Rreziku i bidatit edhe kur duket si adhurim

Më të lexuarat

Darimiu përcjell me sened të saktë, se Ebu Musa Eshariu i është drejtuar Ibn Mesudit duke i thënë: “Kam parë disa njerëz të mbledhur bashkë në xhami dhe që po mbanin në duart e tyre gurë të vegjël për t’i numëruar. Njëri nga ata thoshte:
“Thoni “Allahu Ekber’’ njëqind herë dhe ata e thonin, thoni “Elhamdulilah’’ njëqind herë dhe ata e thonin, thoni “SubhanAllah’’ njëqind herë dhe ata e thonin”.

Abdullah bin Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) u tha: A nuk i urdhërove që të numëronin mëkatet dhe iu siguroj se asnjë vepër e mirë nuk do t’u shkojë dëm?

Më pas shkoi tek njëri prej këtyre tubimeve dhe u tha: “Çfarë është kjo që po bëni?” Ata u përgjigjën:
“O babai i Abdu Rrahmanit! Nuk po bëjmë gjë tjetër vetëm se tesbih (tehlil, tesbih, tekbir) që i numërojmë me këta gurë”. Abdullahu tha: “Më mirë për ju është të numëroni mëkatet që bëni dhe (sikur ta lini këtë punë) unë ju siguroj se asnjë vepër e mirë nuk do t’ju shkojë dëm.

Mjerë për ju, o popull i Muhamedit! Sa shpejt humbisni! Shokët e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) janë të pranishëm, rrobat e tij akoma nuk janë kalbur dhe enët e tij akoma nuk janë thyer e ju veproni kështu?!

Betohem në Allahun, se ju ose jeni popull më i udhëzuar se populli i Muhamedit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ose i keni hapur vetes dyert e humbjes!” Ata thanë: “Betohemi në Allahun, o babai i Abdurrahmanit, se kishim si qëllim vetëm të mirën”. Abdullahu atëherë u përgjigjet: “Sa njerëz e duan të mirën, por nuk e arrijnë atë”.

Shiheni pra, këtë udhëzim të madh, shihni edukimin profetik, se si Ibn Mesudi i ndaloi që t’i bënin ato tubime, edhe pse në pamje të parë duken sikur janë të mira, sepse në to bëhej tesbih, tekbir dhe tahmid. Megjithatë kur ajo punë nuk është në përputhje me udhëzimin e Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) dhe të shokëve të tij, pra, nuk ka lidhje me Fenë Islame, ai nuk i la shpikësit e asaj vepre që të arrinin mirësinë e supozuar nga mendjet e tyre.
Po vëllezër, sa njerëz janë që e duan hajrin, por nuk e arrijnë atë!
Përcillet se dikush iu drejtua Malik bin Enesit dhe i tha: “Nga cili vend duhet ta vesh ihramin? Ai i tha: Nga vendi ku i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) e ka veshur ihramin. Njeriu tha: Po nëse e vesh më larg kufirit nga ku e ka veshur ai? Maliku i tha: Mos e bëj, sepse kam frikë se do të kaplojë ndonjë sprovë. Njeriu i tha: Çfarë sprove mund të më kaplojë, kur unë po shtoj hajrin?
Maliku i tha: Allahu i Madhëruar thotë: “Mos ia drejtoni thirrjen të Dërguarit, njësoj si thirrjen që ia bëni njëri-tjetrit; Allahu me siguri i di ata që shkëputen prej jush tinëzisht. Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë, ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.” (Sure Nur, 63.)

A ekziston fatkeqësi më e madhe se të gëzosh që je veçuar me një mirësi, të cilën nuk u dallua i Dërguari i Allahut?”

Shkëputur nga libri “Hytbet e xhumasë”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit