13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Science and Islam: A History
(Shkenca dhe Islami: Një Histori)

Më të lexuarat

Ehsan Masood

Miti i Epokës së Errët (The Dark Age Myth)

Në vitin 410 te e.s., Alariku, mbreti gjerman i Visigotëve, hyri në Romë dhe plaçkiti qytetin e madh në një tërbim treditor. Gjashtëdhjetë e gjashtë vjet më vonë, Romulus Augustus, perandori i fundit romak i Perëndimit, u rrëzua dhe regalet (emblema dhe shenjat) e perandorisë u dërguan në mënyrë të vrazhdë në Kostandinopojë. Me këtë, dritat e qytetërimit u shuan dhe bota perëndimore u zhyt në një epokë errësirë ​​- një natë në të cilën nuk kishte studime, shkrim e këndim apo edhe jetë të qytetëruar. Vetëm 1000 vjet më vonë bota më në fund rizbuloi mësimin klasik dhe solli fundin e natës së errësirës botërore me agimin e Rilindjes. Ose më saktë kështu na tregohet historia.

Ky është miti i Epokës së Errët, ideja se historia dhe përparimi pothuajse u ndalën për një mijëvjeçar pas rënies së Romës. Problemi është se miti është pikërisht ashtu, një mit. Por ka qenë një mit aq i fuqishëm sa ka shtrembëruar plotësisht të kuptuarit tonë se si lindin qytetërimet dhe se si shkenca dhe të mësuarit përparojnë. Progresi në të kuptuarit tonë të botës natyrore ndodh kur shkencëtarët thithin njohuritë më të fundit në fusha të tilla si fizika ose biologjia, dhe më pas e modifikojnë ose përmirësojnë këtë (dije). Ata punojnë më tepër si vrapues në një garë me stafetë, duke kaluar stafetën e të mësuarit nga një shkencëtar te tjetri. Shkenca moderne, e konsideruar si një shenjë dalluese e qytetërimit modern perëndimor, e arriti vendin e saj me kalimin e shumë stafetave të njëpasnjëshme, të cilat iu dhanë shkencëtarëve të Evropës nga shkencëtarë të kulturave joperëndimore. Këto përfshinin ata që jetuan në kulturat e Islamit gjatë një periudhe prej rreth 800 vjetësh nga shekulli i 8-të deri në shekullin e 16-të.

Fakti që ne dimë pak për këtë është ajo që Michael Hamilton Morgan i Fondacionit të Ri për Paqe e quan si “histori e humbur”. Historiani Jack Goody shkon më tej dhe e quan këtë “vjedhje të historisë”. Është sikur memoria dhe trashëgimia e një qytetërimi të tërë dhe kontributi i tij në shumën e njohurive (botërore) është fshirë praktikisht nga vetëdija njerëzore. Jo thjesht në Perëndim, por edhe në botën islame, arritjet e shkencëtarëve muslimanë ishin deri vonë të harruara ose të paktën të neglizhuara, me përjashtim të disa specialistëve të zellshëm si Abelhamid Sabra i Universitetit të Harvardit, David King, Jamil Ragep dhe George Saliba.

Mësimi mbi shkencën në Britani deri vonë ka qenë i prirur që historinë e përparimit shkencor ta kapërcente nga epoka klasike e Euklidit, Aristotelit dhe Arkimedit drejt e në lindjen e Epokës së Shkencës në Evropën e shekullit të 16-të dhe të 17-të, me vetëm një përmendje të përciptë, nëse përmendej ndonjëherë, të pjeseve të mëdha të shkencës islame që ishte në mes. Në disa versione të historisë, ‘epoka e errët’ përfundon me të vërtetë dhe përparimi i shkencës fillon vetëm me të vërtetë, me konfliktin e famshëm në fillim të shekullit të 17-të, në të cilin Galileo përballet me Kishën Katolike me pohimin se toka lëviz rreth diellit. Ndërsa bota eventualisht pranoi se Galileo ka të drejtë, kjo paraqitet si triumfi botë-ndryshues i dritës së arsyes mbi bestytninë. Pas kësaj, nga shekulli i 17-të e tutje, shkencëtarët e Evropës Perëndimore janë të lirë të nxjerrin në dritë sekretet e botës – William Harvey zbulon qarkullimin e gjakut, Isaac Newton fillon studimin e fizikës, Robert Boyle është i pari në studimin e kimisë, Michael Faraday të elektricitetit dhe kështu me radhë. Dhe në këtë mënyrë (kështu na tregohet) ne ecim përpara në Epokën e Arsyes dhe përparimin dramatik të shkencës moderne.

Megjithatë, në realitet, kërkimi shkencor nuk u ndal thjesht me rënien e Romës, vetëm për t’u rifilluar në shekullin e 17-të. Në fakt, siç do të tregojë ky libër, kërkimet e fundit kanë filluar të zbulojnë se sa shume u plotësua boshllëku 800-vjeçar nga një mori eksplorimesh shkencore në Islamin mesjetar dhe se si ai ushqeu drejtpërdrejt aktivitetet e para të shkencës perëndimore.
Mjeku qe punonte në Kajro, ibn al-Nafis, për shembull, zbuloi qarkullimin pulmonar, qarkullimin e gjakut nëpër mushkëri, në shekullin e 13-të. Inxhinieri andaluzian Abbas ibn-Firnas përpunoi teoritë e fluturimit dhe besohet se ka kryer një eksperiment të suksesshëm praktik gjashtë shekuj përpara se Leonardo të vizatonte ornitopterët e tij të famshëm. Dhe në Kufe të Irakut, Xhabir ibn Hayyan (i përkthyer nga studiuesit latinë si Geber) ishte ndër ata që hodhën themelet e kimisë rreth 900 vjet para Boyle.

Për më tepër, disa studiues po qartësojnë tani se disa nga pionierët më të mëdhenjë të shkencës moderne po mbështeteshin drejtpërdrejt në punën e shkencëtarëve nga kohërat islame. Xhorxh Saliba i Universitetit të Kolumbias, për shembull, tregon në librin e tij “Shkenca Islame dhe Krijimi i Rilindjes Evropiane” se si astronomi polak Nikolaus Koperniku u mbeshtet tek puna e astronomëve muslimanë për bazën e zbulimit të tij në 1514 se toka lëviz rreth diellit.

Historianët e matematikës kanë treguar gjithashtu se si algjebra, një degë e matematikës që u lejon shkencëtarëve të llogarisin kuantitete të panjohura, u zhvillua në Bagdad të shekullit të 9-të nga Musa al-Khwarizmi, duke u mbështetur në punën që ai kishte zbuluar nga matematikanët në Indi. Historianët gjithashtu mendojnë se el-Khwarizmi do të ketë pasur akses në dorëshkrime te vjetra per shkak të marrëdhënieve të para të Islamit me Indinë, që ndodhën një shekull më parë. Shkenca moderne varet gjithashtu edhe tek zgjidhjet e ekuacioneve komplekse kuadratike të krijuara nga poeti dhe shkencëtari Omar Khayyam. Dhe pjesa më e madhe e të kuptuarit tonë për optikën dhe dritën është ndërtuar mbi punën pioniere të Hassan ibn al-Haitham (përkthyer në latinisht si Alhazen) në Kajron e shekullit të 11-të.

Huazuar nga Edi Çika

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit