13.8 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

Sandy: Vazhdon “të vret”, përmbytje, ndërprerje e energjisë…

Më të lexuarat

Të paktën edhe 14 njerëz në verilindje të Shteteve të Bashkuara dhe Kanada kanë humbur jetën si pasojë e erërave të fuqishme dhe vërshimeve të mëdha që ka shkaktuar uragani Sandy.

Stuhia është zvogëluar në ciklon, pasi ka goditur Atlantik Sitin, Nju Jorkun dhe Nju Xhërsin, mbrëmjen e së hënës.

Afro 6 milionë njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.

Autoritetet në Nju Xhërsi kanë lëshuar alarm në një central bërthamor, duke thënë se rritja e nivelit të përmbytjeve mund të bëjë që centrali të shfrytëzojë furnizimet emergjente me ujë për të ftohur shufrat e uraniumit.

Stuhia, me erëra prej 140 kilometrash në orë, ka zbarkuar rreth orës 19:00, sipas kohës lokale. Ajo ka përmbytur stacione metrosh dhe tunele nëntokësore.

Të paktën një spital i Nju Jorkut ka evakuuar pacientët e tij, pasi rryma me gjenerator ka dështuar.

Autoritetet e qytetit u kanë bërë thirrje qytetarëve që jetojnë në zona të ulëta, të evakuohen para se stuhia të godiste.

“Nëse jeni në shtëpitë tuaja apo në vende të tjera të sigurta, qëndroni aty. Koha për zhvendosje apo evakuim ka kaluar. Kushtet jashtë janë të rrezikshme”, ka thënë kryetari i Nju Jorkut, Michael Bloomberg, pasi stuhia ka arritur kulmin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka shpallur tashmë gjendje të jashtëzakonshme në Masaçusets, Konektikut, Rod Ajllënd, Nju Jork, Nju Xhërsi dhe Pensilvani.

“Mesazhi më i rëndësishëm që kam për publikun është të dëgjojë autoritetet shtetërore dhe lokale. Kur ato thonë se duhet evakuuar, atëherë duhet evakuuar. Mos vononi, mos vini në pikëpyetje udhëzimet që ju jepen, sepse kjo është një stuhi serioze dhe mund të ketë pasoja fatale nëse njerëzit nuk veprojnë shpejt”, ka porositur Obama qytetarët.

Qeveria federale dhe tregu i aksioneve në SHBA do të mbeten të mbyllura edhe gjatë ditës së sotme. E mbyllur do të jetë edhe selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Sandy ka ndërprerë fushatën vetëm një javë para zgjedhjeve presidenciale.

Edhe presidenti Obama, edhe kandidati republika, Mitt Romney, kanë anuluar ngjarjet si pasojë e stuhisë.

Gjatë javës së kaluar, Sandy ka vrarë dhjetëra njerëz në rajonin e Karaibeve./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit