lanë të vdekur 17 persona, shumë prej tyre fëmijë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishte në shoqërim me zyrtarët e lartë të policisë të dielën për ekspozimin e armëve pranë qytetit të Smederevës, rreth 50 kilometra në jug të Beogradit.

Sipas Vuçiqit, përafërsisht gjysma e armëve të grumbulluara janë të paligjshme, ndërsa gjysma tjetër janë armë të regjistruara që qytetarët megjithatë i kanë dorëzuar. Ai shtoi se armët do të shkojnë në fabrikat e armëve dhe municioneve të Serbisë për përdorim të mundshëm nga forcat e armatosura.

Serbia vlerësohet të jetë ndër vendet kryesore në Evropë për numrin e armëve për frymë banori. Shumë prej këtyre armëve kanë mbetur nga luftërat e viteve 1990 dhe mbahen ilegalisht.

Masa të tjera kundër armëve përfshijnë kontrolle më të rrepta për pronarët e armëve dhe poligonet e qitjes.

Autoritetet serbe e kanë nisur luftën kundër armëve pasi me 3 maj një djalosh 13-vjeçar mori armën e babait të tij dhe hapi zjarr ndaj shokëve të tij në një shkollë fillore në qendër të Beogradit. Një ditë më vonë, një tjetër 20-vjeçar përdori një armë automatike duke qëlluar mbi banorë në një zonë rurale në jug të Beogradit.

Këto dy raste me të shtëna masive lanë 17 njerëz të vdekur dhe 21 të plagosur./ Euronews

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit