Imam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
”Mendjemadhësia (Kibri), Vetëpëlqimi (‘Uxhbi) dhe Syfaqësia, janë gjynahe më të mëdha sesa konsumimi i alkoolit.”
(Er-Radd ‘ala esh-Shadhili, fq. 114)
Ndërsa Ibn Kajim shpjegon:
“Gjynahet janë dy llojesh: të mëdha dhe të vogla.
Gjynahet e mëdha të zemrës janë: Syfaqësia, vetëpëlqimi, mendjemadhësia, mburrja, kryelartësia, humbja e shpresës nga mëshira e Allahut, dëshpërimi se nuk po vjen ndihma e Tij, ndjenja e sigurisë ndaj dënimit të Allahut, gëzimi ndaj lëndimit të muslimanëve dhe ligësia duke dashur fatkeqësitë e tyre. Gjithashtu, dëshira që imoraliteti të përhapet mes tyre, zilia për mirësitë që Allahu u ka dhënë dhe dëshira që ato mirësi t’u largohen atyre.
Dhe pasojat e këtyre gjërave që kanë ndalim edhe më të rreptë sesa zinaja (marrëdhëniet jashtëmartesore), pirja e alkoolit dhe gjynahet e tjera të dukshme (të gjymtyrëve). Nuk ka përmirësim për zemrën dhe as për trupin pa i lënë këto dhe pa u penduar prej tyre; përndryshe, ajo është një zemër e prishur, dhe kur prishet zemra, prishet i gjithë trupi.
Këto epidemi vijnë si pasojë e padijes ndaj ‘adhurimeve të zemrës’ dhe braktisjes së kryerjes së tyre.
Funksioni i ajetit “Vetëm Ty të adhurojmë” i takon zemrës para se t’u takojë gjymtyrëve. Nëse njeriu është i paditur dhe nuk e zbaton këtë adhurim me zemër, ajo pashmangshmërisht do të mbushet me të kundërtat e tij. Sa më shumë që njeriu e realizon adhurimin e zemrës, aq më shumë shpëton nga këto sëmundje.
Këto gjëra dhe të tjera mund të jenë ‘të vogla’ ose ‘të mëdha’ në varësi të forcës, rëndësisë apo lehtësisë së tyre në zemrën e njeriut.
Ndër gjynahet e vogla është edhe epshi për gjërat e ndaluara dhe dëshira për t’i pasur ato. Gradat e këtyre epsheve ndryshojnë në varësi të asaj që njeriu dëshiron.”
(Medarixh al-Salikin, 1/172)
Hoxhë Fatjon Isufi
