Midis Uashingtonit dhe Kopenhagenit: Dilema e dhimbshme e Evropës përballë neo-imperializmit…
Viti 2026 ka sjellë një krizë të paprecedentë në marrëdhëniet transatlantike, ku në qendër të stuhisë diplomatike qëndron ishulli gjigant i Grenlandës.
Pas deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e kontrollit të këtij territori, reagimi i Bashkimit Evropian dhe aleatëve të NATO-s ka kaluar nga habia në një mobilizim strategjik.
Sipas një analize të fundit nga “The Guardian”, ky interes i SHBA-së nuk shihet më thjesht si një mburrje, por si një qëllim serioz i nxitur nga “ekspansionizmi neo-imperialist dhe interesi për mineralet e rëndësishme”.
Dilema që po mundon kontinentin e vjetër është e qartë: sa larg mund të shkojë Evropa për të mbrojtur sovranitetin danez pa rrezikuar arkitekturën e saj të sigurisë? Siç raporton “The Guardian”, mospërfillja e Trump për të drejtën ndërkombëtare “po ekspozon sërish dilemën e dhimbshme të shkaktuar nga varësia paralizuese e Evropës ndaj SHBA-së për sigurinë ushtarake”.
Kjo varësi e bën të vështirë një përballje të hapur, megjithatë, udhëheqësit e gjashtë fuqive kryesore evropiane tashmë kanë lëshuar një deklaratë të rrallë të përbashkët duke rikonfirmuar se Grenlanda i përket popullit të saj dhe mbetet nën sovranitetin e Danimarkës.
Në Londër, qeveria e Keir Starmer po përpiqet të luajë rolin e balancuesit. Britania e Madhe, synon të adresojë shqetësimet amerikane për sigurinë në Arktik përmes traktateve ekzistuese, pa lejuar ndryshimin e kufijve. Megjithatë, situata mbetet e ndezur.
“The Guardian” nënvizon paqartësinë e motiveve të presidentit, duke vërejtur se “Grenlanda duket se ka një cilësi mistike për Trumpin”, i cili dëshiron të zgjerojë hartën e SHBA-së me çdo kusht.
Përballë këtij presioni, figura politike si ish-zëvendëskancelari gjerman Robert Habek kanë propozuar që BE-ja t’i ofrojë Grenlandës një paketë masive investimesh dhe mundësinë e rikthimit në anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Ky “Marshall Plan” për Arktikun, do të shërbente si një mburojë ekonomike kundër ofertave të Uashingtonit. Përfundimisht, fati i Grenlandës nuk është më vetëm një çështje e Danimarkës, por një test ekzistencial për unitetin evropian.
Siç e përmbledh “The Guardian”, çmimi i përballjes Evropë-SHBA është i lartë, por kostoja e heshtjes mund të jetë fundi i autonomisë strategjike të Evropës./tesheshi/
