16.1 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Rrezikimi i Kosovës nga lufta në Ukrainë

Më të lexuarat

Deputetë dhe njohës të fushës së sigurisë në Kosovë paralajmërojnë se pushtimi rus në Ukrainë, mund të ketë ndikim në sigurinë e Kosovës, veçmas në pjesën veriore të vendit.

Në orët e para të mëngjesit të 24 shkurtit, Rusia nisi, atë që e përshkroi si “operacion ushtarak” për “çmilitarizimin” e Ukrainës, teksa autoritetet në Kiev shpallën gjendje lufte dhe u zotuan se do të luftojnë për lirinë e shtetit. Perëndimi i dënoi veprimet ruse dhe i cilësoi si uverturë për pushtim të plotë.

Anton Çuni, ish-ministër i Mbrojtjes, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia mund të kërkojë që ta zhvendosë vëmendjen nga pushtimi që ka nisur në Ukrainë, dhe veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, sipas tij, mund të jetë një vend për ta bërë këtë.

“Është fakt që Rusisë tani i intereson shpërqendrimi nga situata që po ndodh në Ukrainë dhe të zhvendoset në ndonjë lokacion tjetër gjeografik dhe këtu ekzistojnë parakushtet, që me ushqimin e ndjenjave nacionaliste te serbët, të eskalojë situata në veri të vendit”, thotë deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni.

Ai paralajmëron se kriza në Ukrainë mund të shtyjë Serbinë që të bëhet pjesë e agjendës së Rusisë.

“Akti i agresionit të Rusisë në Ukrainë, mund t’i motivojë autoritetet në Serbi që të dalin jashtë veprimeve politike, për të cilat ata janë zotuar që do të punojnë për normalizimin e situatës dhe parapërgatitjet për dialogun përfundimtar”, thotë Çuni.

Serbia vazhdon ta kundërshtojë fuqishëm pavarësinë e Kosovës edhe 14 vjet pas shpalljes së saj. Rusia, një nga mbështetëset më të mëdha të Serbisë në arenën ndërkombëtare, e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Ramadan Qehaja, ndan mendimin se veprimet ushtarake ruse në Ukrainë mund të përdoren nga Serbia, që tí nisë forcat drejt veriut të Kosovës.

“Është një rrezikshmëri për ne nëse Beogradi zyrtar ndikohet me këtë çfarë ndodhi në Ukrainë dhe të përgatisë dhe të kryejë një “blitzkrieg” ushtarak [luftë e shkurtër] në pjesën veriore të Kosovës. Me të gjithë këta parametra që ka vepruar Rusia në rajonet Donjeck dhe Luhansk, kështu ka vepruar pala serbe mbi 20 vjet në Kosovë për të destabilizuar pjesën veriore të Kosovës”, thotë Qehaja, duke iu referuar dy rajoneve në lindje të Ukrainës, që kontrollohen nga separatistët pro-rusë.

Për mundësinë që konflikti në Ukrainë të zgjerohet edhe në Ballkanin Perëndimor, ka folur Mark Ellis, drejtor ekzekutiv i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, me seli në Londër. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se situata që po ndodh në Ukrainë, mund të jetë një katalizator që nacionalistët e tjerë, veçmas në Ballkan, të thonë ‘Është koha që edhe ne të ndërmarrim veprime’.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit