12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Rrënojat e kështjellës 500- vjeçare nga ku osmanët do të niseshin për në Apenine

Më të lexuarat

Zbulohen rrënojat e kështjellës 500- vjeçare nga ku osmanët do të niseshin për në Apenine Vlora rigjen Kalanë e humbur Olimbi Velaj Një zbulim i pazakontë ka ndodhur këtë javë në Vlorë. Bëhet fjalë për gjurmët e një kalaje të lashtë shumë pranë bregut të detit. Një nga pronarët e një trualli në Skelë, ka hasur, gjatë gërmimeve për themelet, një mur 40 metra të gjatë dhe 3 metra të lartë me trashësi 5, 40 metra. Kjo ka qenë gjurma e radhës që i ka bërë arkeologët dhe specialistët e monumenteve të përcaktojnë në këtë zonë rrënojat e një kalaje shumë të njohur në dokumentet e mesjetës për kalatë dhe fortifikimet, në burime lindore dhe perëndimore. Një gjurmë më e hershme e kësaj kalaje, një fragment muri, është zbuluar në kohën e ndërtimit të Pallatit të Sportit në këtë qytet. Por asgjë më shumë, as gërmime, as projekte për gërmime U desh kazma e rastësishme e një qytetari, që kalaja e Vlorës të dilte përsëri në dritë, pas pesë shekujsh. Tani specialistët do të merren seriozisht me të. Gjerak Karaiskaj,specialist për fortifikimet tha, se ky është vetëm sinjali i parë i ekzistencës së kalasë, që do të pasohet me studimin dhe gërmimet e mëtejshme në vendin, ku sapo kanë dalë në dritë gjurmët e mureve. Specialistët përmendën dje si shumë të rëndësishëm faktin, që për këtë zbulim ka qenë vetë prefekti i Vlorës, Tare Hamo, që ka dërguar një relacion në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Ky reagim nga ana e pushtetit lokal shënon rastin e parë të interesimit në shkallë vendi. Në të gjitha rastet e tjera kanë qenë specialistët e monumenteve e vetmja palë e interesuar për objektet që haseshin rastësisht në gërmime të tilla. Kalaja është ndërtuar në vendin e quajtur Skela e Vjetër në Vlorë, më 1573 nga Sulltan Sulejmani. Tetëkëndëshe, jo më shumë se dhjetë metra e lartë, ajo ishte një nga kalatë më të forta të kohës dhe u ndërtua për t’u përdorur si bazë ushtarake e ushtrisë osmane për pushtimin e brigjeve italiane. Kalaja ka qenë e rrethuar nga kanale me ujë, me ura të lëvizshme. Në qendër ka qenë një kullë, thuajse identike me Kullën e Selanikut. Kronikani Evliha Çelebiu, i pari që përshkruan kalanë e Vlorës, në kronikat e tij, pat shkruar për të: ” Ai që nuk ka parë Kalanë e Vlorës dhe Kullën e Bardhë të Selanikut, nuk e di se ç’është arkitektura ushtarake e osmanëve”. Dekada më pas, më 1690, venecianët pushtuan Vlorën. Po në këtë kohë ata kanë kryer rifortifikimin e kalasë, por kësaj here sipas stilit të shekullit të XVII. Në këtë rifortifikim u ndërtuan bastionet për artilerinë si dhe u zgjeruan kanalet. Trashësia e mureve të kalasë përshkruhet të ketë qenë 7 metra. Ato janë marrë nga skela e vjetër e qytetit antik, Aulonës. Më pas, vetë kalaja pësoi fatin e gurëve të Aulonës. Në fillim të shekullit të njëzetë mendohet të jetë shkatërruar plotësisht ajo pjesë e kalasë që nuk qe mbuluar nga dheu. Me gurët e saj u shtrua rruga Vlorë-Skelë. Pas rizbulimit të gjurmëve të qarta të kalasë, këtë javë, për të fillon një periudhë tjetër, ajo e vëmendjes dhe rivlerësimit të saj si monument. Ali Asllanin ish/kryetar bashkie i Vlorës në vitet ’30, ka shprehur kujdes të veçantë për ruajtjen e kësaj kalaje, e cila shquhej për një arkitekture të pakrahasueshme në krahasim me ndërtesat e tjera të kohëve të vona. Në fillimet e sistemit komunist, ne Vlorë u vendos kryetar bashkie Kristo Papajani i cili, me urdhër nga lart urdhëroi prishjen e kalasë. Si përfundim muret e sipërme u prishen dhe kalaja u varros nga stadiumi i sotëm “Flamurtari” ne Vlorë, i cili është ndërtuar në vitin 1952 nga një rus i bardhe me emrin Alexander. Çdo hyrje e stadiumit të sotëm, ka qenë hyrje e kalasë. Për ndërtimin e stadiumit dhe për prishjen e kalasë, i është marrë mendim dhe ish/kryetarit të Bashkisë A. Asllanit, por ky i fundit nuk ka qenë dakord për ndryshime të tilla. Shume historiane tregojnë se mbeten ende te gjalla themelet e kalasë dhe gjurmët e arkitekturës së perandorisë osmane, poshtë stadiumit “Flamurtari”. Viti 2000 marre nga: http://www.shekulli.com.al/maj13/kult2d/body_kult2d.html

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit