1.9 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Sahabët dhe pasuria

Më të lexuarat

Vështruesi i drejtë, i cili nuk e tepron dhe nuk lë mangut diçka në gjykimin për sahabët

veçanërisht dhe për selefët e mirë përgjithësisht, gjen që ata (Allahu qoftë i kënaqur prej
tyre!) kujdeseshin për fitimin e pasurisë dhe kishin zanate të ndryshme e të njohura për
ta arritur atë, duke e marrë atë si të qënurit ndihmues për të kryer falenderimin e
Allahut dhe si anije për në botën tjetër.

Por ata kanë qenë njerëzit më asket në të dhe më të drejtët e të sinqertët në fitimin e saj (duke ndjerë mbikqyrjen e Allahut të Madhëruar).
Ibën Hazëm në librin “el Ahlaku ues Sejru” thotë: “Bujari duhet që ta mbrojë trupin e vet
me pasurinë e tij, jetën e vet me trupin e vet, nderin e vet me jetën e vet, fenë e vet me
nderin e vet dhe mos ta përdorë fenë e tij për të ruajtur gjë nga dynjaja.

Ndoshta i dëgjon këto lajme të tyre për kërkimin e pasurisë, ndokush që mendon se ata e
kanë kërkuar atë për të arritur kënaqësitë dhe dëshirat e tyre dhe asgjë tjetër, por kjo
është injorim i asaj për të cilën ata e kërkonin atë. Larg dhe të pastër nga kjo janë ata!

Ata e kanë kërkuar pasurinë si një nga adhurimet dhe obligimet me të cilat ishin ngarkuar
(Allahu qoftë i kënaqur prej tyre dhe na bashkoftë me ata, na ringjalltë me ta dhe na dhëntë sukses në atë, për të cilën u ka dhënë sukses atyre, me Mirësinë dhe Bujarinë e
Tij!)
Nuk njohim askënd që t’i jetë ofruar aq pasuri sa i është ofruar të Dërguarit të Allahut
(Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe ai ia jepte gjithçka që i ofrohej shokëve
të tij dhe për të ngritur Fenë e Allahut.

Ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e konsideronte çdo gjë që e fitonte me punën e tij, si mirësi prej Allahut dhe se ai ishte i ngarkuar që ta shpërndante atë dhe të mos mbante gjë për vete, duke arritur kështu gradën më të lartë.

Kështu kanë qenë edhe shokët e tij sa që ndonjëri prej tyre ishte si i autorizuar dhe merrte prej pasurisë së tij, atë që i nevojitej edhe pse nuk ishte në gradën e të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

Gradat e njerëzve në lidhje me fatin e tyre në pasuri
S’ka dyshim se njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri në marrjen e rriskut të tyre dhe se
shembulli më i mirë për ta në këtë gjë është i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e
Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij.

Ata nuk mërziteshin dhe kërkonin rriskun e tyre duke qenë të bindur në besimin e tyre, sepse ata i dinin Cilësitë e Allahut dhe se sundimi i qiejve e i Tokës është në Duart e Tij dhe se Ai do t’i llogarisë ata dhe nuk do t’i zhgënjejë. Kështu që, dëshirat, tekat dhe simpatitë e tyre u bënë prej gjërave të harruara dhe kthimi tek ato konsiderohej diçka e neveritshme për ta, duke u nisur nga ana e të pasurit në to të drejta për Allahun e Lartësuar.

Më poshtë po sjellim disa shembuj për të argumentuar këtë gjë:
Transmetohet në hadith të saktë nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) se Ibën
Zubejri i dërgoi asaj dy qese me të holla (transmetuesi thotë se ishin 180 mijë dirhem)
ndërsa ajo kërkoi një tepsi dhe filloi t’i ndante ato për njerëzit. Atë ditë ajo agjëronte dhe
kur u ngrys nuk i kishte ngelur asnjë dirhem i vetëm. Në kohën e iftarit i thotë shërbyeses: “Eja ta çelim agjërimin!” Ajo vjen vetëm me bukë dhe vaj. I thanë Aishes: “A nuk munde të blije mish me një dirhem prej atyre që ndave dhe ta haje për iftar?” Ajo tha: “Nëse do të ma kishe kujtuar, do ta kisha bërë”. Ndërsa përpjekja për kërkimin e rriskut me rrugë të lejuara, është ajo me të cilën urdhëron dhe nxit sheriati, për të ruajtur krenarinë e vetes dhe nderin e saj. Kështu që, nuk i lejohet askujt që të rrijë pa punë, duke qenë i mundshëm për të punuar dhe të pretendojë se ajo që ka përgatitur Allahu për të është më e mirë se puna e tij. Ai që vepron kështu, nuk është aspak afër së mirës dhe ky pretendim nuk është, vetëm se dukuri përtacie dhe kënaqje me lëmoshën që i japin bamirësit që punojnë: duke u kthyer në fakt në kuptimin se lodhja e njerëzve është më e mirë për të se lodhja e tij!

Transmeton Maliku se një i varfër i kërkoi Aishes (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) dhe
ajo agjëronte e nuk kishte gjë në shtëpi përveç një cope buke. Ajo i tha një shërbyeseje:
-Jepja atë copë buke atij!
-Por nuk ke gjë tjetër që të hash iftar. – i tha shërbyesja.
-Jepja atë atij. Atëherë ia dha. Kur erdhi mbrëmja na dhuroi një familje, apo një njeri (i
cili nuk na kishte dhuruar ndonjëherë) mish qengji të pjekur sipas mënyrës së tyre të
preferuar dhe Aisha më thirri dhe më tha:
-Ha prej këtij sepse ky është më i mirë se ajo copa e bukës.”

Transmetohet gjithashtu se ajo (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) ka shpërndarë 70 mijë
dirhem, ndërkohë që ishte duke arnosur rrobën e saj. Një here tjetër shiti gjërat e saj me
100 mijë dirhem dhe i ndau ato sadaka, pastaj për iftar hëngri bukë elbi. Kjo vepër i
ngjan prefektit të ndonjë prefekture të mbretërisë, i cili nuk merr vetëm se prej mbretit,
sepse ai është i bindur plotësisht në ndarjen dhe caktimin e Allahut për të, duke e lënë
atë në vend të marrjes së masave për veten e tij.(Ka nxjerrë Ibën Shebeh, Ibën Ebi Shejbeh, Ibën Xherijr, Bejhaki etj., se Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka thënë: “Unë e quaj veten time në pasurinë e Allahut, si përkujdesësi në pasurinë e jetimit. Nëse kam bollëk nuk e prek atë, e nëse varfërohem, atëherë marr aq sa kam nevojë, pastaj ia kthej atij (jetimit) atë.”)

Nuk ka ndonjë kundërthënie të kësaj me atë që thamë më lart, sepse ky person beson se
ajo që ka përgatitur Allahu për të është më e mirë se ajo që përgatit ai për veten e tij dhe
nëse ky merr masat dhe prokupohet për veten e tij, atëherë zbret një gradë më poshtë.

* Disa prej sahabëve e quanin veten e tyre si zëvendës në pasurinë e jetimit(Ky hadith është i saktë, sipas të gjitha rrugëve e tij. Në një transmetim tjetër thuhet se Umeri (Allahu
qoftë i kënaqur prej tij!) ia ka thënë këtë Amarit dhe Ibën Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) në kohën kur i ngarkoi drejtues në Kufa. Fjala e tij në atë transmetim është: “Unë dhe ju në pasurinë e Allahut jemi…” vazhdon si thënia e mësipërme.), ku nëse ai nuk ka nevojë, nuk e prek atë, e nëse është i varfër e ka nevojë, merr aq sa të plotësojë atë nevojë. Ndërsa në çdo lloj veprimi tjetër, ai vepron si me pasurinë e jetimit që përdoret vetëm në të mirë të tij. E shpenzon atë aty ku duhet dhe e pengon prej aty ku nuk duhet shpezuar. Nëse ka ndonjë nevojë, atëherë merr prej saj aq sa i mjafton dhe brenda kufijve që i është dhënë leje, duke mos shpërdoruar dhe as shtrënguar me koprraci aty ku duhet shpenzuar.
Kjo gjë është gjithashtu, pastrim prej pjesës në këtë arritje të punës së tij. Nëse ai do të
merrte pjesën e tij, atëherë do të favorizonte veten e tij mbi të tjerët, por ai nuk e bën
këtë, madje e konsideron veten e tij si një prej krijesave. Sikur të ishte shpërndarës për
krijesat dhe ta llogarisë veten e vet si një prej tyre.

Transmetohet në një hadith të saktë nga Ebi Musa se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe
bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Vërtetë që esharitë (fisi i Ebi Musa el eshari) nëse ngelin të ve, apo u pakësohet ushqimi
i familjes në Medine, atëherë grumbullojnë atë që u gjendet në një rrobe të vetme dhe
pastaj e ndajnë mes njëri-tjetrit me të njëjtën enë. Ata janë prej meje dhe unë jam prej
tyre.”E ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi.

Këtë gjë e hasim edhe në hadithin e vëllazërimit ndërmjet muhaxhirëve dhe
ensarëve(.Transmeton Buhariu në Sahihun e tij nga hadithi i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “Ensarët thanë: “(O i Dërguari i Allahut!) Ndaji hurmat tona ndërmjet nesh dhe muhaxhirëve.” Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Jo.” Pastaj tha: “Ata të marrin përsipër përkujdesjen për to dhe pastaj frutat të ndahen mes jush”. Ata thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm”.
Ka nxjerrë, gjithashtu, Buhariu dhe Muslimi nga hadithi i Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kur mbërriti Abdurrahman ibën Auf në Medine, vëllazëroi i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndërmjet tij dhe Sead ibën Rabij el Ensari. Seadi i parashtroi atij gjysmën e pasurisë dhe të familjes por Abdurrahmani i tha: “Allahu të dhëntë begati në familjen dhe pasurinë tënde! Më trego se ku është tregu!” Shkoi në treg dhe fitoi diçka për të ngrënë…”). Kjo ishte diçka shumë e njohur, të cilën e bënte edhe i Dërguari (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nëpër luftra(.Po mjaftohemi këtu me përmendjen e një shembulli të vetëm, i cili ka ndodhur në luftën e Tebukut. Ka nxjerrë Muslimi në Sahihun e tij nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë:
Kemi qenë me të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke ecur për në luftë dhe ushqimet e ushtrisë mbaruan, saqë u detyruan të therrin disa prej kafshëve të tyre mbartëse. Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i tha: “O i Dërguari i Allahut! A nuk i mbledh ato ushqime që i kanë ngelur njerëzve dhe t’i bësh lutje Allahut që ti shtojë ato? Ashtu bëri dhe njerëzit filluan të bienë atë grurë apo hurmë që i kishte ngelur. Thotë Muxhahidi: Dhe atij që i kishin ngelur bërthama i solli ato.
Thashë: Po me bërthamat çfarë bënin? Tha: I thithnin ato dhe pinin ujë me to (që të pinin pak me pika). Bëri dua i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) mbi to dhe ato u shtuan saqë të gjithë njerëzit mbushën torbat e tyre. Pastaj i Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: Dëshmoj se nuk të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij. Nuk ka ndonjë rob që e takon Allahun (në Ditën e Kiametit) me këto dy dëshmi duke mos patur pikë dyshimi në to, veçse do të hyjë në
xhenet.” Këtë hadith e ka nxjerrë Ahmedi në Musnedin e tij.)

Kështu që privilegjimi në kismetin tënd është diçka pozitive dhe që nuk bie në
kundërshtim me fjalën e të të Dërguarit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!):

“Fillo (me plotësimin e nevojave) të vetes tënde, pastaj të atyre që ke nën vete!”
Por ai llogaritet si i mesëm në të dyja rastet.
Këta dhe ata para këtyre nuk e kanë kufizuar veten e tyre në kismetin e përkohshëm të
kësaj bote dhe ajo që merrnin për veten e tyre nuk konsiderohet si vrapim pas rriskut,
sepse qëllimi i tyre është i qartë dhe kjo duket në privilegjimin e të tjerëve para vetes së
tyre, apo barazimin e tyre me veten e tij dhe jo e kundërta, siç ndodh zakonisht.

Duke u nisur prej këtu, themi se këta janë larg pjesës (kismetit) të tyre dhe sikur ta
quanin veten të pakismetë. I gjen ata në tregti apo qera, të fitojnë sa më pak të jetë e
mundur, madje ndokush prej tyre e kthente fitimin tek shoku i tij dhe jo te vetja. Për këtë
shkak, ata e tejkaluan bamirësinë mbi atë që iu takonte, sepse ata ishin zëvendës të
njerëzve dhe jo të veteve të tyre. Atëherë, ku është kismeti i tyre këtu?!

Nuk ka dyshim se këta bashkohen në gjykim me ata të parët, për shkak të ngarkimit të
vetes së tyre dhe jo si rezultat i ngarkimit të sheriatit fillimisht.

*Disa të tjerë prej njerëzve nuk e kanë arritur gradën e këtyre të parëve, por marrin atë
që iu lejohet ta marrin dhe largohen prej asaj që iu ndaluar duke u mjaftuar me
shpenzimin për nevojat e tyre.
Nisur nga kuptimi i mëparshëm, këta kanë ngrënë kismetin e tyre por duke e marrë nga
rrugë të sakta e të lejuara.

Nëse këtu thuhet se kjo është zhveshje nga kismeti, kjo thuhet duke u nisur nga
mosmarrja e pasurisë sipas dëshirave dhe qejfeve të tyre, por duke konsideruar urdhërat
dhe ndalesat në lidhje me të.
Ndërsa kismeti i përçmuar është ai në të cilin nuk njihen kufij dhe vepron si kafsha e cila
nuk di veçse të ecë sipas qejfit të saj. Nuk e kemi fjalën për këtë të dytin por për atë që i
ruhet hallallit dhe haramit, ai që pregatit vetëm për veten e tij. Ky, sigurisht që nuk vihet
në vend të përgjegjësit për dobinë e përgjithshme të muslimanëve, por ai është
përgjegjës për veten e vet. Kështu që ky nuk është kujdestar i përgjithshëm, përkujdesi i
cili do të thotë zhveshje prej kismetit dhe rriskut tënd.
Mendimi i saktë është se ky grup njerëzish, llogaritet sipas qëllimit që kanë pasur nga
arritja e pjesës e cila u lejohet, ndërsa dy grupet e para ndryshojnë nga këta sepse ata i
marrin parasysh shkaqet (sebepet), por me qëllim të shpërndarjes së pasurisë.

Rëndësia e shkoqitjes në preferencë dhe frytet e saj
Vëzhgoje me kujdes këtë temë sepse ajo heq shumë prej të dyshimtave me të cilat
ballafaqohet vëshguesi në sheriat dhe në gjendjet e njerëzve. Kjo temë ndreq shumë prej
gabimeve, në të cilat bien ndjekësit e rrugës për në botën tjetër, duke e kuptuar
asketizmin, lënien e dynjasë, si dhe kërkimin e saj jo ashtu si duhet. Lavdërojnë atë që
nuk duhet lavdëruar sipas sheriatit dhe përçmojnë atë që sheriati nuk e përçmon.

Prej dobive të kësaj teme është, gjithashtu, ndarja ndërmjet grupeve kundërshtare në
çështjen e pasurisë dhe varfërisë dhe se varfëria nuk është më e mirë se pasuria në të
gjitha rastet, ashtu si dhe pasuria nuk është më e mirë se varfëria në të gjitha rastet. Por
zgjidhja e kësaj çështjeje është duke e shkoqitur atë dhe duke thënë që nëse pasuria anon
në preferencën e kësaj bote, ajo është e përçmuar në lidhje me kërkuesin e saj, për këtë
qëllim dhe varfëria është më e mirë për të, por nëse ajo anon nga preferenca e botës
tjetër, duke e shpenzuar ashtu si kërkohet dhe duke u ndihmuar me të për të bërë punë
të mira që t’i kesh për “udhëtimin e gjatë” (pas vdekjes), atëherë kjo pasuri është më e
mirë se varfëria.

Allahu na dhëntë sukses me Mirësinë e Tij!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit