9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Rrëfimi i Monzer Arnautit, shqiptarit të Sirisë: Kosova nuk u doli në ndihmë, por i përbuzi

Më të lexuarat

Jam arnaut – shqiptar i Sirisë. Gjyshi im, Mulla Brahim Sylejmani, ka lindur në fshatin Gërmova të Vitisë, është rrëfimi i 55-vjeçarit Monzer Arnauti, i cili tash e disa vite jeton në vendlindjen e të parëve, në pamundësi për të shkuar në vendlindjen e tij – Damask.
Monzeri, qysh në momentin e parë të takimit me të, jep shenja dalluese se është shqiptar, ndonëse është lindur dhe rritur në kryeqytetin sirian. Mënyra se si ai flet tregon temperamentin dhe gjaknxehtësinë që janë tipare dalluese të një shqiptari.
Ndonëse tregon se asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen e të parëve të tij, me tregimet e rrëfyera nga gjyshërit dhe prindërit, më mësimin e gjuhës dhe traditave shqiptare, ai thekson se ka filluar t’i venitet kjo ndjenjë.
Në një bisedë për Telegrafin ai sqaron se është lënë anash nga bashkëkombësit e tij.
Monzeri në Kosovë dhe Shqipëri udhëton qysh prej periudhës së pasluftës, sepse zanat i tij është tregtia. Ai madje ka edhe pasaportë dhe shtetësi kosovare, për të cilën thotë se është shumë legjitime ta ketë, meqë është shqiptar i Kosovës.
“Gjyshi im, Mulla Brahim Sylejmani, është larguar nga Kosova në mes periudhës 1912-1914, duke shkuar fillimisht në Turqi e për të përfunduar më pas në Damask. Ai ka qenë hoxhë dhe kadi – gjyqtar ne kohën e Perandorisë Osmane. Me rënien e Perandorisë, u largua për shkak të zullumit që bënte mbi ta Serbia. Unë në Kosovë tash jam më dy motrat, tri mbesat dhe dhëndrin tim”, ka theksuar Arnauti.
Monzeri thekson se Kosova çdo herë ka qenë temë diskutimi në familjen e tyre, duke shtuar se pavarësia e Kosovës është përcjellë me lot gëzimi.
“Më kujtohet kur vëllai im e pati mësuar përmendësh këngën ‘Oj Kosovë, oj nëna ime’, të cilën përveç në shqip e këndonte edhe në arabisht. Pastaj kishte mësuar edhe poezi në gjuhën shqipe. Shtëpitë tona gjenden ne zonën më të mirë të Damaskut. Kemi qenë tri lagje të banuara me arnautë. Nëse i ke pyetur sirianët për arnautët, ata çdo herë kanë treguar respekt, për arsye se shqiptarët atje kanë reflektuar sjellje të mirë, bujari, dashamirësi. Më kujtohet qysh prej fëmijërisë se në shtëpinë tonë kanë frekuentuar shumë shqiptarë, kryesisht haxhilerë, pastaj edhe studentët që kanë studiuar në Siri. Çdo herë dyert kanë qenë të hapura për çdo shqiptar”, ka thënë Arnauti.
Ai tregon se prejse ka nisur lufta në Siri, ka filluar të përballet më një sërë vështirësish, për shkak se prej atëherë ka shpërthyer një valë e emigrantëve – kryesisht shqiptarë të Sirisë – në drejtim të Kosovës. Por, sipas tij, rrëfimi për këta refugjatë është tejet i dhimbshëm.
“Vëllezërve për dy vite rresht nuk iu dha leja e qëndrimit në Kosovë, e pastaj u detyruan të largohen në drejtim të Evropës. Kemi kërkuar dhjetëra herë që të pajisen me leje të qëndrimit, por nuk ka patur shanse të ndodhë një gjë e tillë. Në një rast, para se të vijnë në Kosovë, në fillimet e luftës në Siri, vëllezërit e mi ishin kthyer prapa në Aeroportin e Prishtinës vetëm pse kishin pasaportë siriane. Përveç asaj nuk ishte hera e parë që ata po vinin në Kosovë. Policia kufitare i kishte kthyer prapa. Kjo nuk është normale”, ka shtuar Arnauti për Telegrafin.
I revoltuar ai tregon se prejse ka nisur lufta në Siri, në Kosovë janë strehuar 15 deri 16 familje siriane, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
“Shteti i Kosovës na ka ofruar vetëm 300 euro për këto pesë vite. Çfarë mund të bësh me 300 euro? Një familje për një muaj nuk mund të shërbehet me 300 euro, e paramendojeni të gjitha ato familje. Njerëzit të cilët vijnë nga Siria në Kosovë menjëherë më kontaktojnë, sepse e dinë që jam këtu. Ata, duke qenë në pozitë të vështirë financiare, kërkojnë para për kafshatën e gojës”, ka theksuar ai.
Sipas tij, pavarësisht zhgënjimit të tij të madh më institucionet kosovare, për të cilat thotë se nuk kanë të drejtë morale të thirren në atë se interesohen për shqiptarët që jetojnë në Siri, Monzeri thotë se atij në ndihmë i janë gjetur dy familje bujare në Prishtinë.
“Ata na kanë lëshuar shtëpinë, na kanë ofruar veshmbathje, madje edhe paratë e tyre nuk i kanë kursyer për ne. Ata janë në lutjet e të gjithë atyre familjeve që janë ushqyer, vesh e mbathur nga pasuria e tyre. Zoti iu shtoftë pasurinë. Nuk do t’i harrojmë kurrë të mirat e tyre”, ka shtuar Arnauti.
Personi që e ka shoqëruar vazhdimisht atë gjatë përpilimit të kërkesave të tij drejtuar institucioneve, ka qenë një familjar i tij i largët, Hasan Hajzeri, i cili tregon se si i kishin kaluar vështirësitë së bashku, duke trokitur derë më derë nëpër institucionet e Kosovës.
Madje, Hajzeri tregon se ndjen keqardhje për neglizhencën e institucioneve të Kosovës në raport me shqiptarët e Sirisë. Ai nuk harron të tregojë për mikpritjen që i ishte bërë në Siri, kur e kishte vizituar këtë vend vite më parë.
Monzeri ka thënë se e falënderon edhe Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK) dhe mekanizmat e saj të cilat, sipas tij, i janë gjendur në ndihmë disa herë.
Ai tregon se prindërit e tij ende ndodhen në Siri, duke shtuar se nuk kërkon asgjë nga institucionet e Kosovës, vetëm se t’i lëshojnë vizat për shqiptarët që kërkojnë të vijnë në Kosovë.
“Asnjë para nuk na duhet prej tyre. Të gjitha vet do t’i bëjmë, por së paku vizat le t’i lëshojnë. Deri më tani kam harxhuar shumë para dhe nuk më dhimbsen aspak, vetëm dëshiroj që njerëzit të kalojnë pa problem dhe të largohen nga lufta”, ka theksuar ai.
Monzeri thekson se MPB-ja nuk ka bërë kërkesë te UNHCR-ja – mekanizëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) që kujdeset për refugjatët – që ajo të lëshojë fonde për refugjatët që janë në Kosovë.
“Më vjen keq të them, por shteti i Serbisë kujdeset shumë më tepër për refugjatët sirianë sesa shteti i Kosovës. Na shikojnë më sy të keq, pavarësisht se jemi vëllezërit e tyre të gjakut. Po edhe nëse je sirian nuk është diçka e keqe. Sirianët po largohen prej vendit – jo prej dëshirës, po prej frikës. Nuk është e drejtë kjo, sepse populli sirian, njerëzit e thjeshtë i duan shqiptarët dhe çdo herë na kanë respektuar”, ka shtuar ai. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit